“Bashkë jemi të pamposhtur”/ Erion Veliaj viziton Shkupin në Ditën e Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut! Ja dhurata simbolike që merr

Sep 8, 2021 | 12:10
SHPËRNDAJE

Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj ka zhvilluar një vizitë në Shkup, me rastin e Ditës së Pavarësisë së Maqedonisë së Veriut.

erion veliaj

Veliaj është pritur nga Zëvendëskryeministri i parë Artan Grubi dhe kryetari i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti.

Kryebashkiaku Veliaj, duke e falenderuar zv/kryeministrin e vendit fqinj për mikpritjen, ka uruar 30-vjetorin e Pavarësisë së Republikës së Maqedonisë së Veriut.

Veliaj ka bere thirrje per bashkim dhe bashkepunim, pasi sipas tij vetëm në këtë mënyrë qytetet drejtohen ne menyren e duhur.

“Shumë faleminderit për mikpritjen. Është një surprizë shumë e këndshme! Jam shumë entuziast për gjithçka keni arritur këtu,” u shpreh Veliaj. Duke kujtuar disa nga marrëveshjet e ndërmarra së fundmi edhe në mbledhjet e përbashkëta mes dy qeverive, të cilat rezultuan të suksesshme, Veliaj tha se fryma që bën bashkë kudo ku ka bashkëkombas, është mesazhi më i rëndësishëm që duhet përcjellë te çdo qytetar shqiptar.

“Bashkimi bën fuqinë, – kur ne jemi bashkë jemi të pamposhtur. Kur jemi bashkë mund të drejtojmë mirë qytetet; kur jemi bashkë mund të negociojmë marrëveshje që i rrinë kohës, siç ka qenë ajo për gjuhën, apo për flamurin. Por, ndonjëherë e harrojmë se gjërat e mira i kemi arritur falë këtij bashkimi. Ndaj, mesazhi që dua të sjell në Shkup, sidomos për vëllezërit dhe motrat shqiptare, është: Të bashkohemi! Nuk e kemi luksin të jemi të ndarë në shumë copa, sepse ashtu e humbim peshën tonë,” tha ai.

Numri dy i qeverisë maqedonase i kishte rezervuar edhe një dhuratë simbolike kryebashkiakut të kryeqytetit shqiptar, fanellën e klubit futbollistik Shkupi.

“Një dhuratë shumë e veçantë për mikun tonë Erion Veliaj, për një mirëseardhje shumë të ngrohtë në Shkup, bashkërisht me kryetarin Ahmeti, është fanella e klubit tonë të zemrës, si një shenjë dashamirësie për të parin e Tiranës dhe mikun shumë të madh të të gjithëve ne këtu në Maqedoni,” u shpreh Grubi.

Veliaj inkurajoi gjithashtu vendin fqinj për zgjedhje të qeta lokale në 17 tetor. “Mezi pres që me vëllezërit dhe motrat që do të marrin përsipër mandatin e ri në këto zgjedhje të 17 tetorit, për koinçidencë si këtu edhe në Kosovë, të përveshin mëngët dhe ta çojmë më përpara kombin tonë,” apeloi Veliaj.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura