Basha në Vorë: Si do t’i nxisim bizneset të hapin vende pune për të rinjtë

May 1, 2016 | 10:42
SHPËRNDAJE

Kreu i PD-së, Lulzim Basha thotë se ka vendosur të sjellë një model të ri dhe standard të ri në politikën shqiptare.

Basha VloreE ka nisur me zgjedhjet “një anëtarë- një votë” për zgjedhjet e drejtuesve të partisë dhe Forumit Rinor, dhe do ta vazhdojë me përzgjedhjen e kandidatëve të rinj për deputet. 35% e kandidatëve do të jenë të rinj, por përveç kësaj risie e veçantë është dhe përzgjedhja e tyre. Modeli amerikan i përballjes është përzgjedhur nga lideri i opozitës për të përzgjedhur 49 të rinjtë që do të garojnë në zgjedhjet e ardhshme.

Në bashkëbisedimin më të rinjtë e Vorës zoti Basha tha se do të jenë pikërisht të rinjtë me votën e tyre që do të zgjedhin kandidatët përfaqesues të tyre.

“49 kandidatë nga 140 kandidatët e ardhshëm do të zgjidhen me votën e drejtpërdrejtë nga radhët e rinisë demokrate. Ju do të nxirrni dhe evidentoni përmes gjykimit  dhe votës tuaj, më të mirët ata që ju përfaqësojnë më së miri.

Do të rreshtoni ata me denjësi në listën e betejës tonë të ardhshme që do të jetë lista e vlerave përballë listës së antivlerave. Do të jetë lista e besimit përballë listës së dëshpërimit. Do të jetë lista e shpresës përballë listës së zhgënjimit dhe depresionit”, tha Basha.

Duke u ndalur te arsimi, zoti Basha tha se prioritet është dhënia e mundësise çdo të riu të arsimohet. Tarifat do të ulen, theksoi kreu i demokratëve përmes bashkëfinancimit direkt për çdo student nga buxheti. Masa e bashkëfinancimit do të përcaktohet nga dega dhe cilësia e universitetit.

Kjo  theksoi Basha do të nxisë konkurrencën mes universiteteve për cilësi, si dhe do orientojë të rinjtë të studiojnë në bazë të nevojave të tregut.

“Tarifat do të ulen, arsimi i lartë do të garantohet për të gjithë ata që e dëshirojnë dhe ne do të bashkëfinancojmë në mënyrë të ndershme dhe konkurruese të gjitha institucionet e arsimit të lartë publike dhe jopublike, me qëllim që djemtë dhe vajzat e shqiptarëve të kenë mundësi të realizojnë ëndrrën e tyre pa u bërë barrë shtesë për prindërit dhe xhepat e tyre të varfëruar e të goditur nga taksat e larta dhe nga paudhësitë e qeverisjes Rama-Meta”, vijoi ai.

 

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura