UPDATE/ Pas mbylljes në barazim 0-0 të ndeshjes mes Danimarkës dhe Shqipërisë, kanë ardhur edhe reagimet e para.
Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit Armando Duka në përfundim të ndeshjes vlerësoi lojën e ekipit Kombëtar të futbollit për barazimin e vështirë që arriti në Kopenhagën, duke marrë një pikë shumë të vlefshme për “Euro 2016”.
“Morëm një pikë ndaj një kundërshtari shumë të fortë që na jep një siguri në të ardhmen. Nëse do të kishim shënuar me Roshin do ishim më të kënaqur. Unë besoj se duke luajtur në fushën e kundërshtarëve, duke fituar me Portugalinë, duke barazuar me Danimarkën, është një argument bindës për të shkuar në finale. Pa tjetër që duhet të festojmë sot dhe do të festojmë sot, por do shohim për ndeshjen e ardhshme”,-deklaroi kreu i FSHF-së.
Në një prononcim pas ndeshjes Duka tha se shpresonte që Armenia të fitojë kundër Danimarkës në ndeshjen e ardhshme, ndërsa nënvizoi se lojtarët e Kombëtares duhet të përgatiten për përballjen me Portugalinë pas tri ditësh. “Uroj që kjo ndeshje e sotme të ketë qenë një ndeshje e mirë edhe teknikisht… Të them të drejtën akoma nuk më janë kthyer në normalitet rrahjet e zemrës sepse edhe mund të kishim pësuar një gol, ashtu siç mund ta kishim shënuar atë me anë të Roshit. Nëse do ta ruajmë të pastër kolonën e humbjeve, atëherë jemi të sigurt drejt “Euro 2016”. Të përgatitemi nga sot në mesnatë për Portugalinë. Të përgatitemi nga sot në mesnatë për Portugalinë.”,-tha Duka.
Lorik Cana: Rëndësi ka që nuk humbëm
Pas mbylljes së ndeshjes me Danimarkën, kapiteni i ekipit Kombëtar Lorik Cana tha se e rëndësishme është që ekipi mos të shënojë humbje gjatë rrugëtimit të tij. Në një prononcim për “Tvsh”, Cana foli për përgatitjen e radhës ndaj Portugalisë të hënën e ardhshme.
“Kemi pasur një sërë rezultatesh pozitive, por e dinimë që kjo ndeshje do të ishte mjaft e vështirë për ne. Sot kemi hasur vështirësi në lojën tonë pasi Danimarka e kërkoi me ngulm fitoren por për fat ia arritëm t’ia dalim duke marrë një barazim më vlera. Megjithatë, nuk do ndalemi këtu por do të vazhdojmë ëndrrën tonë të madhe që tashmë jemi akoma edhe më pranë. Pjesën e parë luajtëm mirë, por vuajtëm në pjesën e dytë. Mendoj se mund të luajmë më mirë në ndeshjet e ardhshme. Rëndësi ka që nuk humbëm dhe tashmë duhet të përqendrohemi te ndeshja me Portugalinë”, deklaroi Cana Pas ndeshjes për TVSH.
De Biazi: Dy barazime ndaj Danimarkës do të thonë shumë
Trajneri i Kombëtares De Biazi vlerësoi performancën e skuadrës ndaj Danimarkës, duke vënë theksin tek dy pikët që janë marrë ndaj Danimarkës në dy barazime të arritura.
“Ishte një pikë me vlerë dhe aq më tepër përballë një ekipi rival që sot e kërkoi fitoren me ngulm. Ne menduam më shumë për t’u mbrojtur dhe për fat të keq nuk ka funksionuar kundërsulmi.
Ne kishim një mundësi të mirë për ta mbyllur ndeshjen me rastin e Roshit në fund, por nuk e arritëm. Megjithatë, rëndësi ka kjo pikë që na vlen shumë. Dy barazime ndaj Danimarkës do të thonë shumë për ne dhe na japim më shumë besim.
Ekipi luajti mirë, sidomos reparti i prapavijës ku arriti me sukses të largonte me sukses çdo rrezik. Tashmë na pret një ndeshje akoma më e vështirë si ajo ndaj Danimarkës, dhe duhet të jemi shumë herë më lart se sot.
Kemi pak kohë në dispozicion, por do mundohemi të japim më të mirën. Është shpejt për të folur për rinovimin, pasi vëmendja jonë është te rezultatet dhe te objektivi i madh që kemi. Shpresoj të ecim kështu dhe gjithçka të shkojë mirë”, deklaroi De Biazi për TVSH.
Etrit Berisha: Patën vështirësi, por jam i kënaqur me rezultatin
Portieri i Kombëtares Etrit Berish tha se një pikë ndaj Danimarkës krijon shumë mundësi për një kualifikim të mundshëm në “Euro 2016”. Berisha tha se ekipi duhet të përqendrohet tashmë tek përballja me Portugalinë. Sipas tij, përgatitja fizike e danezëve dhe shtatlartësia e tyre vuri disa herë në rrezik portën e tij.
“Bëmë një lojë jashtëzakonisht të mirë duke marrë parasysh që skuadra danezë ishte në fortë të mirë, më të gjatë se ne dhe na vunë në pozita të vështira nga këndi apo në pozita të tjera pozicionale. Patëm vështirësi, mirëpo në fund renditet rezultati dhe jam i kënaqur për këtë.
Nuk ishte ndeshja jonë më e mira. Në pjesë e parë kemi mundur të luajmë më shumë në mesfushë dhe në pjesën e dytë kemi qenë pak më të mbyllur. Kjo edhe nga fiziku apo ngarkesa e lojës, mirëpo në fund të fundit e mira është që morëm një pikë dhe në ndeshjen tjetër kemi edhe disa gjëra të tjera për t’u përmirësuar”,-deklaroi Berisha.
NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al