Banorët Vip të “21-shit”/ Lagjja e ndërtuar nga të burgosurit, që u pagëzua me datëlindjen e Stalinit

Feb 19, 2018 | 16:16
SHPËRNDAJE

NGA UVIL ZAJMI

Duket sikur të gjitha rrugët kalojnë nga 21-shi. Jo vetëm për tironsit, por edhe për të gjithë të ardhurit, kryesisht nga Jugu, 21-shi është një tjetër pikë takimi, përpos monumentit të Skënderbeut. Të gjithë e marrin për të mirëqenë, por përveç banorëve apo ish-banorëve të zonës, të paktë janë ata që e dinë historinë e saj, si u ndërtua, kur, pse mori emrin “21 Dhjetori”, cilat qenë ndërtesat e para…

Për të shuar kureshtjen e atyre që nuk e dinë, por edhe për nostalgjikët, po kthehemi pas në kohë, jo vetëm te historiku i kësaj zone të ndërtuar nga ish-të burgosur politikë, por edhe për të kujtuar ish-banorët e saj, figura të njohura apo jo, ndërmarrjet që mbushën zonën, dyqane e berberhane, shitës, policë, etj.. Janë vitet ’60 dhe Tirana është përfshirë nga një fazë ndërtimesh, pasi nevoja për strehim është e madhe.

Në planin rregullues të saj u projektua të fillonin ndërtimet në një pjesë të lirë, në perëndim, rreth 300 metra larg nga qendra e kryeqytetit, përgjatë rrugës “Konferenca e Pezës”, e vetmja që të çon në Kombinat, për te Varrezat e Sharrës, Ura e Beshirit, Ndroq, Pezë, pastaj te Plepat. Përpara ndërtimit, në atë zonë gjallonin vetëm pijetorja e Rrem Vrapit, ish-fushë për dru, Mulliri i Mënikve, Peshorja dhe në të djathtë, Fusha e Aviacionit.

Pamje e plote e 21-shit
PAMJE E PLOTE E 21-SHIT

EMRI PËR NDER TË STALINIT

Blloku i 21 Dhjetorit ka qenë një qytezë brenda një qyteti, një metropol i vogël, një qendër multifunksionale ku bashkëjetonin të gjitha shtresat e popullsisë. Me një kryqëzim gjigant, simbol i zonës, u quajt 21 Dhjetori, emër i përzgjedhur gjatë periudhës komuniste. Ishin vitet e dashurisë shqiptaro-sovjetike. Data 21 dhjetor është ajo e lindjes së Stalinit. Në harkun e dy viteve, punimet përfunduan, pasi punohej pa ndërprerje dhe si krah pune u shfrytëzuan të burgosur, por edhe mjeshtrit e ndërtimit nga Golloborda, të sistemuar te Godina e Beqarëve, i pari majtas.

Në një kohë u ngritën tri ndërtesat e vendosura dy nga e djathta dhe një nga e majta, përgjatë rrugës, që hapej në gjerësi, madje dy të fundit të projektuara në formë L-je e Z-je. Pastaj dy ndërtesat-kullë, sapo kaloje kryqëzimin për të vijuar me pallatet simetrike nga dy krahët e rrugës drejt perëndimit, por edhe nga jugu me të njëjtën strukturë katër e pesëkatëshe, me dy e tre dhoma e një kuzhinë. Pallatet ishin pa ballkone në katin e parë dhe me bodrume, por vetëm për të mbajtur dru e qymyr. Ndriçimi i rrugës bëhej nga shtylla të baraslarguara, me llamba neoni të gjata.

Pastaj dyqanet: Nga Berberi, Permanenti, Posta, Arka e Kursimit, Gjellëtorja, Pastiçeria, Vetëshërbimi, Mapo, Ambulanca, Klinika dentare, stacionet e autobusëve e bashkë me to njerëzit nga më të njohurit e popullorë të botës së artit, kulturës, profesorë, arkeologë, shkrimtarë, sportistë, të profesioneve të ndryshme që kanë jetuar aty. Midis tyre dhe sopranoja e madhe Marie Kraja, skulptori Janaq Paço, etj.. Por kanë jetuar edhe shumë të huaj, hungarezë, malazezë, etj..

NDËRMARRJET E FAMSHME TË 21- SHIT

Stabilimenti “Mihal Duri” ishte i pari kur vije për te 21-shi. Mbrapa pallatit të Ambulancës Nr.9 gjendej Instituti i Gjeologjisë, me inxhinierët e saj të paharruar nga drejtori S. Guranjaku, tek R. Avxhiu. Ajo zonë mori famë pasi aty ka qenë edhe Ndërmarrja e Ndërtimit “21 Dhjetori”, më e madhja jo vetëm në Tiranë, e vendosur në majtë pas dy pallateve. Punohej në disa kantiere dhe me turne.

Nexho Konomi mbetet drejtori legjendar i saj. Në fillim të unazës në të djathtë ishte Libër Filmi, Shtëpia Botuese, Shtypshkronja “8 Nëntori”, ajo “Kotbus”, Inst. Stu. Pedagogjike, ku kanë punuar P. Bejtja, L. Hajdaraga, Instituti i Gjuhësisë me A. Kostallarin drejtor. Përballë tyre ISPM me drejtor Llazar Xhajankën. Duke kaluar kryqëzimin, drejt Kombinatit vinin Uzina “Enver”, Punëtoria Ushtarake (ku punonin vetëm gra), NSHRA-ku, Parku i Mallrave dhe ai i Autobusëve, të gjithë pranë njëri-tjetrit si dhe ndërmarrja ku skulpturat derdheshin në bronz. Te ura, te Shkolla Teknologjike poshtë së cilës kalonte Lana, aty mbaronte 21-shi, me kufirin perëndimor të tij.

Këndi i famshëm i 21-shit dhe autobusët urbanë
Këndi i famshëm i 21-shit dhe autobusët urbanë

SHESHI, ME “LART FRYMËN REVOLUCIONARE”

Segmenti i parë lidhës rrugor i asfaltuar, ishte ai ndërmjet 21-shit dhe Zogut të Zi, realizuar në mesvitet ’60-70. Në krahun verior të sheshit, për shumë vite ka qenë Tabela e Emulacionit, ku shkruhej “Lart frymën revolucionare” e ku vendoseshin njoftime, foto me punëtorë të dalluar, por edhe fletërrufe. Gjithnjë binte pre e vjedhjeve, pasi të rinjtë që kalonin kohën të ulur aty, i vidhnin peciklasin gjatë natës. Integruar në shesh ishin banjat publike, pranë Rajonit të Policisë sot, me Ramizin, Mexhitin dhe Xhemilen që kujdeseshin për to, ku natyrisht çdo shërbim ishte pa pagesë, ose me një dyqind lekësh. Në qendër të sheshit, në një rreth të bardhë qëndronte polici i trafikut.

Banorët e zonës kujtojnë Nasin e Bidon, që qëndruan aty deri kur u vendosën semaforët, në vitet ’80, nga specialisti policor Përparim Elezi. Ajo që mbetet në kujtesë për banorët është tribuna prej dërrase, mbrapa pallatit kullë të postës, ku jepeshin shfaqje artistike për fëmijë, si “Pinoku”, etj.. Njihej nën zë si “Tribuna e Kodoshit”, emër i shkruar me bojë nga një i ri ekstravagant i lagjes dhe ashtu mbeti deri kur u prish rreth viteve ’70, pasi pleqtë filluan ta përdornin për të luajtur domino.

STACIONET E AUTOBUSËVE, SHOFERËT E FATORINOT HISTORIKË

“Te 21-shiiiii, kush ka me zbrit… Jemi te 21- shi, afrohuni te dera”, bërtiste Noci, fatorino legjendar, kur autobusi ndalonte në stacion. 21-shi, ishte stacioni i dytë pas Stabilimentit, kur shkoje për në Kombinat, e përballë tij në drejtim të kundërt, ai për nga Banka. Si gjatë periudhës kur autobusët ishin vetëm Bankë- Kombinat, por edhe me bashkimin e linjës Kombinat-Kinostudio, lëvizja nga 21-shi ishte intensive, me nxënës e studentë që nxitonin për në shkollë dhe punonjës, një pjesë e madhe e banorëve të zonës që punonin kryesisht në KU “Ali Kelmendi”, të Drurit “Misto Mame”, KT “Stalin”, me një fluks tejet të madh, kryesisht në orët mëngjesit.

Shoferët e autobusëve, Sejfullai i “Vibertit”, të “Skodave” me rimorkio, apo “Ikarus-save” hungarez ishin mjaft popullorë. Me funksionimin e Unazës së Madhe, 21- shi u bë nyja që bashkonte Tiranën veri-juglindje-perëndim me një qarkullim rrugor nga të dyja krahët. U krijuan edhe dy stacione të tjera: Te shkolla “Sabaudin Gabrani” dhe tjetri përballë saj. Shpesh herë nga dyndja, autobusët që ishin të pakët në numër, të tejmbushur nuk qëndronin te stacioni, por vazhdonin disa dhjetëra metra më tutje dhe njerëz që i ndiqnin me vrap për të hipur kur ato ndalonin.

Sheshi me qendrën dhe Tabela e Emulacionit
Sheshi me qendrën dhe
Tabela e Emulacionit

SHKOLLAT DHE MËSUESET E PAHARRUARA

Dy kanë qenë shkollat që janë të lidhur me historinë e 21 Dhjetorit, të vetmet në ato zonë për kohën. Tetëvjeçaret “Naim Frashëri”, e spostuar rreth 150 metra në perëndim dhe “Sabaudin Gabrani”, thuajse në kryqëzim, nga jugu, i ndërtuar rreth vitit 1965. Kishte një preferencë në frekuentim: Pjesa veriore dhe ajo perëndimore nga e djathta e rrugës vërshonin drejt “Naimit”, (ku është edhe sot pranë ishklubit Partizanit), ndërsa pjesa e krahut tjetër te “Sabaudini”.

Kujtohen mësueset, si zysh Dizi në biologji, ato të rusishtes heroina V. Druga, N. Pustina, A. Hadëri, Zh. Afezolli, A.Cetka, M. Hoxha dhe pas tij M. Bejleri drejtorët mitikë të “Naim Frashërit”. Po kështu Kimete Bozhigradi, drejtoresha e paharruar e “Sabaudin Gabranit”, apo Dallandyshja, Semihaja, Zana, Nevrezi, Bedihaja, Saveta, Violeta, Irini, Evanthia, S. Poga, H. Qosja i gjeografisë, Ll. Konomi e fizkulturës, etj., kanë qenë nga mësuesit historikë të këtyre dy shkollave. Pranë tyre, madje një mur i ndante, ishin çerdhja e kopshti. Ndërsa pas Tabelës së Emulacionit u ndërtua Shkolla e Mesme e Kulturës bashkë me konviktin, pastaj u transferua në Degën Elektrike të Politeknikumit. Por edhe ILKF “Vojo Kushi”, ajo Teknologjike pjesë e 21- shit kanë qenë.

AMBULANCA& KLINIKA DENTARE MULTIFUNKSIONALE

Ka qenë e vendosur në katin e parë të ndërtesës së parë majtas, pasi në katin e dytë ishte klinika dentare dhe në të tretin banonin familje, nga të persekutuarat deri te beqarët, apo pensionistët. Si Ambulanca e Lagjes 9, por edhe reparti dentistëve ishte e rrethuar me një nam të madh dhe të dyja bashkë kanë qenë tejet të frekuentuara jo vetëm për banorët e zonës, por edhe të Tiranës. Si një pikë shëndetësore e rëndësishme kanë punuar aty mjekja patologe me origjinë bullgare, Dr. Cikuli, ajo spanjolle dr. Xhozefina, dr.Flutura, infermieret Roza, Peri, Ermioni.

Koço Leka doktori që përdorte motor, dr.Nasi Bozheku, Rik Pavllo kirurg i njohur, Zenepja infermierja e injeksioneve me zërin e trashë karakteristik, dr. Abdulla Beci, njëri nga drejtorët e saj. Ndërsa në klinikën dentare kujtohen dentistet që nga Aneta, nëna e Kryeministrit aktual Edi Rama, Melita, Shqipja, Marta e diplomuar në Sofje, Tasha, laborantja që fatkeqësisht nuk jeton si dhe N. Gjebrea, i ndarë nga jeta kohët e fundit.

Marie Kraja
Marie Kraja

DYQANET BASHKË ME SHITËSIT

Kanë qenë disa dyqane të rëndësishme, ku të gjithë 21-shat bënin pazarin. Ngjitur me Pallatin e Kuq (përballë Muzeut) ishte furra e pjekjes e njohur me Xhevon, me trekëndëshat e aluminit mbi tava, dyqani “Fruta-Perime” me Donikën e Mitro Krasensin, bashkë me to Dyqani i Bukës me Lenën dhe Bulmeti me Ketin shitëse. Por, kryesori ishte blloku i dyqaneve poshtë atij pallatit në formë Z-je.

Në vijë të drejtë ishin buka, bulmeti, ai ushqimor dhe mishi (gjiza e ullinjtë shiteshin nga një derë mbrapa pallatit). Shitëset e bukës, Paqo, Eftalia, Stana, mamaja e Bogdan Zogoviç, (ish-mjek në urgjencën e Tiranës, aktualisht jeton në Podgoricë), apo Noc Krasniqi i Ushqimores dhe Bardha e Ninja të bukës. Pastaj vijonte një kinkaleri ngjitur me tunelin dhe pranë saj Xhiku, lustraxhiu që me dhjetë lekë të shkëlqente këpucët… I vetmi jashtë këtij kompleksi ishte “Fruta-Perime”, me shitës Nderimin.

Përballë diagonal (sot Banka) ishte “Fruta-Perime”, ku shërbenin Gëzimi, pastaj bashkëshortët Fatimja me Fejzon. Pranë ishte Arka e Kursimit ku paguheshin faturat e elektrikut, ujit e qiraja. Ngjitur, në katin e parë të kullës, me pamje nga jugu ishte Posta me Omer Lamin përgjegjësin, bashkë me gruan Bibika, Faro Kapolin dhe Ylvijën. Në atë zonë mungonte një dyqan vajguri dhe një farmaci. Pa vajtur te 21-shi ishin Kisha Katolike, ajo Ortodokse, të cilat kanë shërbyer si të vetmet kulte fetare, deri më 1967, kur feja u ndalua.

“VETËSHËRBIMI”, I PARI EKSPERIMENTAL NË TIRANË

Ka qenë hera e parë që është praktikuar një sistem shërbimi, si në marketet e sotshme në Shqipëri, Gastranomi te 21 Dhjetori, (kështu njiheshin qendrat me grupime dyqanesh). Pikërisht, aty ku ishin më parë bulmeti, ai ushqimor dhe i mishit u hap Vetëshërbimi që si e kishte emrin ashtu edhe veprohej: Të sistemuara në rafte, klienti merrte sendet ushqimore dhe i vendoste në një shportë, paguante te arka para daljes dhe largohej. Rita e bukur, Flora, Pina një grua e mrekullueshme dhe Dallandyshja janë nga shitëset e para të Vetëshërbimit.

MAPO DHE “ORËT ME AUTORIZIM”

MAPO gjendej direkt pas kthesës ku ishte kinkaleria, me pamje ballore nga veriu, përballë stacionit të autobusit. Një Mapo e madhe, me dy hyrje, me banakë në formë U-je, ku gjeje gjithçka, metrazhe, veshmbathje, këpucë, ajo ka qenë shumë e frekuentuar si e vetmja magazinë popullore e zonës, edhe nga periferitë, për shkak të ndalesës së autobusit. Në një periudhë kohe, në atë Mapo janë shitur edhe ora dore me autorizim. Vaja ishte shitësja e metrazhit, e cila lajmëronte klientët kur furnizohej me kadife, shumë e preferuar nga të rinjtë. Kur para dyqanit krijohej konfuzion dhe në ndihmë vinin forcat e Policisë për të evituar dyndjen, shitja zhvendosej mbrapa pallatit ku hapej një derë e vogël.

Zona e 21 Dhjetorit gjatë ndërtimit
Zona e 21 Dhjetorit gjatë ndërtimit

PERMANENTI, QENDRA ESTETIKE E GRAVE

Permanenti ndodhej në krahun tjetër të rrugës, në katin e parë të pallatit, te stacioni i autobusit që shkonte për në Kombinat. Shumë e njohur dhe e preferuar, si e vetmja qendër estetike në atë zonë ishte gjithmonë plot me gra, vajza me “skafandrat” e njohura të profesionit në kokë të ulura në karrige në pritje për të rregulluar flokët. Miqësore e të sjellshme, gratë kujtojnë hungarezen Klara, gruan e radiologut të njohur Kosta Nano, Yllka Gëzdari, etj.. Ngjitur me të ka qenë edhe një dyqan i vogël “Riparim çorape” me Norën e bukur, vajzën e doktorit nga Shijaku.

BERBERËT ME “ORAR UNIK”

Berberët, tjetër grupim, tjetër famë e histori. Lokali ishte me pamje perëndimore, edhe ky në katin e parë të Pallatit në kënd me Permanentin. Me hapësirë të madhe, aty punonin njëkohësisht disa berberë dhe gjithmonë plot me të rinj, burra të të gjithë moshave. Krahas shërbimit të zakonshëm rruajtje-qethje, ishte edhe vendi ku ziente diskutimi e dëgjoheshin ndeshjet e futbollit në radio.

I preferuar ishte edhe qëndrimi te bordurat e tij. Me berberët gazmorë e mikpritës ishte krijuar një miqësi e veçantë: Nga Luftar Bregu (Tarja), Demi, Marku, Ziçja, Titi, Zihniu, Bilali, te Nazmi Dingu, i njohur si tifoz që mbante mbi pasqyrë foton e 17 Nëntorit, kampion i 70-s. Asnjë klient nuk largohej pa bakshish. Përveç të hënës që ishte ditë pushimi për berberët, gjatë gjithë javës lokali funksiononte me “Orar Unik”, një formë shërbimi kur dyqanet nuk mbylleshin në drekë. Dyqani i “Berberëve ” te 21-shi ka shërbyer edhe si pikë takimi dhe ku qytetarët linin porosi, etj..

GJELLËTORE E PASTIÇERI, BASHKË NË NJË KËND

Bashkë me një fotograf pranë që i ndante, por edhe i bashkonte kanë qenë të vendosura në këndin e katit të parë të kullës së dytë, në të majtë të rrugës, gjellëtorja dhe pastiçeria. Gjellëtorja me pamje nga lindja dhe Mihali ishte banakieri i lokalit bashkë me Navenkën, gruaja e Gj. Marashit, çifti me origjinë malazeze. Kishin edhe dy fëmijë, Kastriotin e Sllobodankën, nxënëse e “Petro Ninit”. Ndërsa përbri, me fytyrë nga veriu ishte Pastiçeria me pak shkallë, ku shërbenin Dizi e Suatja.

RIPARIM-SHËRBIMET, ME SEKTORË TË NDRYSHËM PUNE

Të ndërtuara pak më vonë ato ishin dy komplekse tejet ndihmëse për banorët e zonës e rreth saj. Në drejtim diagonal, sektori i perëndimit ishte i futur pas kullës së parë nga e djathta, ku gjeje zdrukthëtari, repart elektrik, axhusteri-torno, saldime ku punonin mjeshtër si S. Halili, N. Kapoli, D. Hoxha, etj.. Tjetri, mbrapa pallatit “Z”, përfshinte të tjera kategori punimesh: Riparim bravash, riparim çadrash, biçikletash, radio Tv., etj., ku ishin profesionistë si Skënderi, Fatosi (Tosi), njohur nga llulla që mbante gjithë ditën. 21-shi ka pasur edhe Pasurinë e Shtetit, ngjitur me çerdhen, mbrapa shkollës “Gabrani” me Lefterin përgjegjës dhe Xhevatin e Nailen, të njohur për zhbllokimin e oxhaqeve.

PALLATET DHE BANORËT / NGA MARIE KRAJA TE JANAQ PAÇO E SKËNDER ANAMALI

I pari nga e djathta, menjëherë pas Muzeut vinte pallati ku kanë banuar: Familjet e vëllezërve Paço, Janaqi skulptori i njohur, autori i monumentit të Skënderbeut në Krujë dhe Androkli Paço me dy vajzat, Fioralba dhe Inis; familja e sportistit të njohur Halit Lacej me vajzën, skulptoren Arminda e djalin, avokatin Fatmir; ish-zv/ ministri Sali Kubati me gruan hungareze Irena, vajzën Suzana që aktualisht jetojnë në Hugari; Marketin, Maria dhe Antoneta të familjes Kola; S. Anamali arkeologu i njohur me fëmijët Tritan e Lydra; profesori i frëngjishtes P. Kero, apo familja e Kol Goxhaxhiut.

Aty ka banuar edhe artistja e njohur Marie Kraja me familjen dhe vajzën e saj Ines. Po në atë ndërtesë ka jetuar familja Shkurti, ajo Kapoli me vëllezërit Nazmi, Xat e Ner, ajo e Raqi Notit, K/inxh te K. Ushqimor dhe Arben e Nora Noti, fëmijët e tij. Për banorët e pallateve në ato vite të saposistemuar, përbënte kuriozitet kur mbi apartamentet dhe kokat e tyre fluturonin avionët që uleshin te fusha e aviacionit, aty pranë.

*Artikull i shkruar për Gazetën Panorama. Ndalohet rreptësisht kopjimi i tij, i pjesshëm, apo i plotë. 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura