Basha ngre grup për zgjedhjet në FRPD, Sekretari i Përgjithshëm: Është marrë vesh që kryetari do të marrë pjesë në “foltoren” e së dielës

Nov 6, 2021 | 10:00
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, udhëzoi dje ngritjen e një grupi pune për të nisur procesin e zgjedhjes së kryetarit të Forumit Rinor të Partisë Demokratike dhe të drejtuesve të tjerë të forumit.

Belind Kellici

Sipas një njoftimi të shpërndarë nga zyra e shtypit e PD-së lajmërohet se kryetarit aktual të FRPD-së dhe pjesës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së i ka përfunduar mandati, si dhe kanë tejkaluar moshën 35 vjeç, e cila është mosha tavan për të qenë pjesë e FRPD-së. Po ashtu bëhet me dije nga zyra e medias së PD-së se kreu i FRPD-së do zgjidhet “një anëtar, një votë”.

“Forumi Rinor i Partisë Demokratike nisi sot procesin e riorganizimit dhe zgjedhjeve në të gjitha strukturat. Kryetari i PDsë, Lulzim Basha, udhëzoi nisjen e procesit të rifreskimit të strukturave dhe ngritjen e një grupi pune që do të mbikëqyrë procesin, pasi mandati i shumicës dërrmuese të drejtuesve të FRPD-së ka mbaruar dhe një pjesë e drejtuesve kanë tejkaluar moshën. Kryetari i FRPDsë dhe i forumeve drejtuese ka mandat 4-vjeçar, ndërsa anëtarët e FRPD-së mund të jenë pjesë e forumit deri në moshën 35 vjeç”, thuhet në njoftimin e shpërndarë për mediat.

Grupi i punës do të përbëhet nga 6 persona dhe do të ndjekë procesin e zgjedhjeve në PD. “Grupi i posaçëm i punës për zgjedhjet në FRPD përbëhet nga: Oriela Nebiaj, Hergert Alimerko, Dario Sejdini, Enkelejda Rica, Juela Hamati, Anita Doçi. Ky grup do të mbikëqyrë mbarëvajtjen dhe organizimin e procesit të anëtarësimeve, rifreskimit të të dhënave dhe zgjedhjeve në të gjitha nivelet dhe strukturat e Forumit Rinor. Menjëherë pas përfundimit të procesit të anëtarësimeve dhe riorganizimit do të vijohet me zgjedhjen me “1 anëtar, 1 votë” të kryetarit dhe zgjedhjen e strukturave drejtuese të FRPDsë në nivel qendror dhe lokal. Zgjedhjet për kryetar të FRPD-së janë mbajtur për herë të fundit në dhjetor 2015 dhe mandati i kryetarit dhe forumeve drejtuese ka mbaruar në vitin 2019″, thuhet në njoftimin e PD-së.

REAGIMI

Por vendimi i kryedemokratit Basha duket se nuk ka qenë i koordinuar me strukturat drejtuese të FRPD-së. Kryesia e organizatës partnere të PD-së u mblodh mbrëmë në orën 19:00 dhe në përfundim kryetari në detyrë, Belind Këlliçi, njoftoi se vendimi i kryedemokratit Basha është nulë. “Vendimi i sotëm (dje) është i pabazuar qoftë në Statutin e PD-së dhe është përtej kompetencave të kryetarit të PDSH-së, qoftë edhe në Statutin e FRPD-së. Është e vërtetë që mandati im ka skaduar. Por ne jemi në të drejtën e ushtrimit të mandatit deri në zëvendësimin tonë përmes një procesi zgjedhor, brenda forumit rinor, të organizuar mbi Statutin e Forumit Rinor dhe deri ne dorëzimin te trupa e re që do të zgjidhet me “një anëtar, një votë”. Sot ka pasur një vendimmarrje unanime të kryesisë së Forumit Rinor, 100% e tyre janë shprehur kundër vendimit të kryetarit të PDSH-së.

Ne kemi menduar që të zhvillonim zgjedhjet më herët, por për shkak se që në 10 shtator PD ndodhet në një situatë që të gjithë e dimë, dhe ndodhet në një krizë të brendshme që ne gjykojmë se duhet të marrë fund përmes votës dhe së vërtetës, ne nuk kemi vepruar. Dhe gjykojmë se nuk është ky momenti për të uzurpuar dhe përçarë më tej PD-në”, tha Këlliçi. Ky qëndrim u mbështet edhe nga sekretari i përgjithshëm i FRPD-së, i cili u shpreh se vendimi i Bashës u shpall pasi ai e mori vesh se kreu i këtij forumi do të jetë pjesë e foltores së Berishes.

“Ky veprim vjen pas firmosjes nga delegatëve që vijnë nga Forumi Rinor i PD-së. Ky veprim vjen pasi është marrë vesh pjesëmarrja e kreut të FRPD-së te foltorja. E konsiderojmë nulë dhe i bëjmë thirrje Bashës që nuk do të lejojmë as tentativat për intimidim. Nuk do ta lejojmë që ai të shkelë Statutin dhe dinjitetin tonë. I bëjmë thirrje të tërheqë lajmërimin që ka nxjerrë”, tha sekretari i përgjithshëm i FRPD-së, Grigels Muçollari.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura