Basha prezanton Alibeajn në Fier: Ofertë e re për të shpëtuar qytetin nga kthetrat e mjerimit. Kandidati: T’i kthejmë fierakëve dinjitetin

Apr 17, 2015 | 20:28
SHPËRNDAJE

UPDATE/Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha prezantoi pasditen e së premtes kandidatin e PD-së për kryetar Bashkie në Fier, Enkeleid Alibeajn. Ashtu siç bëri një ditë më parë në Tiranë me kandidatin Halim Kosova, Basha zgjodhi të përshkojë në këmbë sheshin qendror të qytetit bashkë me kandidatin Alibeaj dhe mbështetës të tjerë të PD-së.  Në fjalën e tij Basha tha se prania masive e qytetarëve në këtë takim spontan tregon nevojën që ka qyteti për të përqafuar vlerat më të mira.

Lulzim Basha gjate prezantimit te kandidatures se Alibeajt ne Fier

“Sot kam në krahun tim një mik të vjetër, ndonësë një djalë të ri, i cili kurrë nuk ka hezituar ta thotë mendimin e tij, troç dhe pa dorashka , edhe kur nuk i pëlqente kryetarit të partisë. E ka thënë këtë mendim dhe i ka ngritur çështjet e tij si pakkush, shkurt, saktë bindshëm dhe me elokuencë, ashtu si dinë të bëjnë banorët e kësaj treve, banorët e këtij qyteti, fierakët e vërtetë. Sot ky djalë, ky prind, ky jurist i shkëlqyer, ky anëtar i ekzekutivit që ka shkëlqyer me luftën pa kompromis kundër korrupsionit,  ky zëdhënës i pamposhtshëm në ditë të mira dhë në ditë të këqija i halleve dhe i problemeve të Fierit, dhe fierakëve, të qytetit dhe të qarkut, vjen në krahun tim, në fakt vij unë dhe e gjej në mesin tuaj si propozimin më të natyrshëm për të përfaqësuar vlerën tuaj; bashkimin në diversitet, vlerën e familjes tonë politike, vlerën e qytetarisë por edhe të vendosmërisë. Si kandidatin e Partisë Demokratike dhe opozitës, si ofertën tonë për të shpëtuar Fierin nga kthetrat e mjerimit, skamjes, arrogancës përbusëse të pushtetit”,-deklaroi Basha. 

Basha duke fol per mediat ne Fier

Ndërsa kandidati Alibeaj theksoi se Fieri ka potencial të madh, por i duhet kthyer dinjiteti, dhe qeverisja e ndershme dhe e përgjegjshme. “Në fakt ky vend për shumë kohë ka qenë në errësirë. Do të duhet që kësaj here ta nxjerrim nga errësira, këtë vend që ka potencialin më të madh arsimdashës, këtë vend i cili ka potencialin më të madh ekonomik dhe kurajon më të madhe civile për ndërmarrje private dhe kjo është një sfidë që na detyron t’ia shkëpusim errësirës që ka mbretëruar për kaq kohë në këtë vend. Eshtë sfidë e të gjithëve, e duke qenë e tillë e duke parë të gjithë fytyrat e këtyre njerëzve do duhet t’i kthejmë vetëm një gjë, dinjitetin. Ky vend ka nevojë për dinjitet prandaj kjo do të jetë emblema jonë, emblema e të gjithë fierakëve që në 21 qershor të dalin të nderuar”,-tha Enkeleid Alibeaj.

Alibeaj duke folur per mediat ne Fier

Pak ditë më parë demokratët  vendosën që ish-ministri i Drejtësisë, aktualisht deputet i PD-së në Kuvendin e Shqipërisë, të jetë kandidatura e opozitës për zgjedhjet lokale të 21 qershorit në qytetin e Fierit.

Gjata prezantimit të kandidatit të PD-së, Basha tha se “Alibeaj është oferta jonë për të shpëtuar Fierin”. Përballë tij kandidati i PD-së do të ketë deputetin socialist Armando Subashin. 

Më herët ishte kandidati i PD-së, Enkelejd Alibeaj, i cili njoftoi nga profili i tij në rrjetin social “Facebook” për takimin që do të mbahej pasditen e së premtes në qytetin e Ferit. 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura