Basha kërkoi falje, Patozi: Zahmet prano përgjegjësitë e tua të së tashmes, mos kërko …

Oct 10, 2017 | 17:35
SHPËRNDAJE

Në kuadër të 70 vjetorit të ekzekutimit të deputetëve opozitarë nga regjimi i Enver Hoxhës u mbajt sot seanca në Kuvend nga ku kreu i PD-së Lulzim Basha tha se ndihet i turpëruar që  sot është deputet në një Kuvend ku Gramoz Ruçi është drejtues i tij. Por pas kësaj kritiku më i madh i tij Astrit Patozi  ka shkruar në një postim në “facebook” se ndjesa e Lulzim Bashës është false.

22405575_1588805397846024_4111741062575153323_n

“Kush është më e rëndë, Lulzim, fakti që Partia Socialiste propozon dhe zgjedh Gramoz Ruçin për kryetar parlamenti, apo që, për shkakun tënd, Edi Rama e ka rrëmbyer i vetëm timonin e Shqipërisë dhe mund ta rrokullisë atë me lehtësi në greminë?”, shkruan Patozi.

“Por i sigurt të jesh, që sado të bësh sikur përgjërohesh sot për viktimat e krimeve të djeshme, nuk mund të shpëtosh dot asnjëherë nga përgjegjësia për dosjet e 18 majit”, shkruan Patozi.

Postimi i plotë:

NDJESA FALSE E LULZIM BASHËS

Lulzim, bën mirë që kërkon falje edhe për gabimet e Sali Berishës në të shkuarën. Por, bëj zahmet, e prano më parë ndonjë përgjegjësi tënden për të tashmen! Sepse është fare e lehtë ndjesa për tjetrin, Lulzim, edhe sikur të mos e kesh mirëkuptimin e tij.

Kush është më e rëndë, Lulzim, fakti që Partia Socialiste propozon dhe zgjedh Gramoz Ruçin për kryetar parlamenti, apo që, për shkakun tënd, Edi Rama e ka rrëmbyer i vetëm timonin e Shqipërisë dhe mund ta rrokullisë atë me lehtësi në greminë?

Debati për të shkuarën komuniste do të ketë vlerë edhe për ca kohë në këtë vend, por ai nuk na i zgjidh dot problemet e ditës. Ndaj mos u përpëlit kot, se nuk mallëngjen njeri, Lulzim, duke bërë sikur vajton sot për krimet e hershme të diktaturës.

Politikanët gjykohen për vendimet dhe bilancet e veta, Lulzim, jo për ato të të tjerëve. Qofshin këta edhe paraardhës apo pararendës të tyre. Me arritjet dhe gabimet e veta Sali Berisha i ka mbyllur llogaritë me trofetë dhe me faturat. Dhe nuk i kanë dalë keq. Po ti, Lulzim, e di si e ke bilancin?

Edhe, në u hapshin ndonjë ditë, dosjet e vjetra të diktaturës nuk i mbyllin dot ato të sotmet, Lulzim. Nuk të ndalon kush të kërkosh dekomunistizim të mëtejshëm, në çdo cep të jetës publike në Shqipëri. Nise po të duash me kontrollin e të shkuarës së çdo deputeti dhe zyrtari të lartë të Partisë Demokratike, që nga viti 2013, kur u bëre për herë të parë kryetar. Unë e kërkova një vit më parë, por nuk ma pranoi Ilir Meta.

Por i sigurt të jesh, që sado të bësh sikur përgjërohesh sot për viktimat e krimeve të djeshme, nuk mund të shpëtosh dot asnjëherë nga përgjegjësia për dosjet e 18 majit, 25 qershorit dhe të 22 korrikut…etj…etj.

Ato nuk mund të mbyllen kurrë, Lulzim, ndaj edhe ti je i pashpresë.

 

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura