Basha në hierarkinë e ngjarjeve

Jul 5, 2016 | 9:54
SHPËRNDAJE

u2_agrongjekmarkajAGRON GJEKMARKAJ

Duket sikur “Reforma në Drejtësi” prej muajsh po zë kryet e vendit në hierarkinë e ngjarjeve! Natyrisht një Kryeministri dhe qeverie, të cilët nuk qeverisin, por aktrojnë, sulmojnë dhe përgënjeshtrojnë, rregullojnë punët e veta o tungjatjeta, një grupi njerëzish, të cilët ne i thërrasim ministra për forcë zakoni dhe menjëherë copëtojmë gjuhën nga marazi, konkurrues edhe me “Lizën në botën e çudirave”, me skandalet dhe akuzat që u ngjiten si zift mbi portretin politik i ka shkuar tepër për shtat zgjatja në kohë dhe përqendrimi i diskursit politik mbi diçka me shumë të panjohura siç është “reforma në drejtësi”.

Miti i saj iluziv mbi drejtësinë si “virtyt” dhe paqartësia që krijon u shërben përballë konkretësisë mizerabël të punëve të pabëra. Misteret e realizimit ose të dështimit të saj, turbullira e produktit dhe mbi gjithçka thjeshtëzimi i ligjërimit në “pro” dhe “kundra” që në nisje duke iu shmangur qëllimshëm substancës, pyetjes themelore çfarë reforme duhet të kemi,- pra një draft, miratimi i të cilit na çon drejt një sistemi drejtësie relativisht të pavarur apo të kapur janë “kryevepra” e Edi Ramës në disa muaj.

Cilido të jetë fati i kësaj reforme, Edi Rama në të dyja rastet atë e ka temë elektorale. Edhe në të tjera opinione kemi folur për historikun e kësaj “historie”! Falë këmbënguljes së Opozitës dhe Liderit të saj, Lulzim Basha, kemi një draft deri diku të pranueshëm. Zbatimi i rekomandimit 88 të Komisionit të Venecias është e vetmja mënyrë për ta mbajtur larg pjesërisht Ramën nga Sistemi i Drejtësisë, megjithëse ndonëse nuk thuhet, por edhe sikur të pranohej ky rekomandim, ndikimi i tij mbetet preokupues.

“Atit të Rilindjes”, “reforma në drejtësi” i është dashur si kryetemë për të anashkaluar begatinë e hashashit në vend dhe trafikimin e tij. Po kaq i është gjindur në ditë të keqe për të hedhur tutje tëhu vëmendjen mbi koncesionet qindra milionë euro të Beqes. Si shi në shkretëtirë ka rënë ajo për të njomur gurmazet e thara nga turpi me të zgjedhurit lokalë dhe dekriminalizimin e jetës parlamentare në përgjithësi.

Si “të virgjërës Mari” i është referuar Kryeministri asaj për të taposur gurgulenë e përgjimeve dhe shndërruar në të padukshme kullat e stadiumeve. Me gjasë si melhem do të përdoret ajo këto ditë për të gjitha plagët që shkakton pataksja dhe çmeritja se si bandat rrëmbejnë thasë me para, miliona euro, në zonën e sigurisë së lartë siç pretendohet të jetë aeroporti i Rinasit! Shyqyr që hajnat qëlluan të pange se do t’u fusnin edhe ndonjë dackë turinjve policëve të paktë aty të bezdisur nga shikimi i tyre i përunjur.

Nëse kjo “reforme” miratohet ashtu siç e do Rama, me ndonjë votë të trafikuar, pyetjes serioze që shtron shumëkush se çfarë do të ndodhë pasi Edi Rama të bëhet Mbret, do t’i përgjigjeshim si fillim vetëm me pjesën komike. Burrat do të detyrohen që poshtë kostumit të mbajnë jelek si Saimiri, Ditmiri etj., të cilët ndjekin shefin edhe në sqimë, ndërsa gratë duhet ta shohin me admirim si zonjat ministre me këqyrje nga poshtë lart në dy hapa distancë, teksa ai vëren me nursesllëk veprat e “Rilindjes”!

Për të gjithë ata që kërkojnë të kenë zë në hapësirën mediatike, model mund të jetë Erjon Veliaj, i cili, kur ka mundësi, intervistat i jep në shi me supe të lagura, por që në elekuencë, buzëqeshje dhe venerim ndaj “Timonierit të madh” i mballos të gjithë!

Personalisht për mua fjala Mbret është e bukur dhe e dashur jo vetëm për mbretërit e mëdhenj që krijuan aq të lakmuarin identitet evropian, por edhe prej Ahmet Zogut, shtetarit më brilant që ka nxjerrë kombi ynë! Por pyetja në këtë rast shtrohet sipas variantit të realizmit socialist që ka ngjitur kaq shumë në shoqërinë tonë të modelit të Mbretit Satrap e të gjithëpushtetshëm! Gjithashtu “reforma” edhe për opozitën rri në majë të hierarkisë së ngjarjeve.

Opozita nuk duhej ta kishte këtë luks. Vërtet Bashës fati i ka zënë pusi dy herë, e para është i shtrënguar të investojë kohë me shumicë mbi këtë temë dhe e dyta të navigojë mes keqkuptimesh shqiptare e ndërkombëtare! T’ia kujtojmë Bashës ç’pat thënë motit Virgjili “Fati ndihmon guximtarët”! Në këtë kontekst ai ka vetëm një detyrë. Të insistojë pranë ambasadorit amerikan Lu dhe përfaqësuesve të SHBA që autoriteti i tyre të bëhet garant për gjetjen e konsensusit, në mënyrë që Reforma të mos dështojë.

PD dhe kryetari i saj nuk duhet të krijojnë asnjë hije dyshimi për proamerikanizmin e tyre. Të gjithë tahmaqet e kritikës veshur me mantel liberali, modernisti, aksidentali, të cilët kanë zgjedhur që betejat t’i bëjnë me opozitën dhe jo qeverinë, një ditë në rrethana të tjera do mbajnë radhë për t’i shfaqur mirënjohjen duke i thënë; ah shpëtuam që erdhe ti… një Zot e di ç’kemi hequr! Natës së varrit do t’ia tregojmë. Ndoshta pushteti me nevojën jetike që ka për sahanlëpirës mund t’i pranojë me lehtësinë e një buzëqeshjeje.

Basha, nëse e ka ndarë mendjen për të qëndruar, s’ka arsye të humbasë më kohë! Atij përparësitë politike nuk duhet t’ia caktojë pushteti. “Reforma” nuk duhet të zbehë rëndësinë negative që kanë për shqiptarët kusaritë, korrupsioni dhe skandalet! Mbi të gjitha, më e rëndësishmja në këto kushte mbetet “oferta Basha”, ajo duhet të dominojë hierarkinë e ngjarjeve. Njerëzit me fjalë janë velur dhe në përgjithësi pas eksperiencës me “rilindjen” programet dhe premtimet pothuaj shihen si mezeja e gënjeshtrave.

Pa dyshim një program duhet me tre-katër përparësi dhe jo me një mijë siç është zakoni, sa më racional dhe sa më konkret afër të mundurës. Çudia dhe e pamundura nuk çudisin më askënd. Ajo çka shqiptarët presin me kërshëri është Ekipi Basha! Si ai do ta funksionalizojë trashëgiminë që ka PD me brezat e saj, si Lulzim Basha e Sali Berisha, Topalli e Tabaku, Patozi e Duma, Bode e Bregu, Imami e Bumçi, Pollo e Halimi, Noka e Ristani, Ruli e Mima e kështu me radhë…!

Sa prej atyre që kanë qeverisur gjatë mandatit 2005-2013 do të jenë pjesë e ekipit të ri? Mbi ç’kritere do ta bëjë ndarjen? A do të lejojë që të korruptuarit të shkëlqejnë me njollat dhe paratë e tyre në fushatën e vitit 2017? A do të funksionojë komisioni i pastërtisë, i cili i është ngarkuar Halim Kosovës? Sa nga të rinjtë që ka afruar vetë në PD do të promovojë dhe mbi ç’bazë? Sa prej atyre që për një arsye apo një tjetër aktualisht nuk militojnë në PD, por dikur pjesë e saj mund të thirren? Si do t’i qaset botës akademike dhe elitave?

Si do t’i bindë ata për të bashkëpunuar? A do të gjejë ai formulën për të rifreskuar imazhin e PD duke pasur si kriter disa parime? A ka ai një plan për trenin e aleancës që do formojë? Ndonëse duket paradoksale, por zakonisht shqiptarët zgjedhjet e lira i presin nga presioni i opozitës dhe jo nga vullneti i pushtetit. Në vitin 2015, Rama mori ku deshi e sa deshi. Si do ta pengojë opozita masakrën elektorale?

Këto janë temat të cilat opozita dhe shefi i saj e ka të domosdoshme për t’i shndërruar në objekt debati brenda Partisë së tij si forca kryesore e alternatives dhe në test për shoqërinë, e cila në qershorin e vitit 2017 duhet të gjejë arsye për të besuar dhe refuzuar! Tanimë Opozita duhet ta tejkalojë “kompleksin e reformës” dhe ka të gjitha kushtet për të kompleksuar Kryeministrin me ngjarjet e tij dhe me ngjarjet e veta!

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura