Basha hap letrat: Këta janë 11 oligarkët e rinj të Shqipërisë

Apr 26, 2016 | 13:20
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ka nxjerrë sot të gjithë tenderat e marrë sipas tij nga njerëzit e afërt të Edi Ramës, të cilat kanë marrë 88 milion USD.

Basha_Rama

Sipas tij në dy vjet, në buxhetin e shtetit mungojnë 2.2 miliard euro.

“2.2 milion euro u janë vjedhur shqiptarëve në 2014 dhe 2015. Pjesa e luanit është nga abuzimi në dogana dhe tatime. Gjatë kësaj kohe rritën akcizën për naftën me 240 lekë për litër, për alkoolin, për cigaren. Megjithë këto tarifa dhe taksa të rritura, prapë se prapë kanë mbledhur më pak se plani, më pak se parashikimi dhe më pak se qeveria e mëparshme me taksa më të ulëta. 400 milion USD më pak vetëm vitin e kaluar. Afera CEZ spikat me volumin e saj si komponenti i dytë i abuzimit. 500 milion euro i mungojnë sot ekonomisë shqiptare, i mungojnë zhvillimit dhe energjetikës”, tha Basha.

Sipas tij “Pjesa e tretë, apo pjesa e luanit, është pjesa e Edit në fakt, pak e Olsit dhe e ndonjë tjetri, është pjesa e prokurorimeve publike. Në këto dy vjet qeveria vendosi dy rekorde: 1/3 e prokurorimeve publike kryhen drejtpërdrejtë. Nuk ka garë, nuk kërkon çmimin më të ulët. Po ku e merr këtë mall dhe këtë shërbim shteti i Edi Ramës? Në këtë nivel prokurimesh kemi një volum shpenzimesh luksi, të pakrahasuara me qeveritë europiane. Sot zyrtarisht këta që erdhën për një shpërndarjen më të barabartë sot drejtojnë një vend ku 4% e popullsisë zotërojnë 58% të depozitave, ndërkohë që kur ishin në opozitë thoshin se 5% e popullsisë zotëronte 50% të depozitave”.

Kompanitë e denoncuara nga Basha

Alko Impeks, kompani në pronësi të Arbër Abazit, nipit të Sadri Abazi me 30 tendera me vlerë totale prej 1.4 miliard lekësh që shkaktoi gënjeshtrën e Edi Ramës ku pretendoi në një emision televiziv se prona është në pronësi të investitorëve kosovarë. Është në pronësi të Arbër Abazit.

Atelier 4, e mirënjohur në këto 15 vite pronë e klientëve dhe miqve personalë të Ramës, Shkreli e Eftimi me 18 tendera dhe vlerë totale 267 milion lekë.

Clasic e Agron Papulit ka fituar 595 milion lekë tendera.

Eurocol e Sandër Carapulit, ndërtuesit të sarajeve të Surrelit, 12 tendera me vlerë 18 miliard lekë.

Euro Gjici Security, në pronësi të Safet Gjicit, kandidat për Bashkinë e Kamëz, 159 tendra me vlerë 7 miliardë e 180 milion lekë.

Fastek, kompania që përdoret nga Inteku i famshëm që u bë shkak për humbjen e mandatit të Ilir Beqes legjislaturën e kaluar, dhe tani përdoret si kompani guackë, shumë e vogël që fiton tendera por punimet i bën Inteku i Ilirit , 45 tendera me vlerë 752 milionë lekë.

Vetë Inteku 32 tendera me 1.5 miliardë lekë

Ndreu Security e Pjerin Ndreut në 3 vjet 37 tendera 916 milion lekë.

Market Distribution e Vilma Nushit 23 tendera 134 milion lekë.

Trimend në pronësi të Vilma Nushit 458 tendera 260 milion lekë.

Dhe Omega Farma mbi 70% të tenderave përmes negociimit pa shpallje, 58 tendera, 70% e tyre pa tendera si i themi, 830 milion lekë.

Në total 88 milion USD e shqiptarëve të marra nga këto 11 firma.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura