Basha kërkon dorëheqjen e Ilir Metës: Akuzohet për marrje ryshfeti

Sep 3, 2015 | 16:16
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha ka kërkuar dorëheqjen e kryetarit të Kuvendit Ilir Meta. Në një deklaratë për shtyp nga selia blu, Basha tha se “hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit në Shqipëri”, duke iu referuar një investigimi të publikuar më herët nga mediat se Meta sipas tij ka marrë ryshfet nga një person i arrestuar më parë për korrupsion.

Kreu i PD-së, Lulzim Basha
Kreu i PD-së, Lulzim Basha

Faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media. Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë rryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion.

Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ, sipas Agjensisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë.

Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro, dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën. Faktet janë publikuar. Dosja është e plotë. Çështja është shumë serioze. Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri“,- tha Basha.

Ai i bëri thirrje Metës të dalë para drejtësisë si qytetar i thjeshtë.

Partia Demokratike, dhe unë, kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit. Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë. Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë. Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim. Drejtësia do të vendoset me çdo mjet. Nëse Ilir Meta e ortaku i tij Edi Rama do tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar”, paralajmëroi kreu i opozitës.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura