Banorët e Ishmit, Ministrisë: Keni falsifikuar testamentin e Kodrës

Feb 10, 2016 | 14:17
SHPËRNDAJE

Dështojnë për të katërtën herë radhazi negociatat mes banorëve të Ishmit dhe Ministrisë së Kulturës, për zhvendosjen e varrit të piktorit Ibrahim Kodra nga fshati ku prehet prej 10 vitesh, me qëllim ngritjen e një memoriali në kodrat e Liqenit Artificial Tiranë.

Të mbledhur pranë varrit ku prehet prej 10 vitesh piktori më famë botërore, banorët kanë kundërshtuar ashpër të deleguarin e Ministrisë së Kulturës, zv.ministrin Zef Çuni, i cili tha se kishte ardhur për t’u komunikuar amanetin e fundit të Ibrahim Kodrës, atë të rivarrosjes në Tiranë. Diskutimet mes banorëve të Ishmit dhe përfaqësuesve të Ministrisë së Kulturës zgjatën rreth dy orë, por nuk u gjet gjuha e përbashkët.

ishem6

Gjatë diskutimit, pranë varrit të piktorit, banorët akuzuan Ministrinë dhe dy fondacionet “Ibrahim Kodra” se kanë falsifikuar testamentin e Mjeshtrit të penelit, me qëllim për t’i zhvatur pasurinë artistike (veprat e tij). “Absolutisht nuk lejojmë të kryhet zhvarrimi dhe zhvendosja e varrit të piktorit Ibrahim Kodra. Është një aset për fshatin tonë dhe zonat përreth, ndaj do ta mbrojmë me të gjitha mënyrat që do të mundemi.

Mënyra me të cilën po veproni është e kundërligjshme, pasi keni falsifikuar testamentin e Ibrahim Kodrës. Vullneti i piktorit, amaneti që e ka lënë me gojën e tij, ishte të prehej në kodrën e Ishmit dhe jo në Tiranë, sikurse mendoni ju (Ministria e Kulturës dhe fondacionet “Ibrahim Kodra” që kërkojnë zhvendosjen e varrit të piktorit). Ju e keni falsifikuar testamentin e Ibrahim Kodrës”, iu drejtuan banorët zëvendësministrit Çuni dhe përfaqësuesve të fondacioneve “Ibrahim Kodra”. Nga ana tjetër, zv.ministri Çuni sqaron se ka një testament ligjor, i cili duhet zbatuar dhe se gjithçka bëhet në kuadër të lartësimit të figurës së Kodrës, duke e vendosur pranë kolosëve të letrave shqipe. “E kuptoj dhe respektoj sinqeritetin tuaj (banorëve).

Por, qeveria nuk ka asnjë lloj qëllimi për të ulur figurën e piktorit Ibrahim Kodra. Qeveria po angazhohet maksimalisht që t’i ngrejë edhe më tepër vlerat e këtij njeriu të madh, duke e vendosur të prehet pranë kolosëve të tjerë, atje ku i takon (kodra e Liqenit Artificial Tiranë)”, u shpreh Çuni, i cili theksoi se do të ketë një takim të pestë mes banorëve dhe përfaqësuesve të Ministrisë. Krahas takimeve të njëpasnjëshme banorët e Ishmit mbeten të vendosur të kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Kulturës për të zhvendosur eshtrat e piktorit Ibrahim Kodra.

Sot banorët e Ishmit do të presin kryebashkiakun Dako për të diskutuar rreth temës për zhvendosjen ose jo të varrit të piktorit Kodra, i cili prej dhjetë vjetësh prehet në fshatin e tij të lindjes, Ishëm.

FONDACIONI, 10 VJET PËRPJEKJE Ndërsa drejtuesit e Fondacionit “Ibrahim Kodra”, prej dhjetë vjetësh kërkojnë zhvarrosjen e eshtrave të piktorit, tashmë kur qeveria pranoi kërkesën e tyre, dalin kundër banorët e Ishmit.

Përplasja mes banorëve dhe Ministrisë së Kulturës ndodhi menjëherë pas shpalljes së lajmit se eshtrat e piktorit kubist, Ibrahim Kodra, do të zhvendoseshin nga Ishmi, vendlindja e tij, për t’u vendosur në Tiranë, që sipas ekzekutuesve të testamentit të tij, ka qenë edhe amaneti i tij.

Banorët e Ishmit kanë dalë në protesta dhe nuk kanë lejuar punëtorët e komunales së Durrësit dhe ata të ardhur nga Bashkia e Tiranës, për nxjerrjen dhe zhvendosjen e eshtrave të piktorit. Edhe pse Ministria e Kulturës ka shpallur datën e rivarrimit, që do të jetë 12 shkurti, ende nuk është arritur lëvizja e tyre.

Duke plotësuar kërkesën e Fondacionit “Kodra”, shprehur përmes dy drejtuesve të saj Behgjet Pacolli dhe Fatos Faslliu, Ministria e Kulturës ka vendosur që Kodra të prehet pranë varreve të Vëllezërve Frashëri dhe Faik Konicës. Kjo kërkesë i është depozituar ish-kryeministrit Sali Berisha që prej vitit 2007, një vit pas vdekjes së Kodrës. Avokati Fabio Granello i kërkonte Berishës të vinte në vend amanetin e Mjeshtrit për t’u prehur “në një vend të bukur në Durrës ose në Tiranë”.

DURRES/ LEONIDHA MUSAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura