Basha: Do t’i kthejmë qytetarëve standardin e munguar urban

Jun 13, 2013 | 13:35
SHPËRNDAJE

Rruga “Llambi Ziçishti” gjatë përurimit
Përfundon ndërtimi i rrugës “Llambi Ziçishti” në kryeqytet. Investimi i Bashkisë së Tiranës kap vlerën e rreth 16.5 milionë lekëve. Në këtë rrugë nuk ishte hedhur kurrë asfalt, edhe pse e populluar prej shumë vitesh. Përgjatë këtij aksi është ndërtuar sistemi i ujësjellësit, kanalizimet e ujërave të bardha dhe të zeza. Po kështu janë vendosur 14 shtylla ndriçimi dhe gjelbërim. “Rruga ‘Llambi Ziçishti’ ka përfunduar dhe sot jam këtu bashkë me banorët, për të inspektuar këtë standard të ri që ju ofrohet nga Bashkia e Tiranës, që ju ofrohet si një shenjë e përkushtimit dhe e punës për qytetarët, si i vetmi ‘refren’ i Bashkisë së Tiranës”, tha dje kryebashkiaku Lulzim Basha gjatë përurimit të rrugës. Ai u komunikoi banorëve të Sharrës se përfundimi i kësaj rruge do të shërbejë si një provë e qartë për vendosmërinë për të kthyer jo vetëm sytë, por edhe standardin më të mirë të mundshëm të infrastrukturës anembanë kësaj lagjeje. “Dhe për këtë i garantoj se ne po përfundojmë projektet për të gjithë këtë zonë! Sikundër keni dëgjuar, Bashkisë së Tiranës do i vihen në dispozicion fondet e nevojshme, për kthimin e këtyre projekteve në realitet, ndaj uroj që kjo frymë bashkëpunimi dhe besimi të ndërsjellë të vazhdojë të prodhojë të mira për qytetarët e Sharrës, Kombinatit e gjithë Tiranës”, tha Basha.

RIKUALIFIKIMI URBAN
Dje nisën punimet për rikualifikimin urban të bllokut që kufizohet nga rrugët “Dritan Hoxha”, “Teodor Keko”, “Anesti Lubonja” dhe parku tek ish-Pista e Aviacionit, me sipërfaqe rreth 14.7 ha. I pranishëm ishte edhe kryebashkiaku Lulzim Basha. “Kam kënaqësinë e veçantë të ndodhem prapë sot këtu, në mes të këtij komuniteti qytetarësh të Tiranës, ndaj të cilëve kam një detyrim të dyfishtë, të parin si kryetar i Bashkisë, me çdo bashkëqytetar timin, por kam një detyrim më të hershëm si ishdeputet i zonës”, tha Basha. Ai theksoi se për këtë zonë është bërë ujësjellësi, janë bërë kanalizimet. “Por sot jemi kthyer për t’i dhënë kësaj zone parametrat e plotë urbanë që i meriton dhe që do shndërrojnë përgjithmonë cilësinë e jetesës së banorëve dhe vlerën e pronës së tyre”, tha Basha.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura