Basha: Nëse s’pranojnë zgjidhje të butë, do marrim në dorë me të gjitha mënyrat fatet e qytetarëve

May 14, 2017 | 16:23
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka bërë të qartë sërish sot se zgjedhje në 18 Qershor nuk mund të ketë.

lul basha e re ne cader

Në ditën e 86-të të çadrës së opozitës para kryeministrisë, ai u shpreh se nëse maxhoranca nuk pranon dialogun dhe ti hapë rrugë zgjidhjes së butë, republika e vjetër, siç e quan Basha, do të përmbyset.

FJALA E BASHES

Dje ishte dita e cilësisë më të lartë politike të një proteste në historinë e Shqipërisë dhe kjo është merita e zemrës dhe shpirtit tuaj, e qëndresës suaj. nuk ka akademi politike ti trajnojë njerëzit, pjesëmarrësit, folësit, ata që i dhanë zë problemeve tuaja. Këtu ku triumfon e vërteta mbi rrenën, realiteti mbi fasadën, këtu u poqën, u ngritën dhe u lartësuan vlerat e vërteta, u lartësua vendimi i madh që shpallëm dje. Ai nuk më takon mua, PD-së, u takon juve dhe çdo shqiptari. Faleminderit, mirënjohje të thellë këtij monumenti të lirisë, të lirive politike, kësaj shkolle të lirive njerëzore dhe civile.

Këtu në këtë qëndresë që lindi nga 18 shkurti, këtu lindi dhe u bë realitet edhe ideja e Republikës së Re, ku njëherë e përgjithmonë vendimmarrja do të jetë në duart e qytetarëve. Çdo zyrtar i lartë i shtetit nuk do zgjidhet në pazare dhe kulisa, por vetëm me votën e lirë të qytetarëve dhe do japë llogari para qytetarëve me një mekanizëm të ri, me një kushtetutë të re që do mundësojë kontrollin e ri qeverisës nga qytetarët. Thelbi i lëvizjes sonë politike ka qenë dhe mbetet të zëvendësojmë një kupolë politike të kontrolluar nga krimi dhe droga me një qeveri që kontrollohet nga ju qytetarët shqiptarë.

Kjo mund dhe duhet të vijë vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Ky ishte mesazhi më i qartë i pjesëmarrjes më madhështore në 27 vite. Mirënjohja ime e thellë edhe për ata qindra e mijëra shqiptarë që nuk na u bashkuan dot fizikisht, por ishin me ne me mendje dhe me shpirt. Mirënjohje të veçantë kam për aleatët e koalicionit tonë opozitar. Askush në historinë 27 vjeçare nuk ka qenë me më shumë fat se unë për besnikërinë e aleatëve. Mesazhi ynë është i qartë: shqiptarët folën, nuk ka dhe nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Nuk ka dhe nuk do ketë parlament të diktuar nga droga. Nuk ka dhe nuk do ketë kurrë më zgjedhje pa popullin, zgjedhje pa opozitën, zgjedhje moniste.

Republika e re e cila së shpejti do të zëvendësojë institucionalisht, ligjërisht dhe realisht të vjetrën që po bie kërkon tranzicionin e butë përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme të cilat mund të sigurohen përmes një qeverie teknike që ndahet nga krimi, që lufton drogën, që jep garanci përmes reformës zgjedhore, votimit dhe numërimit elektronik. Republika e Re e ka nisur rrugën e saj, nuk ka dhe nuk do të ketë asnjë hap mbrapa. Nëse Republika e Vjetër, e krimit, drogës dhe e vesit, nuk tërhiqet nga plani ogurzi, i papranueshëm për shumicën dërrmuese, për të bërë zgjedhje fasadë, për të zgjedhur parlament dhe qeveri me diktatin e krimit, për tu angazhuar në një proces farsë elektoral, monist, nëse nuk pranon përmes dialogut ti hapë rrugë zgjidhjes së butë me zgjedhje të lira, atëherë Republika e Re do të marrë në dorë me të gjitha format dhe mënyrat fatet e qytetarëve, ligjin e ri, kushtetutën e re, paqësisht do të përmbysë republikën e vjetër.

Me popullin nuk mund të luhet më. Krimi dhe droga duhet dhe do të çmontohen. Ose përmes një qeverie teknike dhe zgjedhjeve të lira ose përmes përballjes totale mes të Vjetrës që do ikë dhe të Resë që ka ardhur. Le ta dinë skeptikët, cinikët se ajo që nisëm dje nuk do të ndalet.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura