‘Bashkë për një fazë të re të zbutjes të masave kufizuese’, Presidenti Meta takim me ambasadorët e 7 vendeve, fokusi tek situata nga pandemia

May 8, 2020 | 15:06
SHPËRNDAJE

meta ambasadoret

 

Presidenti Ilir Meta thotë se, pavarësisht pandemisë COVID-19, Shqipëria do të mbetet e fokusuar në plotësimin në kohë të të gjithë kushteve që Këshilli ka përcaktuar për vendin tonë për Konferencën e Parë Ndërqeveritare për çeljen e negociatave të anëtarësimit në BE.

Deklarata e tij u bë në një takim pune që zhvilloi sot me Ambasadorët e Greqisë, Kosovës, Kroacisë, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut, Serbisë dhe Sllovenisë, ku u shkëmbyen informacione dhe mendime në lidhje me situatën e pandemisë COVID-19 në secilin vend.

Presidenca bën me dije se gjatë takimit “u vlerësua se masat e ndërmarra nga vendet tona treguan efikasitet dhe së bashku duhet tashmë të koordinojmë veprimet për të hyrë në një fazë të re të zbutjes të masave kufizuese. Një hapje graduale dhe e kujdesshme e kufijve, si dhe lehtësimi i masave shtrënguese do t’i jepnin frymëmarrje dhe impuls ekonomisë në përgjithësi, dhe turizmit në veçanti, si një degë e rëndësishme e ekonomisë së vendeve tona. U vlerësua gjithashtu edhe mbështetja reciproke në këtë periudhë pandemie, si dhe u shpreh mirënjohja për solidaritetin dhe asistencën e Bashkimit Europian për të gjitha vendet tona për të përballuar situatën e krijuar nga pandemia COVID-19”.

Presidenti Meta theksoi se pandemia dhe tërmeti që goditi vendin tonë nëntorin e kaluar treguan sa të rëndësishme janë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë.

“Fqinjët na u gjendën të parët pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit”, – theksoi Kreu i Shtetit.

Ne duhet të punojmë vazhdimisht, vijoi ai, për të forcuar më tej bashkëpunimin tonë në të gjitha fushat, duke ju referuar veçanërisht bashkëpunimit në fushat e emergjencave civile.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura