Barrierat e ëndrrës amerikane, 12-vjeçarja shqiptare që sfidoi 12 shtete në Itali

| 20:06
SHPËRNDAJE

Anila Dedaj

cCDiATVs

Kupat mbi pianon e saj, duken si të zëna ngushtë. Janë gati sa 2-fishi i moshës, por talenti i Ana Kodrës premton se do të ketë edhe shumë të tjera. Me peshën e dy këngëve si “My way” të Frank Sinatras dhe “Man’s World” nga James Brown e Luciano Pavarotti, artistja nga Tirana befasoi publikun  dhe jurinë e kompeticionit “Viva Italia” në Romë. Në një garë “të ashpër”, mes 12 shtetesh, e një larmishmëri moshe ajo sfidoi veten dhe konkurrentët, dhe tanimë mund ta thotë pa frikë se “ia doli mbanë”.

Shqipërinë e përfaqësoi denjësisht, duke i sjellë jo një, por dy çmime të para. Ana Kodra konfirmoi edhe njëherë se një vend i vogël si i yni, në kohë trazirash nxjerr talente që e rrëfejnë bukurinë e Shqipërisë përmes gjuhës së artit. Me propozimin nga kompozitori Ermanno Crocce (anëtar i jurisë së “Viva Italia”) për një këngë në italisht, e 12 ftesa për festivale ndërkombëtare, për Anën do të dëgjojmë sërish nga skenat ndërkombëtare.

Amerika, dhe mungesa e një vize talenti”

Vogëlushja nga Shqipëria me zërin e saj, nuk do të kishte kaluar pa u vënë re në “America’s got a talent”, nëse pengesë për pjesëmarrjen në këtë talentshow  nuk do të ishte bërë mungesa e njw VIZE TALENTI. Është po i njëjti “mur” që e ndan nga “Britain’s got talent” e të tjera gara muzikore. Ndonëse një dritë jeshile vjen nga agjencia qw merret me menaxhimin e talenteve, “Who’s that kid”, me të cilën Ana sapo ka firmosur një kontratë, artisja e re shpreson se rrugët për të rrëzuar këtë barrierë do të gjenden, e kështu Shqipërisë do t’i shtohet një artist më shumë, që do ta lidh me botën, përmes këngës.

Kush është Ana Kodra?

Dashurinë për muzikën e ka shfaqur që në moshën 3 vjeçare, kur me objekte të ndryshme përpiqej të krijonte tinguj. Ndonëse ende shumë e vogël, emri i saj ka kryesuar në shumë talentshow e festivale gjatë viteve të fundit. Ana Kodra studion për piano, dhe ende pa mbushur 10 vjeç ka treguar se mund t’ia dalë mbanë me këngë të mëdha, shqiptare e të huaja si ato të Vaçe Zelës, Edit Piaf, apo edhe të muzikës moderne. Kufijtë e interpretimit, tanimë i ka thyer, duke shkruar jo vetëm muzikë, por edhe poema. Ndonëse dëshira është që zëri i saj të dëgjohet dhe matanë Shqipërisë, rrënjët me tabanin e muzikës dhe poezisë shqipe kërkon t’i ruajë forta.

“Maratona” e çmimeve

Ishte vetëm 8 vjeç, kur në “Tu si que vales” u bë një nga personazhet më të spikatur të talentshowt dhe ia doli të mbërrinte në finale. Vetëm një vit më vonë, Ana Kodra do të fitonte çmimin e dytë në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër. Po në 2016-ën, ajo do të ishte ndër finalistet e “”Prishtina kids fest” në Kosovë, e mandej maratonën e ngjarjeve artistike për fëmijë do ta vijonte me “Gjeniun e vogël 7”.

Në 2017-ën do të kthehej edhe më e fortë artistikisht në Festivalin Mbarëkombëtar të Këngës për Fëmijë në Shkodër duke fituar dy çmimet e para “Për Zërin dhe Këngën më të mire”.  Ana Kodra do të kryesonte gjatë këtij viti edhe në Festivalin Ndërkombëtar “Tra la la” në Maqedoni, duke përfaqësuar denjësisht Shqipërinë edhe më tej në festivalin “Mollëkuqet” në Kosovë.

Tre vite më parë, ajo merr pjesë në Eurovizionin për Fëmijë me këngën “Mos ma prekni pemën”, të cilën e shoqëron edhe me videoklip, ku përcjell mesazhe sensibilizuese për ambientin.  Pas kësaj eksperience Ana Kodra do të bëhej edhe më e njohur për publikun me pjesëmarrjen në “Voice Kids Albania”, ku që në daljen e parë bëri për vete anëtarët e jurisë.
Në Shtator 2018, artistja merr pjesë në Junior Fest 2018 me këngën “Prindër Ju Lutem”. Po ashtu ajo ka qenë e ftuar në shumë spektakle televizive, duke bindur të madh e të vogël se “ka lindur për skenën”…

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

S'KA KOMENTE

Comments are closed.