PD mbledh firmat, kërkon mocion për shkarkimin e Ilir Metës. Basha: Të shkojë urgjent para drejtësisë, qytetarët nuk e njohin më

Mar 3, 2015 | 15:16
SHPËRNDAJE

Partia Demokratike kërkon zyrtarisht shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta.

Burime nga mbledhja me dyer të mbyllura e grupit parlametnar demokrat bëjnë të ditur për “Panorama Online” se argumentet për depozitimin e këtij mocioni janë dy: së pari të largohet nga drjetimi i Kuvendit derisa çështja të qartësohet nga drejtësia dhe së dyti të ndjekë precedentin e katër viteve më parë, kur pas videos së publikuar nga Dritan Prifti dha dorëheqjen derisa foli drejtësia. 

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha ashpërsoi sot gjuhën ndaj kryetarit të Kuvendit, Ilir Meta duke i kërkuar atij dorëheqjen e menjëhershme. Duke folur në mbledhjen e grupit parlamenar demorkat, pak orë pasi Meta këshilloi Bashën të mos e besojë Tom Doshin, lideri demokrat tha se kreu i Kuvendit duhet të dalë menjëherë para drejtësisë.

Basha me deputetet

“Kryetari i Kuvendit është nën akuzë për porositjen e vrasjes së dy deputetëve. Rama është në akuzë se ka dijeni. Nuk dihet ku është kufiri ndarës në këtë binom, kush është autori dhe kush është bashkëpunëtori, kush është porositësi dhe kush është dëshmitari”, tha Basha.

Sipas tij “tani që bomba ka shpërthyer dhe ujërat më të ndotura të kanaleve të mazhorancës po vërshojnë në sytë e të gjithëve, duke nxjerrë faqe botës llumin e krimit e të përlyerjes më të fëlliqur të dy kokave të pushtetit e gjithë klaneve të tyre, të dy aktorët kryesorë, Ilir Meta dhe Edi Rama po rreken të fshihen, po rreken të krijojnë alibi, të dalin të pastër nga kjo histori. Ilir Meta duhej sot të deklaronte vetëm një gjë. Dorëheqjen si kryetar i Kuvendit dhe dorëzimin para drejtësisë, deri në hetimin e plotë të ngjarjes. Sot Ilir Meta duhej të ishte para drejtësisë, duke iu nënshtruar procedurave të hetimit. Në vend që të trokiste në derën e Drejtësisë synon të bëjë mjegull”.

Lideri demokrat theksoi para deputetëve të grupit parlamentar se qytetarët nuk e njohin më nga sot Ilir Metën si kryetar të Kuvendit.

“Çdo i dëshpëruar kur gjendet para akuzave të përbindshme të kësaj natyre, që ka porositur dhe parapaguar vrasjen e dy deputetëve, do të fliste përçart e do të bënte gjeste të dëshpëruara, irracionale. Por kjo nuk ka për ta shpëtuar Ilir Metën. Ai duhet të japë dorëheqjen një orë e më parë, të vihet në dispozicion të Prokurorisë, aty ku e ka vendin nga dje në orën 2. Asnjë qytetar i vendit nuk e njeh më për kryetar Kuvendi, asnjë qytetar i vendit nuk mund të pranojë të ketë në krye të institucionit më të rëndësishëm kushtetues, një të akuzuar për dy vrasje. Koka tjetër e këtij binomi kriminal, Edi Rama, në vend se të shkojë në prokurori të paktën në cilësinë e dëshmitarit në krim, sepse edhe vetë e ka pranuar se është në dijeni prej 5 muajsh të kësaj skeme vrasëse, thërret Prokurorin në zyrë. Eshtë ai që duhej të shkonte në zyrën e Prokurorit, e të dëshmonte çfarë di për planifikimin e eleminimit fizik të dy deputetëve të Kuvendit të Shqipërisë” , theksoi Basha.

Basha ka theksuar me tej se PD dhe qytetaret nuk do ta lene vendin te vihet përfund nga një oligarki e organizuar kriminale. ‘Ata që kanë hesape janë një minorancë me pushtet e me klane të rrezikshme nga pas. Ata janë subjekt i drejtësisë dhe Prokurori i Përgjithshëm është sot para një përgjegjësie historike për t’i shërbyer vendit e Kushtetutës. Unë e inkurajoj, ne të gjithë e inkurajojmë për hetim të plotë e të thellë derisa të dalin përgjegjësit para ligjit”- tha ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura