Basha merr titullin e nderit në Londër

May 27, 2013 | 5:10
SHPËRNDAJE
Momenti i dorëzimit të titullit nga konti Alderman Roger Gifford

Shqiptari i parë që nderohet me simbolin 700-vjeçar të kryeqytetit britanik.

Politikani më i ri që nderohet me një titull të tillë honorifik e mbi të gjitha qytetari i parë shqiptar që merr një vlerësim kaq të rëndësishëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Lulzim Basha, ka tërhequr dy ditë më parë në Londër titullin e nderit “Qytetar i Lirë i Londrës” (“Freedom of the City of London”). Në një ceremoni të veçantë të zhvilluar në Mansion House, rezidenca zyrtare e Lord Mayor dhe vendi ku zhvillohen disa nga ceremonitë më prestigjioze shtetërore e mbretërore, ky titull iu dorëzua kryebashkiakut nga Lord Mayor, Alderman Roger Gifford, i cili është Lordi i 685-të në detyrë. Ai i dorëzoi pllakën e njohur si “Liria e Londrës”, ku janë gdhendur mjeshtërisht “Rregullat e qytetit”, të cilat janë formuluar që në shekullin XVIII. Siç u theksua edhe gjatë ceremonisë, Lulzim Basha është qytetari i parë shqiptar që merr këtë titull honorifik kaq të rëndësishëm, me të cilin janë nderuar figura të shquara të jetës politike, diplomacisë, shoqërisë, kulturës botërore. “Mendoj se ceremonia ishte vërtet e shkëlqyer dhe tregon rëndësinë që ka për të dy vendet, interesat që të dy vendet ndajnë sa i përket biznesit, kulturës apo fushave e mundësive të tjera. Ndaj mendoj se jemi shumë krenarë të mirëpresim kryebashkiakun e Tiranës, pjesëtarin më të ri ‘Qytetar të Lirë të Londrës’ dhe duke shpresuar që ai të shijojë qëndrimin në Londër, pasi mendoj se ka punë të tjera dhe evente të tjera sociale që e presin, në emër të kryetarit të Bashkisë së Londrës ne jemi shumë të kënaqur ta mirëpresim atë në “Qytetar të Lirë të Londrës”, tha baronesha Borëick, nënkryetare e Bashkisë së Londrës. Të ftuar të tjerë vlerësuan dhënien e këtij titulli. “Është një fakt shumë i rëndësishëm, por më shumë është fakti se kryetari i Bashkisë, Basha, është shqiptari i parë që e merr çmimin e qytetarit të lirë të qytetit të Londrës. Unë mendoj se është nder si për kryetarin personalisht, ashtu edhe për qytetin e Tiranës, por edhe për Shqipërinë”, Jonathan Bailey OBE (Urdhri i Perandorisë, dhënë nga mbretëresha)
Dreka zyrtare
Ceremonia u ndoq nga një drekë zyrtare, ku morën pjesë përfaqësues të trupave diplomatikë të vendeve të Europës dhe më gjerë, të akredituar në Britaninë e Madhe, anëtarë të Dhomës së Lordëve, i deleguari për Britaninë i Urdhrit të Kostandinit,  Anthony Bailey, OBE dhe bashkëshortja e tij Sh. princesha Marie-Therese von Hohenberg e Austrisë, zv/kryetarja e Bashkisë së Londrës, Lady Borëick, anëtarë të Këshillit Bashkiak, si dhe figura të njohura të komunitetit shqiptar në Britani e miq britanikë të Shqipërisë nga bota e biznesit, financës, kulturës, fesë, politikës. Kryebashkiaku Basha e ka konsideruar marrjen e këtij titulli si një privilegj për të, por edhe për kryeqytetin shqiptar. “Së pari është një nder i madh, jo për mua si kryetar i Bashkisë, por për qytetin dhe Bashkinë e Tiranës dhe e konsideroj si një përgjegjësi të madhe, pasi vetë marrja e këtij titulli dëshmon për një shkallë të re të njohjes dhe vlerësimit për kryeqytetin tonë, për Tiranën, por edhe për Shqipërinë e shqiptarët”, tha Basha. Ai theksoi se qyteti i Londrës njihet jo vetëm si një ndër qytetet më të vjetra të Europës, por edhe si një ndër qytetet më të pasura e më të fuqishme prej qindra vitesh. “Vlerësime të tilla që rrjedhin nga një traditë kaq e lashtë natyrisht kanë një gjenezë, një fillim dhe gjeneza që çoi në marrjen e këtij titulli, është pa dyshim një vlerësim i madh që autoritetet e Korporatës së Qytetit të Londrës, autoritetet e Londrës dhe faktorë të rëndësishëm të botës së biznesit e kulturës kanë për Tiranën dhe Shqipërinë”, tha Basha.

Marrëdhëniet shqiptaro-britanike
Ky vlerësim për kryebashkiakun Lulzim Basha vjen në një kohë të rëndësishme për marrëdhëniet shqiptaro–britanike. Britania e Madhe ka qenë dhe mbetet një ndër mbështetësit tanë më kryesorë, mbështetje të cilën e ka demonstruar me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Ka mbështetur fuqimisht dhe është një faktor i rëndësishëm për stabilitetin dhe europianizimin e Ballkanit, siç ishte rasti i mbështetjes që iu dha për lirinë e pavarësinë e Kosovës apo normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës e Serbisë, nga baronesha Ashton, në cilësinë e saj si ministre e Jashtme e BE.

Titulli, histori 765-vjeçare
Dhënia e titullit të Lirisë së Londrës është një nga ceremonitë më të vjetra që i kanë mbijetuar historisë shekullore të këtij qyteti. Ky titull, i dhënë për herë të parë në vitin 1237, mbetet ende sot një simbol i gjallë i kryeqytetit britanik. Pas marrjes së titullit, kryebashkiaku Lulzim Basha ishte i ftuar nderi i darkës zyrtare të organizuar nga Lord Mayor of the City of London në pallatin historik “Guildhall”, ku iu urua zyrtarisht mirëseardhja si “Qytetar i Lirë i Londrës”.

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura