Basha: Aplikim online për 805 vende të reja pune në Tiranë

May 2, 2013 | 8:50
SHPËRNDAJE
Gjatë takimit të djeshëm

Rreth 805 vende të reja pune për 15 profesione në Tiranë. Aplikimi do të bëhet nëpërmjet portalit të punësimit të lançuar dje nga Bashkia. Ai do të shërbejë si një urë lidhëse mes punëdhënësve dhe punëmarrësve të kryeqytetit. Portali është pjesë e uebit zyrtar të Bashkisë. Kryebashkiaku vendosi për inaugurimin pikërisht dje, më 1 Maj, në Ditën ndërkombëtare të punëtorëve.  “Sot, në ditën që ne inaugurojmë këtë faqe, 15 profesione kërkohen anembanë qytetit, dizenjues, dizenjues grafikë, drejtues, menaxherë, ekonomistë, elektricistë, fotografë, specialistë të IT, kuzhinierë, marketing, marrëdhënie me publikun, përkthyes, rrobaqepës, sekretar-recepsionist, shoferë dhe operatorë telefonikë”, tha Basha. Sipas tij, kjo ofertë fillestare në dispozicion të qytetarëve që kërkojnë punë në qytetin e Tiranës, vjen nga afro 9 kompani, të cilat kanë mundësuar që kërkesën që ata kanë për të punësuar, ta reklamojnë përmes këtij portali, falas dhe të hapur për këdo që dëshiron ta eksplorojë. “Edhe 6 kompani të tjera presim që të hedhin të dhënat e tyre në ditët në vijim, duke e çuar në 15 numrin total të kompanive, që aktualisht nëpërmjet këtij portali reklamojnë 805 vende pune, 805 mundësi për t’u punësuar për qytetarët e Tiranës, në veçanti për qytetarët e rinj të Tiranës”, u shpreh Basha.
Aplikimi në portal
Fillimisht çdo i interesuar do të hyjë në faqen zyrtare të portalit (portalipunësimit. tirana.gov.al). Me t’u futur, duhet të regjistrojë të dhënat e tij personale, adresën dhe njësisë që i përket, duke krijuar profilin e tij. Nëse plotëson kushtet sipas kërkesave të 9 kompanive që kanë hedhur ofertat e tyre, do të merret në punë. Pjesa më e madhe e vendeve të punës ofrohet nga kompani, të cilat punësojnë operatorë celularë. Kompania Info-Call do të ofrojë 300 vende të reja. “Info Call operon në Shqipëri që prej shtatorit të kaluar dhe aktualisht regjistron pranë të dyja selive të saj, këtu në Tiranë, rreth 550 punonjës. Kërkojmë dhe mirëpresim gjithashtu dhe 300 persona të tjerë, të cilët të dinë të njohin mirë gjuhën italiane, të kenë aftësi dhe të jenë të gatshëm për të punuar në grup dhe duke pasur gjithmonë mbështetjen e ndihmën tonë të vazhdueshme dhe maksimale, do të arrijnë një rritje profesionale dhe gjithashtu do të bëhen shitës të suksesshëm”, tha dje përfaqësuesja e kësaj kompanie, Ornela Bakiu. Në portalin e ri, qytetarët që kërkojnë punë mund të shikojnë çfarë ofrohet sot në tregun e punës në Tiranë. “Edhe kompanitë mund të shikojnë CV e qindra (shpresoj së shpejti mijëra) të rinjve, duke parë kështu se çfarë u ofron tregu i krahut të lirë të punës, se çfarë kapacitetesh kanë sot ata që kërkojnë punë, duke mundësuar kështu një shkëmbim shumë më eficient të informacionit”, tha kryebashkiaku Basha. Nikolin Jaka, kryetari i dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, tha se deri tani janë kryer rreth 1500 rekrutime në sipërmarrjen private”. Por ajo çfarë u lançua dhe u prezantua nga specialistët, është thjeshtësia dhe mënyra e kërkimit, po njëkohësisht edhe ofertat që bëjnë kompanitë private, por është një orientim i qartë i saktë dhe që u vjen në ndihmë me procedura të përshpejtuara për sipërmarrjen shqiptare”, tha Jaka.

Aplikimi në portal online
Pinguli&Jorganxhi SH.P.K
Burime njerëzore     6 vende pune
Birra Stela
Burime njerëzore     6 vende pune
Albacall sh.a
Operator telefonik     80 vende pune
Kompania ARTEG
Asistente shitje     3 oferta pune

Teleperformance
Operator telefonike     100 vende pune
Zambonini International sh.p.k
Punetor përpunim duralumini     1 vend pune

Contact
Operator telefonik     100 vende pune
Alba Contact SH.P.K
Operator telefonik     80 vende pune
InfoCall Sh.p.k
Operator telefonik     300 vende pune

ZIRINA LLAMBRO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura