Basha flet me emra nga Elbasani: Banditët dhe kryepadrino po mbajnë peng qytetin

Jan 18, 2018 | 19:46
SHPËRNDAJE

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha tha në Elbasan se pasoja më tronditëse e aleancës së Edi Ramës me Krimin është emigrimi i më shumë së 100 mijë të rinjve gjatë qeverisjes së tij. Basha u shpreh se duke pasur prioritet pasurimin e krimit dhe disa klientëve, që i përdor për të mbajtur pushtetin, Edi Rama ka vrarë shpresën e rinisë për të ndërtuar të ardhmen në Shqipëri.

basha ne elbasan

“Në vetëm 4 vite janë dyfish prindër që kanë parë gëzimin e jetës së tyre t’u largohet, jo nga qejfi, jo dëshira, jo sepse kështu zgjedhin, por sepse këtu nuk kanë asnjë mundësi. Papunësia është ulur këmbëkryq. 50 biznese në ditë mbyllen, u mbyllën vitin e kaluar dhe vazhdon kjo mbyllje. Por po kështu në shërbimet shëndetësore të cilat janë në kolaps total, në arsim e kudo tjetër.”-tha Basha

Kreu i opozitës iu referua kryetarit të Bashkisë së Elbasanit, Qazim Sejdini si modeli i Aleancës së Edi Ramës me krimin, i cili ka fundosur shtetin ligjor në favor të bandave që sulmojnë policinë, siç ishte rasti i pak kohëve më parë në Elbasan.

“Ato pamje shokuese tregojnë në fakt se ku është shteti i Edi Ramës. Shteti i Edi Ramës nuk janë policët brenda këtyre makinave apo jashtë atyre makinave. Shteti i Edi Ramës janë banditët, është Suel Çela, është Sanxhaktari dhe banditët e tjerë që kanë marrë peng qytetin e Elbasanit përmes kryepadrinos, Qazim Sejdinit.”-u shpreh kreu i opozitës.

Lulzim Basha tha se aksioni opozitar që nis më 27 janar me protestën nuk bëhet për interes të ngushtë politik, por për t’i dhënë vendit një qeveri të dalë nga zgjedhje të lira e të ndershme, që punon dhe jep llogari para qytetarëve.

“Ajo që kërkojmë me 27 janar, nuk është për veten tonë, jo, nuk është për të bërë Lulzim Bashën kryeministër. Unë nuk dua të jem një kryeministër i ardhur nga protestë. Unë dua të jem një kryeministër i ardhur nga vota e qytetarëve shqiptarë, bazuar në programin tonë, në zgjidhjet tonë, në vizionin tonë, në vlerat tona”-tha Basha.

I bindur se në 27 janar shqiptarët do të flasin me praninë e tyre kundër Aleancës me krimin, Basha tha se mesazhi i qytetarëve për Edi Ramën do të jetë i qartë.

“Ora e aleancës tënde me krimin ka marrë fund! Ora e pushtetit tënd të paligjshëm ka marrë fund!  Mësoje nga Elbasani, me 27 janar do ta mësosh nga Tirana.”- u shpreh kryetari i Partisë Demokratike.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura