Basha deklaratë të fortë: Sejdini ka agjenci doganore që po hetohet për trafik droge

Nov 9, 2017 | 17:17
SHPËRNDAJE

“Edi Rama do të krijojë prokurorinë e tij private nën drejtimin e Fatmir Xhafës për të shantazhuar këdo që i bën pengesë kupolës së tij”.

Keshtu u shpreh sot kreu i PD Lulzim Basha ne Kuvend, i cili tha se “jo rastesisht Qazim Sejdini ka një agjenci doganore që po hetohet për trafik droge, jo rastesisht Vangjush Dako është kryebashkiak, biznesmen dhe kryekapobanda e Durresit”.

“Çdo gjë do të thellohet me Projektin 1 Miliardë, një projekt kriminal që do shkrijë në një, krimin, biznesin dhe politikën. Projekti 1 miliardë është rruga e konsolidimit të konsorciumit politiko-kriminal i cili ka për synim: të sundojë Shqipërinë për dekada.

Forma më e rrezikshme e krimit nuk është një grup kriminelësh me armë në dorë që grabisin me forcë apo transportojnë drogën, por kur bëhen bashkë krimineli, qeveritari dhe bankieri dhe bien në ujdi për të plaçkitur dhe kontrolluar një vend të tërë.

Kjo është faza ku ka hyrë krimi në Shqipëri.

Kanabizimi i vendit ka qenë një projekt i qëllimshëm anti-kombëtar i Edi Ramës. Në këtë projekt ai derdhi gjithë urrejtjen dhe mllefin që ka ndaj shqiptarëve.

Kriminelët me pushtet dhe droga ishte hakmarrja ndaj të gjithëve e një njeriu të dështuar, për të cilën ai fajëson këdo, familjen, shoqërinë, atdheun, por kurrë veten e tij.

Prandaj, të lesh fatet e vendit në duart e Edi Ramës do të thotë të lesh Shqipërinë në dorë të krimit dhe të shkatërrimit.

Edi Rama nuk duhet lejuar as të mashtrojë më popullin dhe as t’i shpëtojë më drejtësisë, siç po përpiqet të bëjë.

Edi Rama do që të krijojë prokurorinë e tij private. Nën drejtimin politik të Fatmir Xhafës, kjo do të ishte një mburojë për të dhe shpurën e tij dhe një mashë për të kërcënuar shantazhuar dhe persekutuar këdo që bëhet pengesë për të dhe kupolën e tij. Qe policët e ndershem të bëjnë punën e tyre, duhet që qeverisja të çlirohet nga politikanët që i shërbejnë krimit. Njerëz si Saimir Tahiri e kanë vendin në burg dhe jo në krye të Ministrisë së Brendshme. Këta njerëz duhet të kenë në duar prangat e drejtësisë dhe jo çelësat e pushtetit.

Cdo trajtim i problemit të krimit të organizuar në Shqipëri thjesht si problem teknik nuk e ndihmon Shqipërinë. Çdo strategji teknike për luftën kundër krimit do të jetë dështim i sigurt. Krimi në Shqipëri është problem politik dhe zgjidhja e tij mund të fillojë vetëm nga politika.

Largimi i krimit nga pushteti do të fillojë vetëm ditën kur EdI Rama të largohet nga zyra e kryeministrit. Nëse ikën ai, pas tij do ikin të gjithë me rradhë, të gjithë politikanët e lidhur me krimin dhe e gjithë shpura e tyre kriminale”.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura