Basha: Rama fshehu qëllimisht urdhër-arrestin për Frrokun që ta përdorte Meta si kamerdare. Të ikë Tahiri

Apr 1, 2015 | 13:42
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha akuzoi sot kryeministrin Rama dhe ministrin Tahiri se kanë fshehur qëllimisht urdhër arrestin për Mark Frrokun, pasi ky i fundit kishte në dorë dëshminë kyçe kundër Tom Doshit.

Kreu i PD-se, Lulzim Basha duke folur sot ne mbledhjen e grupit

Duke folur në mbledhjen e grupit parlamentar demokrat, Basha u shpreh se “Skandali i radhës është fshehja kriminale e kërkesës së Interpol për deputetin Frroku i akuzuar për vrasje. Dy herë rradhazi është injoruar kërkesa nga vendi mik. Nuk ka harresë në këtë nivel, arsyeja nuk mund të ishte as burokratike. Ministrisë së Brendshme për herë të parë i vjen një kërkesë së tillë. Arsyeja është fshehja e krimit me krim, kapja e dëshmitarit kyç dhe kthimi i tij në një kamerdare për Metën në akuzën më të fortë të 25 viteve të fundit të akuzës për vrasjen e dy deputetëve. i kanë vënë një tjetër njollë të pamerituar vendit, kanë goditur drejtësinë dhe shtetin. Skandali qelbet erë të keqe”.

Sipas tij “për një ditë si kjo ishte caktuar numëruesi i parë Artan Didi në krye të policisë. Nuk mund të mbulohej më krimi me krim derisa u detyruan të ndërhynin kancelaritë e Europës. Ikja e Didit është rënia e një tulle në ngrehinën më të madhe kriminale. Nuk mund të ketë policia model të ndryshëm nga ai që i ka caktuar Qeveria. Policia ka rënë, është drejtuar ti shërbejë krimit të organizuar dhe jo ta luftojë atë. Ndaj duheshin larguar profesionistët dhe të vinin njerëzit e errët. Askush nuk i beson Ramën dhe Tahirin kur përpiqen si burracakë tia hedhin vartësve përgjegjësinë. Mbajtja fshehtë e letrave për Frrokun përkon në kohë me periudhën kur Rama Meta dhe Tahiri tentuan të manipulojnë procesin për akuzën e vrasjes së dy deputetëve”.

Basha theksoi më tej se shqiptarët e panë që dëshmia e Frrokut ishte ajo që donte Ilir Meta. “Ky është një kryeskandal që nga përmasat vendos në një plan krejt tjetër paligjshmërinë e këtyre dy viteve. Është Rama që mori Frrokun, e futi në Parlament duke ia njohur problemet që ka me drejtësinë. Rama dëshmoi edhe njëherë se për të nxjerrë nga bataku Metën ku ai vetë ishte bashkëpunëtor shkeli ligjin”.

Përpara deputetëve demokratë ai kërkoi dorëheqjen e Tahirit. “Përsërisim sot kërksesën tonë për dorëheqjen e Tahirit. Një orë më shumë në detyrë e këtij paloministri është një orë më shumë e krimit në sistem. Ai është mallkim për rendin dhe sigurinë e çdo shqiptari. Nëse Rama e mban një orë më shumë provon se Tahiri është dora e tij e shtrënguar me krimin”. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura