Basha nuk mund të lajë hesape

Jul 27, 2015 | 12:01
SHPËRNDAJE

AGRON GJEKMARKAJgjekmarkaj

Të gjithë ata që e këshillojnë Lulzim Bashën qoftë privatisht, qoftë publikisht, për të larë hesape pa dashje a me dashje, i shërbejnë pushtetit. Partia Demokratike sot është e brishtë, po aq edhe kryetari  i saj. Sapo kanë dalë nga një humbje rraska-pitëse, drejt së cilës Basha udhëtoi thuaj i vetëm. Edhe nga pikëpamja pragmatike, hesapet lahen në pozita force. Të gjithë ata që e këshillojnë të përplaset me Sali Berishën në thelb projektojnë një opozitë më të dobët në të ardhmen. Sali Berisha, me një të fishkëllyer i mbledh demokratët rreth vetes. Kush thotë që në masën njerëzore të PD-së nuk ka nostalgji për Sali Berishën, gënjen.

Por numrat që Sali Berisha ka grumbulluar me votë nuk mjaftojnë më për ta sjellë PD-në në pushtet. Ai e ka kuptuar këtë dhe gjithçka përmblidhet te dorëheqja e dy viteve më parë. Ndonëse një epokë historike është mbyllur, një tjetër e re nuk po hapet. Ka një gjendje pakuptimësie. Ka krizë identiteti. Operacion jo i lehtë është lidhja e së shkuarës me të ardhmen, pa i peshuar kësaj të fundit.
Lulzim Basha është në të drejtën e tij të tentojë që nga kryetar partie të bëhet lider opozite, duke eliminuar disa pengesa. Së pari, dualizmin me Sali Berishën duhet ta zgjidhë njerëzisht dhe Basha po shfaq durim. Mirënjohja është cilësi që duhet duartrokitur. Mungesën e saj askush nuk do t’ia falte, sidomos anëtarësia e vet. Mirënjohja nuk duhet të kthehet në paralizë mendore.

Protagonizmi fitohet, nuk dhurohet; kësaj formulë le t’ia gjejë vetë agredientët Basha. Ai i ka të gjitha instrumentet që ta bëjë opozitën e tij. Nëse i duket se Facebook-u i Berishës i bën hije, le të gjejë një truk tjetër në komunikimin publik  që të marrë vëmendje më të madhe. Nëse denoncimet e Berishës bëjnë bujë prapë të rëndë, të gjejë të tjera më të bujshme. Rrugët e Zotit janë të pafundme dhe kjo Qeveri e konkurron, të krijon mundësi pa fund.

Basha nuk duhet të lajë hesape edhe për hir të një mentaliteti të ri që po përpiqet të fusë në PD. Basha ka legjitimitet të sillet si kryetar, po jo aq sa t’i shpallë luftë historisë së PD-së. Ai ka 10 vjet në këtë formacion, të gjitha vite pushteti për të.  Aty e ka sjellë Sali Berisha dhe kjo nuk është alibi, as kompleks. Tani për tani, ai ka tagër moral, por edhe nevojë të shpejtë të lajë hesapet me të korruptuarit e shumtë që gëlojnë në strukturat e kësaj partie. Humbja ka qenë kostoja e tyre në 2013-n. Aty s’duhet të ketë  kompromis. Aty ndjeshmëria është absolute. Në Shqipëri ka dy parti kryesore, hajdutë dhe johajdutë. Ky raport është më i thekshëm se ai i djathtë apo i majtë. Pjesa tjetër është retorikë për militantët. Nuk duhej të ishte kështu, por është kështu.

Me të gjithë ata ish-ministra e kallam kusur që heshtin dhe nuk ndihen tash dy vite opozitë nga frika se mos pushteti u hap ndonjë dosje, është mirë që Basha të bëjë divorc. Atë etik ta bëjë ai, atë ligjor të tjerët.
Berisha si një lider i fortë dhe acid i ka lejuar vetës ta rrudhë apo zgjerojë kujtesën historike të kësaj partie. Basha ka qenë vetë pjesë e këtij zgjerimi. Ai nuk mund të sillet dot si Berisha, sepse nuk ka të njëjtin legjitimitet dhe nuk jeton të njëjtën histori, por duhet të korrigjojë edhe ato që ka bërë gabim lideri i mëparshëm, i cili vetë kur i është dashur nuk ka hezituar të bëje retushe befasuese.

Basha ka nevojë urgjente t’ia shtojë ngjyrat mozaikut të kësaj partie, jo t’i zvogëlojë ato. Kjo nuk bëhet duke larë hesape. Kujtesa historike është brenda në PD, por edhe jashtë saj. Ai nuk mund ta presë atë nga brenda për ta qepur nga jashtë. Nuk e dëmton Lulzim Bashën Jozefina Topalli, e cila artikulon më ashpër se të tjerët. Mirë i bën edhe Astrit Patozi e Majlinda Bregu, apo ndonjë tjetër, që kërkojnë një opozitë më luftarake, më bindëse. Përkundrazi, të gjithë këta i japin mundësinë Bashës të bëhet një lider menaxhues i bindjeve të ndryshme, të cilat kanë qellim të njëjtë. Ata pa dashje shndërrohen në fasadën e tij demokratike.

Kjo parti nuk është vetëm kryetari i saj. Partia nuk është familje, sekt, as vëllazëri dhe nuk mbahet në këmbë as nga grupe çaji, vere apo dhalle. Grupet politike konturohen nga idetë apo edhe nga pragmatizmi i realizimit të tyre, si dhe nga hierarkia e strukturave. Çfarë strukturash ka sot PD-ja? Në vjeshtë një përgjigje duhet.
Nuk zgjidh gjë Basha nëse i  vërsulet Jozefina Topallit, e cila ka mbi njëzet vjet histori politike të merituar  aktive dhe sanguine në Parlament. Në fakt, Basha nuk ka dhënë shenja të tilla, por duhet të tregojë vëmendje ndaj atyre që i japin këtë këshillë.

Pa Berishën dhe Topallin, pa ndërhyrjet e Patozit apo Bregut në sallën e Kuvendit, opozita do të shndërrohej në dekor. Edi Rama nuk mërzitet shumë nga batutat apo akuzat për droge e urinim të shpeshtë, por nga destruktivizmi i propagandës që ai bën.
Topalli ka përgjegjësitë e veta, mbase jo të pakta, për humbjen e vitit 2013, për imazhin e vetë PD-së. Por, gjithsesi, u ka shpëtuar breshërive të akuzave për korrupsion dhe ajo këtë kartë morale po luan. Por agresiviteti verbal ndaj saj është i pajustifikuar, ndonëse me agresivitetin e saj Jozefina nuk ka bërë shumë miq. Të stërvitur në nuhatje e shohin atë jashtë mbështetjes mediatike dhe, o burra. Të sulmosh Jozefinën je modern, je liberal, je bashkëkohorë, ke ide, nuk bën “gabim”. Por nuk është ajo problemi me gjithë problemet që vetë ajo mbart.

Në dy vjet, siç ka bërë maxhoranca me Boden, Imaim, Tafajn, akuzat ndaj të cilëve nuk janë konfirmuar ende nga Drejtësia, po të kishin gjetur një gjë për Jozefina Topallin, nuk do ta ndërronin me mish dashi. Përkundrazi, duke u ballafaquar me tezat apo qoftë edhe me akuzat e saj, ai, vetë Lulzim Basha, temprohet dhe identifikohet si Lider që nuk ka frike nga dialektika e ashpër brenda partisë së tij.
“Kundërshtarët” që ka brenda Basha mund t’i konkurrojë me veprimin politik , me tezat, denoncimet, pa pasur nevojë të njësohet me ligjërimin e tyre ose duke u identifikuar me ta kur është momenti. Veç Topallit, në fakt në PD nuk ka “kundërshtarë”, por thjesht do gjind të mënjanuar në punë të vet, të cilët presin që dikush t’i angazhojë.

Basha duhet të bashkudhëtojë me të gjithë ata që në PD nuk e kanë vjedhur këtë popull e jo me të gjithë që i thonë nuk ka si ty o shef, ti i fut të dridhurat dyshes Rama-Meta me një teshtimë.
Duket qartë se në PD ka shumë konformizëm  e plot njerëz që thjesht duan të jenë deputetë për të cilët gomari fluturon gjithmonë, fiton a nuk fiton PD-ja, kjo nuk shfaqet si problem për ta.
Bashizmi, i cili ende nuk ekziston, nuk mund të lindë duke larë  hesape me ata që s’kanë hesape për të shlyer, por duke shtuar gamën e njerëzve cilësorë që e duan këtë forcë politike alternative pushteti. Bashizmit i duhet edhe Jozefina Topalli, edhe Patozi, edhe Bregu e jo kodra pas Bregut. Ani se këta dy të fundit ishin miq të të ndjerit Olldashi (pse jo edhe për këtë arsye), i cili po të ishte gjallë, do t’i duhej më shumë se askush tjetër, po aq sa ftesa për Uran Butkën,  Besnik Mustafajn, Preç Zogajn, Mark Markun, Selami Xhepën, Spartak Ngjelën dhe të tjerë jashtë politikës, të cilët i njeh shoqëria shqiptare. Boll me servilë dhe sahanlëpirës anonimë.

Ata janë të ëmbël në fillim, por të hidhur në fund. Nga “armiqtë” Basha ruhet vetë, Zot ruaje nga “miqtë”.  Çdo larje hesapesh e sugjeruar do të ishte një karikaturë e Berishizmit në kohën e mocionit të gushtit 1992 pa thagmën e tij epike, pa tonalitetin e çastit, pa nevojën e tij për t’u konsoliduar në pushtet.
Basha është në opozitë, ka nevojë për të gjitha ata të cilëve, pak apo shumë, u zë vend fjala. Një Bashë i rrethuar  me maska veneciane i shërben vetëm Edi Ramës. Sa mirënjohës mund t’i jetë Rama, është çështje e zemërgjerësisë së tij.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura