Barça kthehet të luajë në “vendin e krimit”, Kuman: Harrojeni Champions-in, jemi larg të mëdhenjve

Sep 29, 2021 | 10:47
SHPËRNDAJE

Barcelona nuk duhet të mendojë shumë për Ligën e Kampioneve në këtë sezon. Kështu mendon trajneri i tyre, Ronald Kuman, i cili ka ulur me këmbë në tokë të gjithë tifozët “blaugrana” në lidhje me pritshmëritë në Champions.

Kuman

Deklarata e tij ka ardhur para ndeshjes kundër Benfikës në stadium “Da Luz”, aty ku afro një vit më parë turpërohej nga Bajerni i Mynihut me shifrat 2-8.

BENFIKA – “Nuk e di se çfarë plani ka trajneri i tyre, por çdo ekip meriton respektin e duhur. Natyrisht që ata luajnë në shtëpinë e tyre dhe kanë një avantazh të lehtë. Nuk mendoj se Benfika do të qëndrojë pasive, jam i bindur se dhe ata sikurse ne do të luajnë për fitore. E njoh mentalitetin portugez, duan të kontrollojnë lojën dhe të luajnë fort në mbrojtje”.

ANSU FATI – “E kam parë pak të lodhur dhe është normale sepse nuk ka luajtur për shumë muaj. Rikthimi me gol mund ta ndihmojë shumë. Nuk duhet të nxitohemi, por t’i japim kohën e nevojshme. Do të ketë minuta nën këmbë, por para ndeshjes nuk mund të them se sa minuta do të luajë”.

QASJA NDAJ NDESHJES – “Barça luan vetëm për të fituar. Duam të kemi kontrollin e ndeshjes. Mendoj se kemi lojtarët e duhur për t’iu përshtatur çdo kundërshtari dhe për ta dominuar atë. Te Barcelona nuk do të heqim kurrë dorë nga loja sulmuese”.

MARRËDHËNIA ME LAPORTËN – “Nuk e kam takuar presidentin, por do ta bëj shumë shpejt”.

FORMACIONI – “Më e rëndësishmja është ta planifikojmë ndeshjen për ta kontrolluar atë, por shpesh varet edhe nga kundërshtari, nëse ta lejon një gjë të tillë. Por, nga ana tjetër, duhet të bëjmë kujdes me lojtarët, sepse kalendari është tepër i ngjeshur. Të luash 5 takime në 12 ditë është vërtet shumë për çdo lojtar”.

CHAMPIONS-i – “Liga e Kampioneve është një terren shumë i vështirë për çdo ekip. Unë mendoj se ne duhet të tregohemi realistë dhe të qëndrojmë me këmbë në tokë.

Nuk dua të tregohem pesimist, por gjërat duhet t’i shohim siç janë. Sot për sot me ndryshimet që kemi bërë në përbërje dhe me të gjitha problematikat e tjera është shumë e vështirë për ne që të konkurrojmë me gjigantët e tjerë të Europës. Jemi ende prapa, na duhet shumë punë”.

KUALIFIKIMI – “Nuk mendoj se kualifikimi për më tej do të vendoset nga ndeshja në Lisbonë. Takimi i dytë në grup është i rëndësishëm si çdo ndeshje tjetër, por kurrsesi vendimtar. Mos harroni se kemi dhe katër përballje të tjera pas kësaj”.

Përgatiti: LEDJO SERFERKOLLI- PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura