Basha agjent rus, apo PS i bashkohet koreve kundër Trump

Mar 13, 2018 | 11:07
SHPËRNDAJE

fitim-zekthi.pixlr_-263x265FITIM ZEKTHI

Sa më e rëndë të jetë gjend ja e një subjekti politik  aq më e madhe është nevoja e tij për një armik. Armiku është shpëtimi i vetëm në raste të tilla dhe sulmet ndaj tij kthehen në aktivitetin bazë të subjektit. Në nëntor, në kohën kur çështja ndaj ish-ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri, i konsideruar ylli më i madh i qeverisë Rama në katër vite, i akuzuar për trafik ndërkombëtar droge, u bë përvëluese. Kryeministri Rama doli diku të takonte popullin i veshur si në paradat më ekstravagante të modës, në përpjekje të shmangte vëmendjen.

Sado që veshja me brekushe Yamamoto tërhoqi vëmendjen, ajo vdiq shpejt. Atëherë Kryeministri nisi sulmet ndaj opozitës se ajo kishte paguar një kompani lobimi në SHBA dhe nuk kishte deklaruar burimin e parave në KQZ. U bënë emisione televizive, u akuzua PD për pagesa të paligjshme, deputetë të ndryshëm të PS-së përdorën foltoren e Parlamentit për të kërkuar që PD para popullit të mbante përgjegjësi. Iu kërkua Prokurorisë të hetonte etj. Kur halli i PS-së u fashit disi, për shkak se “çështja Tahiri” u pengua, u shua edhe sulmi ndaj PD-së. Tani ka disa ditë që sulmi ndaj PD-së është rikthyer shumë më i fuqishëm. Halli është më përvëlues. Janë kapur 613 kg kokainë që vinte nga Kolumbia.

Vlera e saj është e tmerrshme. I kalon 100 milionë eurot, ndoshta dhe për më tepër, duket se kemi të bëjmë me një linjë të sofistikuar që nuk ka mundësi të mbahet gjallë pa lidhje thellë në qeveri. Akuzat e PS-së këtë herë thonë se PD-ja ka lobuar në SHBA nëpërmjet rusëve, është financuar nga rusët etj. Përdoret si burim i këtyre akuzave një artikull i një reviste amerikane “Mother Jones”. “Mother Jones” është një revistë, e cila qëndron në të majtën më të majtë të spektrit politik jo vetëm në SHBA. Që kur Presidenti Donald Trump ishte në fushatë për fitimin e nominimit brenda partisë, kjo revistë ka qenë një kundërshtare e egër e tij.

Pasi Trump fitoi zgjedhjet në SHBA, e majta, demokratët, liberalët, progresistët u shokuan, nuk e pranuan kurrë një fitore të tillë. Ata madje, shpërthyen në protesta, dogjën goma, thyen dyqane etj. Trump u akuzua për fashist, për nazist, për prorus etj. Mediat, organizata të ndryshme joqeveritare, think tank-e liberale, komuniste, të majta etj., kudo në botë, por sidomos në SHBA, nisën të flasin për rezistencë. Ato rimorën një term të vjetër të së majtës komuniste europiane, atë të rezistencës. Komunistët në Europë, në mënyrë djallëzore përdorën termin rezistencë ndaj fashizmit gjatë Luftës së Dytë Botërore, sepse donin të fshihnin bashkëpunimin që ata patën me fashizmin. (Janë të njohura urdhrat e Partisë Komuniste franceze kur u sulmua Franca nga Hitleri që të mos luftonte, pasi nazizmi po lufton borgjezinë. Janë të njohura edhe paktet mes komunistëve dhe fashistëve kudo në Europë deri në qershor 1941).

Narrativa e rezistencës antifashiste vijon të riprodhohet gjithnjë nga e majta sa herë asaj i kërcënohet pushteti politik, ekonomik dhe kulturor. Noah Rothman shkruante pak ditë më parë se ky identitet toksik është një obsesion i vjetër i së majtës që po shfaqet tani. “Mother Jones” është thjesht një ingranazh fare i vogël i kësaj makinerie antiTrump, e cila ka më shumë se një vit që e quan Trump-in njeri të zgjedhur nga rusët dhe fashist. Partia Socialiste shqiptare e ka marrë artikullin e kësaj gazete, i cili aludon se rusët janë pas lobimit të Partisë Demokratike duke e financuar atë madje. Pavarësisht akuzave nga e majta dhe pavarësisht hetimeve të thella në SHBA, nuk është gjetur asnjë lidhje e Presidentit Trump me rusët në fushatën e zgjedhjeve.

Por, Partia Socialiste, duke e ditur ndjeshmërinë e SHBA-së ndaj çështjes ruse, mendon se ka gjetur mjetin e duhur për të sulmuar PD-në me idenë se kjo gjë do të bëjë të harrohet çështja e kokainës dhe PD-ja do të vihet në vështirësi. Ligji amerikan i kontrollit të financimeve është më i thukëti ligj në botë. Është e pamundur që të hyjnë para në SHBA, të cilat të jenë para të interesave ruse, para që duan të dëmtojnë interesat amerikane me anë të lobingjeve. PS dhe Rama me kohë i janë bashkuar atij kori ndërkombëtar (kulturoro-ideologjik) zërash, që e quan Presidentin Trump fashist dhe të ndihmuar nga rusët.

Në këtë rast, ajo që ka shkruar revista “Mother Jones” nuk është vetëm në një linjë me qëndrimin e PS-së, por i shërben edhe hallit të tyre për të shmangur vëmendjen nga çështja e kokainës. Në qoftë se do të ishte shqetësimi te transparenca e financimit të partive, atëherë PS-ja dhe Rama nuk do të kishin qenë autorë të një lobimi sa të turpshëm aq edhe të paligjshëm, ku kryetari i PS-së, Rama, mori pjesë në një takim për mbledhje fondesh të Presidentit Obama i ftuar si “gruaja e Bilalit”. Pagesa e kryer atje u bë objekt i hetimit nga FBI-ja.

Gjithashtu, në qoftë se do të ishte shqetësimi te financimet jotransparente, PS-ja dhe Rama do të kishin pasur një përgjigje tjetër dhe një sjellje tjetër me mbjelljen e hashashit, me paratë e tij dhe me financimet që kryejnë këto para. Në qoftë se do të ishte shqetësimi te transparenca e financimit, PS-ja dhe Rama do të duhet të besonin te Departamenti i Thesarit në SHBA, i cili nuk mund të ligjërojë para që vijnë kundër ligjit. Në qoftë se do të kishte shqetësimin e ndikimit apo financimit rus kundër interesit amerikan, atëherë PS-ja dhe Rama do të duhet të dinin se atë më shumë se kushdo tjetër e heton vetë SHBA-ja, e mbron FBI-ja, Presidenti Trump dhe institucionet e tjera atje.

Sigurisht, Rusia, duke qenë një vend i madh, lufton për ndikim edhe në rajonin tonë. Ajo është në një lloj lufte të re të ftohtë me SHBA-në. Ajo ka ndikim në Serbi, përpiqet të ketë ndikim në Rumani, në Mal të Zi, në Maqedoni apo Bullgari. Është vënë re gjithashtu përpjekje për të qenë më e pranishme në Shqipëri me anë të ndonjë investimi minor, rritjen e lehtë të shkëmbimeve tregtare apo ardhjes së turistëve etj. Orientimi politik i joni është pa mëdyshje nga SHBA dhe BE-ja. Nuk ka subjekt që mund të bëjë një vetëvrasje të tillë që të shtyjë përpara axhendën ruse. Akuza që bën PS se PD apo Basha ka pranuar financime ruse është thjesht idiote.

Nuk ka mendje normale që të besojë se Lulzim Basha po pranon të bëhet njeriu I rusëve në Shqipëri, po pranon të punojë për interesa ruse kundër atyre amerikane apo europiane. Këtë mund ta thotë vetëm ndonjë deputet socialist, që nuk merr në konsideratë veten e tij kur flet. Në Partinë Socialiste, e cila është trashëgimtare e Partisë së Punës, ka nostalgji për Bashkimin Sovjetik, ka njerëz dhe funksionarë që e kujtojnë me emocion kohën e Bashkimit Sovjetik, por edhe ata nuk guxojnë të bëhen njerëz që vihen në përdorim të Rusisë.

Madje, as ndonjë ish- spiun i shërbimit të Bashkimit Sovjetik, që është sot në PS ose që ka familjarët e tij në PS, nuk e bën dot. Përderisa këta nuk e bëjnë dot, Lulzim Basha që nuk ka pasur ndonjë lidhje kurrë me BS-në nuk mund ta bëjë. Gjithë ky debat qesharak që ka ngritur PS-ja duhet të marrë fund. Nuk mund të kalojë qeverisja e vendit vetëm duke bërë propagandë dhe vetëm duke sulmuar armikun. Ka disa gjëra, për të cilat edhe shërbyesit më të mëdhenj në media të Ramës duhet të ndalen, të marrin frymë dhe të mendojnë se atij nuk mund t’i shërbehet verbazi edhe kur në Shqipëri hyjnë mbi 100 milionë kokainë.

Bëhet fjalë për një ndryshim paradigmatik të mënyrës së qeverisjes, bëhet fjalë për një pushtet të frikshëm si ai i trafikut ndërkombëtar të kokainës, nga i cili nuk del as qeveria vetë. Kjo nuk është një çështje e Ramës dhe e mbrojtjes së Ramës përballë Bashës. As një çështje e mbrojtjes së Bashës. Kjo është një çështje shumë e madhe që ka pasoja me vite, edhe pasi të ikë Rama.

*Pedagog i shkencave politike

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura