Basha pret kryediplomatin gjerman: Lidhjet e politikës me krimin pengesë për negociatat

Sep 19, 2018 | 16:04
SHPËRNDAJE

Në vizitën e tij në Tiranë, Ministri i Jashtëm i Gjermanisë, Heiko Maas, takoi edhe liderin e opozitës Lulzim Basha.

WhatsApp Image 2018-09-19 at 15.30.14

Ky i fundit shprehu shqetësimin e PD dhe të opozitës për përmasën e kapjes së shtetit nga krimi i organizuar, gjatë viteve të fundit, falë lidhjeve dhe bashkëpunimit me politikanët në pushtet.

Duke iu referuar kushteve të vendosura në Samitin e Sofjes, Basha i konsideroi lidhjet e politikës me krimin si pengesën më të madhe për hapjen e negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë me Bashkimin Europian, si dhe rrezik për stabilitetin e vendit.

Basha shprehu gatishmërinë e opozitës  për të vazhduar të kontribuojë në  zbatimin e reformës në drejtësi, bazuar në parimet e respektimit të Kushtetutës, moskapjes partiake të gjyqësorit dhe arritjes së rezultateve të prekshme në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kreu i opozitës rikonfirmoi qëndrimin për mosndryshimin e kufijve në Ballkan dhe falenderoi Kancelaren Merkel dhe qeverinë gjermane për pozicionimin e qartë në këtë çështje.

Një falenderim dhe mirënjohje të veçantë, Lulzim Basha i shprehu Ministrit të Jashtëm Maas për ndihmën e madhe e të pakursyer që Gjermania i ka dhënë Shqipërisë në 3 dekadat e fundit, veçanërisht për integrimin europian.

“Anëtarësimi i Shqipërisë në BE mbetet objektivi kryesor politik i Partisë Demokratike”, citohet Basha në një njoftim të zyrës së shtypit pranë PD-së.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura