Basha: Tri kushte për të lehtësuar biznesin e vogël

Nov 7, 2012 | 12:29
SHPËRNDAJE

Tri kushte për të përmirësuar klimën e biznesit dhe për të lehtësuar barrën fiskale. Bashkia e Tiranës ka bërë propozimet e saj, ndonëse vendimmarrja i takon qeverisë dhe Parlamentit. Që prej muajit maj i është propozuar USAID-it të bëjë pjesë të paketës së rishqyrtimit, të decentralizimit mbledhjen e taksës së biznesit të vogël nga administrata qendrore tatimore. Ky propozim, i cili është marrë në shqyrtim nga Ministria e Financave, është mbështetur nga ish-kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama. “Propozimi im ka qenë që të kemi një konsolidim të sistemit të mbledhjes, së taksës në tri kushte, kushti i parë, sistemi i ri të mos ketë asnjë barrë shtesë fiskale jo e jo, por as administrative për subjekte të cilat deri tani janë në juridiksionin tonë, pra për biznesin e vogël”, tha Basha. Sipas tij, kushti i dytë është të pasurit e një kompensimi të plotë dhe avancues nëpërmjet një formule. “Bëhet fjalë për formulën e bashkëndarjes së të ardhurave midis pushtetit qendror dhe pushtetit vendor dhe të thyejmë këtu edhe tabu të tjera, si taksa e fitimit apo tatimi mbi të ardhurat personale”, theksoi kryebashkiaku. Së treti, sipas tij kjo duhet të ndodhë në kushte të një partneriteti dhe bashkëpunimi midis pushtetit vendor dhe pushtetit qendror, ku shërbimet aktuale të të ardhurave tatimore të pushtetit vendor të ndihmojnë në një luftë më efikase ndaj informalitetit, por njëkohësisht të dedikohen më fuqishëm në ato aspekte, ku puna e pushtetit vendor në këta 20 vjet lë për të dëshiruar. Dje, gjatë një takimi me studentët e “Business University”, kreu i Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha tha se çdo drejtues i këtij institucioni ka pasur dhe ka mundësi të ulë taksat për biznesin e vogël deri në 30%. “Një nismë e tillë, jo vetëm që nuk u ndërmor nga administrata e mëparshme e Bashkisë, por u kundërshtua fort edhe vendimi i qeverisë, për të mos lejuar rritjen e taksave, më shumë se 10% të taksës së biznesit të vogël, nga 30% para vitit 2009”, tha Basha. Vendimi për heqjen dhe uljen e 60 taksave dhe tarifave vendore ka qenë rezultativ, duke legjitimuar faktin se Bashkia mund të bëjë diçka për punësimin dhe zhvillimin ekonomik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura