Basha para derës

Mar 13, 2023 | 10:46
SHPËRNDAJE

mentor nazarko

Nga Mentor Nazarko

Beteja e re e PD me drejtësinë zgjedhore është pasojë, jo shkak. Me gjasë shtyrja e betejës në nivelin e dytë të saj, është kalkulim i dobishëm: jep ide pavarësie të sistemit; krijon hapësirë taktike që seicila prej palëve (PD e Berishës apo ajo e përfaqësuar nga Alibeaj), të regjistrohet, të bëjë koalicion, etj.

Mirëpo ka një pikëpyetje, (e riaktualizuar nga kreu i KQZ, Celibashi(që merr forma të ndryshme: dëshirore, mallkimi, ironizimi). A do kthehet Basha? A do zgjohet Basha Se kur do kthehet, dhe me cfarë forme, mbase është e vështirë ta parashikosh, por në lidhje me kthimin,mund të përafrosh disa argumenta që e bëjnë thuajse reale. Të mundshme. Sigurisht ky kthim i tij është i ndërlidhur me regjistrimin e PD-së së tij (dmth të Alibeajt). Ndaj janë dy përgjigje në një.

Akti i dorëheqjes, forma e tij ka qenë komunikim mes juristësh: Basha, Alibeaj,Bardhi janë juristë. Afërmendsh që kanë zgjedhur një formë dorëheqje në përputhje me ligjin, që si po duket, e le hapur mundësinë e rikthimit.

Së dyti, veprimet e tij, të krahut të tij, duket qartë që gëzojnë mbështetjen e SHBA-ve, pra si pasojë kanë brenda konsultimin me të. SHBA-të kanë bërë gjithcka për ta delegjitimuar Berishën, përpjekjen e tij për të kryesuar PD-në, me cdo formë, ndaj nuk do t-a lejojnë që fati i PD, të marrë një krah kundër vullnetit të tyre, mu prej dorës së drejtësisë zgjedhore. Mbyllja e perspektivës ligjore të garimit të Alibeajt do të favorizonte Berishën, dhe SHBA nuk u investuan kaq brutalisht në 2 vjet kundër Berishës që ta lejojnë legjitimimin e tij sot. Pavarësisht se ata nuk përfshihen zyrtarisht në cdo hap të kësaj beteje të brendshme në dukje.

Së treti, ndonëse Basha ka shumë mëkate në mënyrën si e ka drejtuar PD: që ka lejuar dualizmin e Berishës, që nuk ka bërë shkëputje ideologjike prej PD-së së Berishës, etj, etj,- në zgjedhjet e fundit të 2021, Basha arriti rezultatin më të mirë pas 1992, në vlerë absolute, pa koalicion- afro 622 mijë vota. Vlerë goxha e madhe, në kushtet e zvogëlimit të popullsisë së aftë për të votuar. Ikja e tij, në kushtet e rrëzimit të autoritetit personal ishte veprim i mencur, mirëpo askund ai nuk tha se është dorëheqje e parevokueshme.

Së katërti, në kushtet kur krejt liderët politikë shqiptarë i kanë njohur vetes rikthime, ringjallje, rimishërime, aq më shumë dhe ai, që është më i riu, mund ta tentojë. Ose ka të drejtë allashqiptare që të rikthehet. A nuk u kthye disa herë Berisha pas 1997, apo vitin që shkoi? Po Meta; po Nano?

Së pesti, brenda PD-së, 10 vjet larg pushtetit, në kushtet kur mungon institucioni i garës reale, nuk ka hapësirë për afirmim figurash të tjera të forta, apo premtuese, veç Berishës dhe Bashës që nënkuptojnë pas vetes netuork miqsh ndërkombëtarë dhe vendorë, fuqi ekonomike dhe mediatike, etj. Është shumë vështirë ndërkohë të krijosh figura të reja mjerisht që t’i kenë të gjitha këto, krejt ndryshe nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia. Kësisoj Basha në hije ka mjaftueshëm energji potenciale.

Më në fund, betejat zgjedhore, betejat me drejtësinë, afirmimi i dyshes Berisha-Meta, eventualisht rezultati i dobët i tyre në kushtet e përcarjes, i japin të drejtë Bashës. A nuk foli ai për rrezikun e LSI-së në 2017, që do të thithte PD-në elektoralisht? Sprova u pa që atëherë, kur takimi Berisha-Meta, pas marrëveshjes Rama-Basha orientoi votues të PD-së të votonin për LSI. Në 2021, Basha arriti rezultatin më të mirë pa LSI-në, dhe koherenca në këtë drejtim është pika e tij më e fortë.

Por që një PD e re të prodhojë sukses, duhet me cdo kusht të shkëputet prej trashëgimisë ideologjike, apo të aksionit të PD-së së Berishës që nga themelimi e këtej. Kërkesa e faljes për gabimet në reformat më të mëdha, prona, arësimi, bujqësia, administrata publike, shëndetësia, etj, mund ta ringjallë PD elektoralisht. Kjo shkëputje, kjo zhvendosje, nuk sjell bjerrje elektorale, por mund të thithtë votues të rinj, pjesë gri, socialistë të zhgënjyer madje.

Hanibal ante portas, ishte këshilla e prindërve romakë për fëmijët nga sulmi i Hanibalit. Basha s’është Hanibal, as Stalin që të bëjë tërheqje taktike në shpellë pas rrethimit të Stalingradit. Gjithsesi, frika e rikthimit të tij ka mobilizuar narrativa tek krahu i Berishës apo i Metës që e ribashkojnë me Ramën, etj, etj. Portat-ngjajnë se janë zgjedhjet lokale të 14 majit, që krijojnë rrethanë të re për të: ju lashë, u dorëhoqa: nuk ju pengova, humbët. Po tash? Mirpo as krahu i Ramës nuk ngjan shumë i lumtur, dhe na kujton ndershmërisht se ai flinte gjumë shumë.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura