Basha nderohet në Deçan me medaljen “Shkëlzen Haradinaj”

Jun 13, 2013 | 11:36
SHPËRNDAJE

Basha nderohet në Deçan me medaljen “Shkëlzen Haradinaj”
Pas titullit “Qytetar Nderi i Prishtinës”, kryebashkiaku Lulzim Basha është nderuar edhe me medaljen e artë që mban emrin e heroit të Kosovës, Shkëlzen Haradinaj. Ky nderim i është bërë kreut të Bashkisë së Tiranës, pikërisht në Kullën e Haradinajve, në Gllogjan të Deçanit. Kryetari i komunës së Deçanit, Rasim Selmanaj, bashkë me Bacë Hilmi Haradinajn, nderuan kryebashkiakun Basha për kontributin e tij për Kosovën. “Ju falënderoj pa masë për këtë nder të veçantë. Ashtu siç e përmendi edhe z. ambasador, sakrifica e familjes Haradinaj përbën një shembull frymëzimi për çdo shqiptar, do të vazhdojë të përbëjë një shembull frymëzimi për çdo të ri. Ajo shtrihet në disa shtresa, sakrifica sublime e Shkëlzen dhe Luan Haradinaj, në rolin e jashtëzakonshëm që Ramushi ka luajtur në periudhën e pasluftës për konsolidimin dhe hedhjen e themeleve të pavarësisë dhe shtetit të Kosovës, në betejën vigane që ai bëri kundër paragjykimeve, padrejtësive që mundoheshin të vinin shenjën e barazimit midis kasapëve dhe xhelatëve të Ballkanit e luftëtarëve të lirisë”, tha Basha. Hilmi Haradinaj, babai i dy heronjve të Kosovës, Luanit e Shkëlzenit, që u vranë gjatë luftës për çlirimin e Kosovës dhe ish– kryeministri, njëherësh kryetar i AAK, Ramush Haradinaj, i ka shprehur zotit Basha mirënjohjen për kontributin e tij dhe të Kryeministrit Berisha për Kosovën. “Ju jam mirënjohës si familje për ndihmën që keni dhënë ju dhe Kryeministri Sali Berisha. Për ne, është një nder që as nuk guxon me u harru e as nuk guxon me u shu kurrë”, u shpreh Hilmi Haradinaj. Nga ana e tij, Basha theksoi se nderi dhe përulja me respekt është ndaj veprës së familjes Haradinaj. “Për qëndresën që ju përfaqësoni dhe punën e mirë, që jam i sigurt se Ramushi dhe gjithë djemtë e kësaj vatre do vazhdojnë të bëjnë për Kosovën”, tha Basha. Ai vendosi kurora me lule dhe është përkulur me nderim dhe respekt para sakrificës sublime të heronjve të Kosovës, që prehen në Varrezat e Dëshmorëve në Gllogjan. “Nder mbi nder është për mua të jem këtu, në gjirin tuaj, në mesin tuaj dhe të ndaj me ju krenarinë, siç ndaj me ju dhe me të gjithë shqiptarët të njëjtin gjak e të njëjtën histori! Ndajmë krenarinë për sakrificën sublime të Haradinajve, luftëtarëve, komandantëve të UÇK, këtu në Rrafshin e Dukagjinit, anembanë Kosovës, të cilët bënë të mundur që ne sot të festojmë”, tha Basha. Vizita e kryebashkiakut Basha në Kosovë nisi me homazhet pranë varrit të arkitektit të pavarësisë së Kosovës, siç e cilësoi z. Basha, presidentit Ibrahim Rugova. Homazhet u pasuan me një vizitë në familjen Rugova. Në 14-vjetorin e çlirimit të Prishtinës, zoti Basha zhvilloi homazhe në Varrezat e Dëshmorëve, si dhe te busti i dëshmorit të kombit, Zahir Pajaziti.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura