Basha prezanton Igli Kokalarin në Gjirokastër: Rama-Meta japin vendime për shqiptarët nga Gjiri i Lalëzit

Apr 26, 2015 | 19:16
SHPËRNDAJE

UPDATE/Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka vijuar me prezantimet e kandidatëve për kryetarë bashkie në Delvinë zotin Dhurim Alinani, Konispol zotin Malo Myrtaj, në Sarandë zotin Kreshnik Bozho dhe në Libohovë Altin Çomo.

Gjatë takimit që pati në Gjirokastër, kreu i Partisë Demokratike prezantoi kandidatin për zgjedhjet e 21 qershorit, Igli Kokalarin. Kreu i demokratëve tha se mungesa e shpresës për një të ardhme duket tek të gjithë qytetarët.

Basha prezanton Igli Kokalarin ne Gjirokaster

Ndërsa ka folur për eksodin, tha se është “eksodi i dytë pas 25 viteve dhe kjo për shkak të papunësisë që ka pllakosur vendin”.

“Në 21 qershor keni në dorë për ti thënë “JO” më rritjes së çmimeve. Rama-Meta nuk përfaqësojnë më qytetarët por ata mbushin xhepat dhe japin vendime për shqiptarët nga Gjiri i Lalëzit. Në çdo qytet shikoj entuziazëm dhe eufori nga qytetarët. Sot kam nderin të prezantoj para jush njeriun që ka qenë 24 orë në shërbim të popullit Dr Igli Kokalarin. 21 qershori është dita e gjykimit duke i thënë PO ndryshimit të madh ku populli mezi e pret këtë ditë për ti dhënë ndëshkimin qeverisë Rama-Meta”,- tha Basha.

21 qershori, tha Basha është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, është dita e ndëshkimit me votë të keqqeverisjes Rama – Meta.

“Pse po vërshojnë qytetarët, pse po vërshojnë njerëzit në mënyrë plebishitare, popullore, në takimet tona paraprake të prezantimit të kandidatëve tanë? Ç’është ky vërshim si në kohët e përmbysjes së regjimit të tollonave e arratisë? Ç’është ky entuziazëm në mes të kësaj gjendje të tmerrshme ekonomike që ka kapluar vendin?! Ju a them unë se e ndiej në shpirt. Njerëzit po presin me padurim ditën e votimit, ka një padurim për të votuar, për t’u dhënë një mësim që ta mbajnë mend, për t’u dhënë ndëshkimin e merituar.

21 qershori është dita e gjykimit politik, është dita e llogarisë para shqiptarëve, dita e gjykimit me votë të keqqeverisjes Rama-Meta”.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura