Basha pret zyrtarët e KiE-së: Në zgjedhje u përfshinë banda të lidhura me pushtetin, mijëra votues u transferuan në Durrës e Kavajë

Jun 29, 2015 | 20:45
SHPËRNDAJE

Rreth një javë pas zgjedhjeve të 21 qershorit, kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, i shprehu zyrtarëve të lartë të BE-së shqetësimet e opozitës për manipulimin e zgjedhjeve në Shqipëri. Kreu i PD-së priti sot në një takim bashkëraporterët e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, Jonathan Evans, Andrej Hunko, Bas Klein, zv-Kryetar i Sekretariatit të Komisionit të AP, të KiE dhe Delphine Freymann, Sekretare e Komisionit të Monitorimit të AP të KiE.

Lulzim Basha me perfaqesues te KiE-se

Partia Demokratike njoftoi se Basha pasi ka falënderuar raporterët e Këshillit të Europës për monitorimin e procesit zgjedhor në Shqipëri nga delegacioni i vëzhguesve, tha se fatkeqësisht ky proces  e ka futur Shqipërinë në listën e vendeve që nuk realizojnë zgjedhje të lira dhe të ndershme.

Kreu i opozitës thuhet se u ndal në problematikën e zgjedhjeve, duke nisur me kandidimin nga mazhoranca të personave me rekorde kriminale, të cilët sipas tij ushtruan presion të hapur ndaj zgjedhësve, punonjësve të administratës si dhe përdorën paratë e krimit të organizuar për të blerë vota.

“Në zgjedhje u përfshinë  banda të lidhura me pushtetin,  të cilat kanë vepruar si njësi paramilitare për të kërcënuar, trembur dhe dhunuar kandidatët, akitivistët dhe zgjedhësit tanë para syve të policisë, të cilët nuk ndërmorën asnjë masë. Administrata publike u vu në një presion të hapur nga kryeministri dhe kryetari i kuvendit,  për të mbushur kutitë me vota, fakt i njohur botërisht”,-thuhet në deklaratën e PD-së. Ndërsa shtohet se janë raportuar me qindra raste të shantazhimit të punonjësve të administratës të cilët duhet të sillnin një numër të caktuar votash, ti faktonin ato përmes fotografive në kembim të vendit të punës.

Partia Demokratike duke cituar zotin Basha, thotë se ai bëri publike transferime të paligjshme të mijëra zgjedhësve,  kryesisht në Durrës dhe Kavajë, të cilat u çuan në Prokurori dhe pavarësisht vendimit të institucioneve të drejtësisë, ndërsa KQZ-ja nuk mori asnjë masë për të pastruar listat e zgjedhësve.

Me mijëra raste janë faktuar tashmë nga opozita dhe mediat, tha Basha, të falsifikimit të kartave të identitetit duke mundësuar votimin në 21 qershor të personave që nuk ndodheshin në Shqipëri.

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ndal dhe në presionin që qeveria dhe mazhoranca ushtroi ndaj mediave. “Ndër rastet flagrante që solli në vëmendje zoti Basha ishte ai i kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini, i cili kërcënonte gazetarët  me vendin e punës nëse thonin të vërtetën, mbyllja e një televizioni, i cili denoncoi fallsifikimin e  kartave të identitetit disa ditë para zgjedhjeve apo shoqërimi në komisariat i fotoreporteres së kandidatit të opozitës në Gjirokastër, pasi kishte shkruar një status në Facebook kundër kandidates së mazhorancës”,-njofton PD.

Sipas Partisë Demokratike, Basha tha se herë të parë në 25 vite demokraci në Shqipëri, është shënuar dhe një rast i paprecedent, anti demokratik e anti europianist, ai i kërcënimit të zgjedhësve nga krerët e qeverisë, se po votuan për opozitën nuk do të kishin bukë dhe ujë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura