Basha mbron Fiqiri Ismailin: Nën presion të pushtetit të bandave

May 26, 2015 | 12:02
SHPËRNDAJE

Kreu i PD-së, Lulzim Basha zhvilloi takime elektorale ditën e sotme në Petrelë dhe Vorë. Ai hodhi akuza të forta për mazhorancën në Vorë, pas bllokimit që AKU i bëri sipërmarrjes së kandidatit të PD-së për Vorën, Fiqiri Ismailit.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha

“Aktivistët dhe kandidati i PD-së në Vorë është vënë nën presionin e hapur të pushtetit dhe bandave të lidhura me to. E njëjta gjë po ndodh në Malësi të Madhe, Shkodër, Vaun e Dejës, Durrës e shumë qytete të tjera”, tha Basha në Vorë. Ai theksoi se dyshen Rama-Meta e “ka kapur” dëshpërimi, duke sugjeruar se aksioni i AKU-t ishte me prapavijë politike.

Kryetari i PD-së theksoi se këto presione të dëshpëruara vetëm rrisin bashkimin e shqiptarëve për fitore, ndërsa garantoi se përgjegjësit do të marrin ndëshkimin ligjor.

Ndërsa në Petrelë, Basha tha se qeveria ka gënjyer në premtimet e saj për mbështetje dhe subvencione për bujqësinë.

“Dy vjet më parë, Edi Rama u premtoi subvencione, ulje të çmimit te naftës dhe subvencione por edhe pse qeveria po bën dy vjet në pushtet, banorët shprehen se nuk kanë parë ende asgjë”, tha Basha.

“Premtuan që do të hiqnin akcizën e naftës për bujqësinë, premtuan një fond prej 40 milionë dollarësh në vit për bujqësinë. A kanë parë gjë fermerët e Petrelës nga këto fonde? Sa prej jush kanë marrë subvencione në këto dy vite?”, vijoi kreu i PD-së më tej. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura