Barcelona “plakushja” e Champions-it, katalanasit rrezikojnë të mbeten me 0 tituj

| 23:52
SHPËRNDAJE
 

Barcelona e ka fituar Champions-in e fundit në vitin 2015. Ngriti trofeun në Berlin kundër Juventusit. Skuadra e drejtuar në atë kohë nga Luis Enrike ishte spektakolare, ashtu si në sulm dhe në mbrojtje. E ardhmja ishte premtuese, sepse mosha mesatare e skuadrës ishte e ulët. Në ekipin aktual, 7 nga 11 lojtarët e asaj finaleje vazhdojnë të jenë të paprekshëm dhe të rëndësishëm në formacionin e Kike Setienit. Të gjithë janë me 5 vite më shumë.

barcelona

Ajo që ishte një nga skuadrat më të reja dhe më premtuese në Europë, tani janë ekipi më i vjetër i Ligës së Kampioneve. Janë një skuadër që kanë nevojë për një revolucion, të cilin drejtuesit nuk kanë ditur ta bëjnë në sezonet e fundit. Barcelona prezantohet në Lisbonë me moshën mesatare më të lartë nga 8 ekipet e kualifikuara në fazën finale. Mosha mesatare e skuadrës katalanase është afërsisht 30 vjeç, saktësisht (29.6 vjeç). Mosha mesatare e skuadrës që luajti në Berlin kundër Juventusit ishte 26.6 vjeç. Rivali i Barcelonës në fazën çerekfinale të Ligës së Kampioneve, Bajerni, është 2 vjeç më i ri.

Kjo është diçka që vihet re edhe në ndeshje. Askujt nuk i ka shpëtuar nga vëmendja që stërvitjet e Barcelonës nuk kanë qenë më të mirat në këtë sezon, por edhe ndeshjet kanë pasur ulje-ngritje. Presioni që bëjnë katalanasit te skuadra kundërshtare nuk është efektiv dhe kjo gjë ka shkaktuar shpeshherë probleme për katalanasit sepse i lënë terren dhe lojë rivalit.

NË RREZIK- Një nga arsyet pse Barcelona mund ta mbyllë sezonin pa trofe është edhe mosha mesatare e skuadrës. Ritmi i lojës nuk është më i njëjtë si disa vite më parë dhe problemi i drejtuesve qëndron në faktin se nuk kanë ditur të bëjnë merkato cilësore për të nxjerrë në “pension” peshat e rënda të skuadrës. Janë shpenzuar shumë miliona me Kutinjon dhe Dembelenë, por edhe me Artur Melon.

Ky i fundit u trumbetua si Iniesta i ri, por tani është shitur te Juventusi. Semedo, Lengle dhe De Jong janë të rinjtë që janë afruar, por ata nuk kanë pasur një rol të rëndësishëm gjatë këtyre sezoneve dhe nuk janë bërë kurrë protagonistë.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI – PANORAMASPORT.AL

 

 

Te lidhura



Subscribe

      
             

Për t’u bërë pjesë e grupit të "Panorama" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet.
KOMUNITETI PANORAMA ONLINE: https://facebook.com/groups/panoramaonline/

 

S'KA KOMENTE

Comments are closed.