Bankat, të vonuara apo promotore të dixhitalizimit?

May 20, 2022 | 23:15
SHPËRNDAJE

Të gjitha bankat, pa përjashtim, sot ofrojnë shërbimin e internet banking, si dhe karta dhe terminale për të kryer dhe për të pranuar pagesa elektronike. Pjesa dërrmuese e pagesave që kalojnë nga sektori bankar sot mund të kryhen në kanale dixhitale.

bankat

Sistemi bankar duket të jetë ndër sektorët më të avancuar në ofrimin dhe promovimin e dixhitalizimit të shërbimeve.

Në dhjetor të vitit të kaluar, gjatë mbledhjes së Komitetit Kombëtar të Sistemit të Pagesave, u evidentuan përparime të rëndësishme për sa i takon depërtimit të shërbimeve bankare në shoqërinë shqiptare.

Vlerësimet e Bankës së Shqipërisë tregojnë se tashmë, rreth 66% e shqiptarëve në moshë madhore zotërojnë një llogari bankare. Në vitin 2018, kur nisi zbatimin strategjia kombëtare e pagesave me vlerë të vogël, vlerësohej se vetëm 40% e shqiptarëve të rritur e kishin një llogari në bankë.

Vlerësimet tregojnë se gjatë katër viteve të fundit, ky tregues është përmirësuar në mënyrë të dukshme dhe është një ndër indikatorët që ilustrojnë rolin në rritje të bankave në shoqërinë shqiptare. Bankat kryejnë funksionin e rëndësishëm të ndërmjetësit financiar në shoqëri: ato pranojnë depozita, japin kredi dhe mundësojnë kryerjen e pagesave, duke qenë hallkë e rëndësishme e funksionimit dhe zhvillimit të ekonomisë.

Në ekonominë shqiptare, roli i tyre është edhe më i lartë krahasuar me ekonomi më të zhvilluara, edhe për shkak të mungesës së tregjeve të kapitalit. Një depërtim më i madh i shërbimeve bankare në shoqëri është i rëndësishëm për më shumë përfshirje financiare, por edhe për të ulur informalitetin, për të kultivuar konkurrencë të ndershme mes bizneseve në tregje dhe për të rritur të ardhurat në buxhetin e shtetit.

Zhvillimet e shpejta teknologjike janë reflektuar edhe në kanalet e ofrimit të shërbimit nga sektori bankar. Sot, pjesa më e madhe e shërbimeve të pagesave bankare, ofrohen në distancë, nëpërmjet internet banking, kartave dhe terminaleve automatike për procesimin e pagesave. Madje, edhe një pjesë e shërbimeve të tjera, që nuk lidhen direkt me pagesat, mund të merren në distancë, nëpërmjet aplikacioneve bankare.

Nga ana tjetër, është e vërtetë që kanalet dixhitale që ofron sektori bankar ende nuk shfrytëzohen plotësisht nga klientët, në të gjitha dimensionet dhe potencialet e veta. Kjo është e lidhur me informalitetin ende të lartë, varfërinë dhe edukimin e pamjaftueshëm financiar, sfida të mëdha dhe afatgjata për shoqërinë.

Shërbimet, për të cilat ngelet e domosdoshme prania fizike, janë kryesisht ato të lidhura me nevojën për firmë të klientit, në një kontratë të detyrueshme ligjore, si për shembull kontratat e kredisë, ato të hapjes/mbylljes së llogarive rrjedhëse, etj.

Pamundësia për të ofruar këto shërbime në distancë nuk vjen edhe aq nga mungesa e vullnetit të bankave, por kryesisht për shkak të paqartësive ligjore që ekzistojnë ende lidhur me nënshkrimin në distancë. Si bankat, ashtu edhe institucionet financiare jobanka, në vitet e fundit po lobojnë për të krijuar një kuadër të qartë ligjor dhe teknik, që do të mundësonte nënshkrimin e kontratave në distancë.

Shoqata e Bankave: Nuk jemi të vonuar në dixhitalizim

Spiro Brumbulli, Sekretar i Përgjithshëm i Shoqatës Shqiptare të Bankave, thotë se shërbimi që ofrojnë sot bankat shqiptare ka evoluar ndjeshëm në dekadën e fundit, me një orientim të qartë drejt automatizimit dhe dixhitalizimit të shërbimeve.

Sipas tij, ATM-të janë bërë si një mini degë bankare, ku mund të tërheqësh dhe të depozitosh para, të kryesh pagesa dhe të marrësh informacion. Ndërsa e-banking është shërbim që shoqëron mbajtësin e llogarisë kudo që ndodhet, mjaft të ketë një smartphone ose një kompjuter dhe internet.

Sipas tij, vetëm në bankomate (ATM) dhe pikat elektronike të shitjes, bankat kanë investuar mbi 20 milionë euro, përfshirë rinovimin e fondit të ATM-ve dhe zëvendësimin me pajisje që mundësojnë zgjidhje më të avancuara.

Sot, të gjitha bankat, ofrojnë shërbimin e internet banking. Sipas ekspertëve, vetëm për të ngritur një platformë e-banking nevojitet një investim mesatar prej rreth 400 mijë Eurosh, por kjo shumë mund të jetë edhe shumë më e madhe në madhësi të shërbimeve dhe funksionaliteve që ofron.

Më tej, këto platforma kanë kosto periodike mirëmbajtjeje dhe funksionimi që, gjithmonë sipas ekspertëve, janë në intervalin midis 10% dhe 20% të vlerës së investimit çdo vit. Nëse do të bëjmë një llogari mbi vlerat mesatare, atëherë për të 12 bankat tregtare në Shqipëri, vetëm kosto e ngritjes së platformave të e-banking është rreth 5 milionë euro, ndërsa ato shpenzojnë çdo vit 500 mijë deri në 1 milion euro për mirëmbajtjen e tyre.

Të gjitha këto investime kanë mundësuar kanalizimin e pjesës dërrmuese të pagesave në kanale elektronike. Z. Brumbulli vë në dukje se një biznesi të formalizuar nuk i lind nevoja të shkojë në degë banke për të kryer pagesa, me përjashtim të rastit të transfertës ndërkombëtare.

Një individ, ose biznes, nëpërmjet shërbimit online, sot mund të kontrollojë llogaritë, të marrë lëvizjet në llogari, të paguajë pagat e punonjësve, të paguajë sigurimet shoqërore, tatimin mbi të ardhurat, TVSH e taksa të tjera, të transferojë para nga një llogari në një tjetër brenda bankës dhe midis bankave, të bëjë çdo pagesë brenda vendit, në Lekë dhe Euro, maksimumi brenda ditës së nesërme të punës, të konvertojë monedha dhe të paguajë shërbimet e dobishme bazë.

Së fundmi, janë krijuar kushtet që edhe hapja e llogarisë të kryhet online, si dhe aplikimet për kredi të kryhen online. Lidhur me dixhitalizimin e pagesave për shërbimet e institucioneve dhe kompanive publike, ai shprehet se bankat kanë dhënë mbështetje të plotë për pagesat e shërbimeve utilitare, nëpërmjet kanaleve të ndryshme.

“Përfshirja e bankave në reformën e energjisë së qeverisë në vitet 2014 – 2015 zhduku radhët nga sportelet e OSHEE-së për pagimin e faturave. Sot nuk diskutohet më për pagesën e faturës së energjisë, ujit, telefonit. Bankat ishin garancia e realizimit të reformës.

Në vitin 2020, gjatë mbylljes nga Covid-19, bankat përshtatën gjithë mënyrën e punës për të siguruar vazhdimësinë e shërbimit bankar. U rrit operimi nëpërmjet shërbimeve online, por edhe degët nuk u mbyllën për asnjë orë”, – thotë ai.

Brumbulli nënvizon gjithashtu se, në dy vitet e fundit, janë realizuar të tjera projekte të rëndësishme të lidhura me dixhitalizimin, si regjistri qendror i llogarive bankare, shkëmbimi i informacionit, regjistri i pronarëve përfitues dhe fiskalizimi.

“E pamundur që ato të realizoheshin pa përfshirjen dhe mbështetjen e plotë të bankave! Edhe nëse ka pasaktësi, apo funksionim me defekte, këto janë edhe për shkak se zëri i bankave nuk u dëgjua si duhet nga ata që i zbatuan teknikisht. Nëse do të ishin dëgjuar më mirë bankat, nuk do të kishim problemet që ndeshim sot dhe me shumë sforcime po mundohemi t’i fiksojmë.

Së fundmi, ka dalë në rend të ditës, kryerja e pagesës për shërbimet publike, në mënyrë online. Bankat e mirëpresin si një nismë e re, në kohën e duhur dhe mbështesin pa rezerva çdo lloj bashkëpunimi për ta realizuar sa më shpejt. Por aspak, për shkak se bankat janë me vonesë në dixhitalizim!” – shprehet ai.

Pjesa më e madhe e pagesave për shërbimet publike ende nuk kryhet online, sepse kërkohet të vendoset lidhje midis paguesit, bankës së tij dhe përfituesit të pagesës (që mund të jetë Thesari ose një institucion shtetëror). Kjo kërkon zhvillime teknologjike nga të dyja palët, por z. Brumbulli thotë se bankat e kanë bazën dhe kërkohet integrim dhe zhvillim, sipas karakteristikave të përfituesit.

“Sot, këto shërbime kryhen pranë degëve të bankave. Në rastin që klienti dhe përfituesi janë në të njëjtën bankë, pagesa kryhet në kohë reale. Nëse janë në banka të ndryshme, pagesa ka disa specifika. Tjetra që nuk mund të bëhet, janë transfertat ndërkombëtare, për shkak të specifikave të procesit të realizimit të transfertës, ku merr pjesë edhe një bankë korrespondente”, – thotë ai.

Një çështje tjetër që do të lehtësonte shumë automatizimin dhe dixhitalizimin është mundësia për të kryer nënshkrim ligjor të kontratave dhe dokumenteve të tjera në distancë.

Kjo ngelet një çështje ende e ndërlikuar nga pikëpamja ligjore dhe teknike, megjithatë bankat dhe institucionet e tjera financiare kanë shtuar përpjekjet vitin e kaluar, për të krijuar mundësitë e nënshkrimit elektronik në distancë. Kjo do të ulte më tej nevojën për praninë fizike të klientëve në degët e bankave.

“Hapësirë tjetër është përdorimi i nënshkrimit elektronik. Nëse realizohet edhe kjo, për të cilën po punohet nga bankat, atëherë as për kontratë kredie, apo për kontratë depozite apo për çdo lloj dokumenti tjetër, nuk të lind nevoja të shkosh në degë.

Edhe pse këto janë të shpeshta si kategori produkti, një individ nuk merr kredi përditë apo hap përditë depozitë. Është një shërbim që ishte me prioritet pak më të ulët në krahasim me shërbimet e tjera më të shpeshta, por edhe për paqartësi të kuadrit ligjor”, – thotë z. Brumbulli.

Numri i degëve të bankave, përsëri në rritje

Zgjerimi i gamës dhe peshës specifike të shërbimeve në distancë e ka bërë më pak të domosdoshëm zgjerimin e rrjeteve të njësisë fizike të bankave dhe kjo është në vija të përgjithshme një tendencë botërore. Në tregun bankar shqiptar, procesi ka qenë i ndërthurur me konsolidimin e sektorit dhe me uljen e numrit të aktorëve në treg.

Numri i degëve dhe agjencive bankare arriti nivelin më të lartë në vitin 2012, me 556 degë dhe agjenci. Nga ai moment, numri i njësive bankare të shërbimit nisi të pakësohet. Efektet e krizës filluan të bëheshin më të ndjeshme, të shprehura në rritje të kredive me probleme dhe rënie të fitimeve.

Nevoja për një kontroll më rigoroz të shpenzimeve bëri që shumica e bankave të frenonin zgjerimin e rrjetit dhe të mbyllnin një pjesë të degëve ekzistuese. Procesi u theksua më shumë nga cikli i konsolidimit të sektorit bankar dhe ulja e numrit të bankave tregtare.

Në periudhën 2018-2019, numri i bankave tregtare ra nga 16 në 12. Si rezultat i bashkimeve mes bankave ekzistuese, një pjesë e mirë e degëve të bankave të përthithura u mbyllën. Por, cikli i konsolidimit të sektorit bankar ka nisur të japë efekt pozitiv.

Sipas të dhënave nga Shoqata Shqiptare e Bankave, në fund të vitit 2021, numri i degëve arriti në 417, nga 413 në fillim të vitit. Megjithëse rritja nuk ishte shumë e madhe, viti 2021 shënoi një moment kthese, sepse është hera e parë prej vitit 2012 që numri i degëve bankare rritet.

Bankat që kanë dalë nga shitblerjet janë më të shëndetshme dhe më të orientuara për t’u zgjeruar. Pjesë e këtij zgjerimi po bëhet edhe rrjeti i degëve, megjithëse sot dixhitalizimi i shërbimeve bankare e ka bërë më pak të domosdoshëm një prani të gjerë të njësive fizike të shërbimit të bankave.

Shumë shërbime, që një dekadë më parë mund të ofroheshin vetëm në degë, tani mund të merren shumë thjesht në distancë, përmes platformave të internet banking dhe mobile banking.

Vlerësohet se Shqipëria ka aktualisht depërtimin e dytë më të ulët të degëve bankare në rajonin e Ballkanit Perëndimor, me afërsisht 18.6 degë për 100 mijë banorë në moshë madhore. Megjithatë, në dekadën e fundit, tendenca e depërtimit të degëve bankare ka qenë në rënie edhe në vendet e tjera të Rajonit, në një cikël të ngjashëm me Shqipërinë.

Veprimet me E-banking u rritën me 25% vitin e kaluar

Megjithëse shërbimet e banking-ut në distancë kanë ende potenciale të mëdha rritjeje, fakt është se përdorimi i tyre u rrit për të gjashtëmbëdhjetin vit radhazi gjatë 2021-shit. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vitin e kaluar, numri total i veprimeve bankare në distancë arriti në 5.13 milionë.

Krahasuar me një vit më parë, shqiptarët e zgjeruan numrin e veprimeve bankare në distancë me 24.5%, ose me mbi 1 milion veprime më shumë. Veprimet bankare në distancë, ose veprime të home banking, në pjesën dërrmuese, janë veprimet bankare që kryhen nëpërmjet internetit, apo aplikacioneve në telefonat celularë.

Rritja e përdorimit të shërbimeve home banking është e ndjeshme edhe në vlerë. Sipas Bankës së Shqipërisë, për vitin 2021, volumi total i transaksioneve arriti në më shumë se 1.2 trilionë lekë, në rritje me 15.5% krahasuar me një vit më parë. Shërbimi i internet banking ofrohet tashmë nga të gjitha bankat tregtare në Shqipëri.

Edhe të dhënat e para të këtij viti dëshmojnë vijimësi të kësaj tendence në rritje. Sipas Bankës së Shqipërisë, për tremujorin e parë 2022, numri i transaksioneve home banking arriti në pothuajse 1.3 milionë, në rritje me 18% krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Rritja është e konsiderueshme edhe në vlerën e veprimeve të kryera, që arriti në 312 miliardë lekë, afërsisht 13% më shumë krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar.

Me rritjen e rëndësisë së teknologjisë në shoqëri, bankat po vendosin më shumë fokus në promovimin e këtyre shërbimeve si kanal alternativ për marrëdhëniet me klientët.

Në fund të vitit 2021, numri i llogarive bankare të lidhura me internetin arriti në afërsisht 709 mijë, në rritje vjetore me 21%. 89% e numrit të llogarive bankare të rezidentëve të lidhura me internetin u takojnë individëve. Vitin e kaluar, individët shënuan edhe shkallën më të lartë të rritjes së numrit të llogarive të lidhura me internetin, me 22% më shumë. Për sa u përket bizneseve, numri i llogarive të lidhura me internetin u zgjerua me 13.7%.

Përdorimi i kanaleve bankare alternative po mbështetet nga zhvillimet e shpejta teknologjike, ndërsa një shtysë të mëtejshme dha edhe pandemia, që ndërgjegjësoi një pjesë të mirë të publikut se shumë shërbime bankare dhe, kryesisht ato të lidhura me pagesat, mund të merren pa qenë nevoja për të shkuar në bankë.

Pagesat elektronike janë nxitur edhe nga Banka e Shqipërisë, nëpërmjet masave rregullatore. Që prej mesit të vitit 2020, të gjitha transfertat ndërbankare deri në vlerën e 20 mijë lekëve, që kryhen nëpërmjet kanaleve elektronike, duhet të ofrohen nga bankat pa asnjë komision.

Ndërkohë, për shumat më të mëdha, transfertat elektronike kanë komisione të paktën 50% më të lira krahasuar me ato që kryhen nga sportelet e bankave. E njëjta politikë u ndoq edhe në rregulloren për transfertat kombëtare në Euro, ku komisionet për transfertat elektronike duhet të jenë maksimalisht sa 50% e komisioneve të pagesave që kryhen në degët e bankave.

Gjithashtu, ligji i ri “Për shërbimet e pagesave”, që pritet të bëhet i zbatueshëm këtë vit, do të krijojë hapësira për rritjen e mëtejshme të pagesave dixhitale, duke krijuar më shumë hapësira për institucionet financiare të pagesave.

Ai mundëson që klientët të realizojnë shërbime pagesash nga llogaria e tyre bankare, edhe nëpërmjet institucioneve të tjera financiare dhe jo domosdoshmërisht nëpërmjet bankës ku kanë llogarinë. Mbi këtë bazë, çdo zotërues i një llogarie bankare mund të marrë informacion mbi gjendjen e llogarisë dhe të iniciojë pagesa edhe nga një institucion financiar i ndryshëm nga banka, i licencuar për këto shërbime.


Burimi: Banka e Shqipërisë

Numri i kartave bankare vazhdon të rritet

Mbështetur në të dhënat e Bankës së Shqipërisë, në fund të muajit mars, numri i kartave aktive arriti në 1.33 milionë. Gjatë tre muajve të parë të vitit, numri i kartave u zgjerua me 12 mijë njësi, ndërsa krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, numri i kartave bankare është me rreth 27 mijë njësi, apo afërsisht 2%.

Numri i përgjithshëm i kartave të pagesave dominohet nga kartat e debitit, me 86% të totalit. Rritja e numrit të kartave të debitit është një tregues i tërthortë i rritjes së depërtimit të shërbimeve bankare bazike, duke qenë se këto karta janë instrument i lidhur me llogaritë rrjedhëse.

Ndërkohë, numri i kartave të kreditit për vitin e kaluar u rrit me ritme më të ngadalta, me 2.8% më shumë krahasuar me një vit më parë. Gjithsej, sektori bankar shqiptar raporton më pak se 112 mijë karta krediti.

Me rritjen e numrit të kartave aktive, bankat kanë vazhduar të zgjerojnë edhe rrjetin e pikave elektronike të shitjes (POS), që mundësojnë pranimin e pagesave me kartë nga bizneset apo përfituesit e tjerë të pagesave. Në fund të muajit mars, numri total i tyre arriti në afërsisht 14 mijë, në rritje vjetore me 17%.

Zgjerimi i infrastrukturës së terminaleve POS dëshmon një tendencë në rritje të pagesave elektronike me kartë. Vitin e kaluar, volumi i këtyre pagesave u rrit me 37%, ndërsa rritja vijon edhe këtë vit, e matur si mesatare mujore e vlerës së pagesave. Nëse vitin e kaluar, çdo muaj kryheshin mesatarisht 2.9 miliardë blerje me kartë në terminalet POS, këtë vit, volumi mesatar mujor ka arritur në rreth 3.5 miliardë lekë.

Në rritje, krahasuar me vitin e kaluar, është edhe numri i bankomateve (ATM). Numri i tyre, në fund të tremujorit të parë, arriti në 816, në rritje me 8.6% krahasuar me një vit më parë. Në periudhën pas pandemisë, bankat e kanë kthyer fokusin në zgjerimin e rrjetit të tyre të ATM-ve, me qëllim uljen e fluksit të klientëve në arka për veprimet bazike me paranë cash.

Kjo shërbeu edhe si shtysë për të modernizuar rrjetin e ATM-ve dhe për të zgjeruar numrin e shërbimeve të lidhura me to. Tashmë, një e treta e numrit të përgjithshëm të ATM-ve mundësojnë edhe depozitim të parasë cash, shërbim shumë i rëndësishëm për të kursyer kohën e shpenzuar në radhë në sportelet e bankave.

Transformimi i ATM-ve në pajisje, ku klienti edhe mund të depozitojë para, ka bërë që bankat të eksplorojnë edhe ofrimin e shërbimeve të tjera, veç derdhjes në llogaritë bankare, si për shembull pagesat e shërbimeve utilitare, apo rimbushjet e numrave celularë, që në disa raste mund të bëhen edhe pa qenë klientë të bankës.

Statistikat e kartave dëshmojnë një orientim më të lartë drejt pagesave elektronike, që shmangin paranë fizike, si mjet transaksioni. Megjithatë, edhe veprimet me cash-in janë sot më të automatizuara, nëpërmjet ATM-ve.

Për shembull, vitin e kaluar, vlera e depozitimeve automatike të parasë cash në ATM arriti në rreth 20 miliardë lekë, me një rritje prej 115% krahasuar me një vit më parë. Kjo tregon se konsumatorët po edukohen gradualisht, për të shmangur veprimet në sportel në rastet kur kjo nuk është aspak e domosdoshme.


Burimi: Banka e Shqipërisë

Debitimi direkt, tani edhe drejt bankave të tjera

Një shërbim tjetër shumë i rëndësishëm që kursen kohë dhe shkurton radhët në mjediset e bankave (apo sporteleve të tjera të pagesave) është debitimi direkt. Debitimi direkt është një shërbim, nëpërmjet të cilit klienti autorizon bankën të shlyejë automatikisht një detyrim nga llogaria e vet dhe përdoret zakonisht për detyrime periodike, siç mund të jenë shlyerjet e faturave të shërbimeve utilitare, të tatim-taksave, etj.

Zakonisht, ky shërbim ofrohet pa pagesë, ose kundrejt një pagese simbolike për klientët e bankës. Klienti i jep bankës autorizim me shkrim për të shlyer periodikisht faturat e lëshuara nga përfitues të ndryshëm. Falë aksesit në sistemet e përfituesve, si për shembull të Tatimeve apo të kompanive utilitare, banka merr informacion për faturën përkatëse të klientit dhe e shlyen atë nëpërmjet llogarisë së tij rrjedhëse, pa qenë nevoja që klienti të shkojë në bankë dhe të urdhërojë individualisht çdo pagesë.

Bizneset e përdorin këtë shërbim, sidomos për shlyerjen e detyrimeve tatimore, çka bën që vlerat e pagesave të jenë shumë më të mëdha, krahasuar me individët. Zgjerimi i përdorimit të këtij shërbimi vlerësohet se mund të sjellë kursime të konsiderueshme në kosto dhe kohë në pagesën e detyrimeve periodike.

Shërbimi i debitimit direkt nga llogaritë bankare të individëve dhe bizneseve iu kthye rritjes vitin e kaluar. Sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, vlera e këtyre transaksioneve për vitin 2021, arriti në 62.7 miliardë lekë, në rritje me 11% krahasuar me një vit më parë.

Rritja ishte veçanërisht e lartë në segmentin e individëve, me 60% më shumë krahasuar me një vit më parë, ndërsa për bizneset, vlera e veprimeve u rrit me 9.3%. Megjithatë, bizneset ngelen dominuese, me 95% të volumit të përgjithshëm të veprimeve të debitimit direkt.

Debitimi direkt është një shërbim shumë i rëndësishëm për të lehtësuar shlyerjen e pagesave periodike nga individët dhe bizneset. Duke pasur parasysh volumin e madh që këto veprime përbëjnë kundrejt totalit të pagesave bankare, automatizimi i tyre, nëpërmjet debitimit direkt, ka potenciale për të lehtësuar një pjesë të madhe të fluksit të veprimeve nga sportelet fizike të bankave.

Deri në tetor të vitit të kaluar, debitimi direkt ka qenë një shërbim që mund të kryhej vetëm në rastin kur urdhëruesi dhe përfituesi i pagesës kishin llogari në të njëjtën bankë. Por, në tetor 2021, Banka e Shqipërisë miratoi një vendim që pritet t’i zgjerojë më tej potencialet e përdorimit të këtij shërbimi.

Rregullorja do të mundësojë, për herë të parë, kryerjen e veprimeve të debitimit direkt edhe në rastet kur përfituesi dhe urdhëruesi i pagesës nuk kanë llogari në të njëjtën bankë. Shlyerja e pagesave të debitimit direkt ndërbankar do të bëhet nëpërmjet sistemit elektronik të klerimit të instruksioneve të pagesave në Lekë (AECH).

Sipas rregullores, çdo kreditor mund të paraqesë një kërkesë për arkëtim të debitimit direkt, nëse i është caktuar një “ID e kreditorit” nga Banka e Shqipërisë, ka një pretendim të vlefshëm ndaj debitorit për të mbledhur para (në bazë të një kontrate ose marrëveshjeje midis kreditorit dhe debitorit), ka marrë një mandat të debitimit direkt të nënshkruar nga debitori për këtë qëllim, si dhe i ka dërguar OSHP të kreditorit një kopje të mandatit, si dhe sa herë që ky ndryshohet nga debitori.

Kreditorët më të zakonshëm në veprimet e debitimit direkt mund të jenë të gjitha subjektet që pranojnë pagesa periodike, si për shembull kompanitë utilitare të energjisë, ujit, telefonisë, organet tatimore, pa përjashtuar edhe subjekte të tjera që mund të duan ta përdorin këtë shërbim për të arkëtuar faturat e tyre.

Debitori, pasi merr njoftimin paraprak nga kreditori në lidhje me vlerën dhe datën e debitimit, duhet të sigurohet, se në atë datë, gjendja e llogarisë, e cila do të debitohet, është e mjaftueshme për të mbuluar vlerën e përcaktuar në kërkesën për arkëtim.

Komisionet e aplikuara për debitimin direkt do të bazohen në parimin e ndarjes, në mënyrë që kreditori dhe debitori të ngarkohen veçmas dhe individualisht përkatësisht nga banka e kreditorit dhe nga banka e debitorit.


Burimi: Banka e Shqipërisë

Bankat, 470 milionë euro kontribut për sigurinë e sektorit

Përveç investimeve të mëdha që janë kryer në teknologji, sidomos gjatë dekadës së fundit, sektori bankar është paralelisht një kontribuues i rëndësishëm për të pasur një sektor financiar më të sigurt dhe të pavarur nga nevojat për të angazhuar para publike, siç ndodhi në vende të tjera në periudhën pas krizës financiare të vitit 2008.

Veç shpenzimeve të tjera, për nevojat e aktivitetit të tyre, bankat paguajnë edhe prime vjetore për sigurimin e depozitave, si edhe, prej pesë vjetësh, edhe kontribut vjetor për fondin e tyre të shpëtimit.

Për vitin 2021, bankat paguan prime të sigurimit të depozitave, në vlerën e 3.76 miliardë lekëve, në rritje me 5.5% krahasuar me vitin 2020. Këtyre iu shtohen edhe 664 milionë lekë për Fondin e Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme, që e çojnë shpenzimin vjetor për të dy fondet në rreth 4.4 miliardë lekë, ose rreth 36 milionë euro.

Në një bilanc historik, kontributi i bankave për këto dy fonde ka përmasa mjaft të mëdha.

Vlera kontabël e fondit të sigurimit të depozitave në banka, në fund të vitit të kaluar, arriti në pothuajse 53 miliardë lekë, ose gati 440 milionë euro. Në pjesën më të madhe, ky fond është krijuar nga kontributi i bankave tregtare, ndërsa një pjesë më e vogël përfaqëson të ardhurat nga investimi i kontributeve të akumuluara.

Raporti i mbulimit të depozitave të siguruara bankare nga fondi përkatës, që administrohet nga Agjencia e Sigurimit të Depozitave, u rrit më tej vitin e kaluar në 6.66%, nga 6.46% një vit më parë. Ky tregues llogaritet si raporti mes vlerës totale të fondit të sigurimit të depozitave bankare dhe vlerës totale të depozitave të siguruara.

Rritja e këtij raporti tregon se fondi i sigurimit të ASD është rritur me ritme më të shpejta se vlera e depozitave të siguruara. Në objektivat e agjencive të sigurimit të depozitave, zakonisht raporti i synuar i mbulimit të depozitave të siguruara është niveli 5%.

Fondi i ASD e ka arritur këtë nivel që prej vitit 2016. Prej vitit 2014, ASD ka përdorur edhe linja krediti gatishmërie nga Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH). Kjo marrëveshje u rinovua sërish në fillim të vitit 2021 dhe ka si qëllim të pasurit e një fondi të disponueshëm, në rast se paraqitet nevoja për të kompensuar depozituesit e siguruar.

Nëse marrim në konsideratë dhe linjën e kredisë prej 100 milionë eurosh, që Agjencia ka përfituar nga BERZH, raporti arrin në pothuajse 8.2%. Për bankat tregtare, primi tremujor i sigurimit përllogaritet si 0.125% e mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë regjistruar në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm.

Megjithatë, ligji “Për Sigurimin e Depozitave”, në nenin 31, pika 11, përcakton se “Agjencia (ASD) mund të ulë primin tremujor të pagueshëm nga bankat anëtare të skemës së sigurimit të depozitave deri në 0,025% të mesatares aritmetike të shumës së depozitave të siguruara, që janë të regjistruara në bankë në ditën e fundit të çdo muaji të tremujorit të mëparshëm, por vetëm nëse mjetet financiare të Agjencisë janë jo më pak se 5% të mesatares së këtyre depozitave”.

Duke pasur parasysh se ligji e parashikon këtë mundësi, bankat tregtare kërkuan vitin e kaluar, nga autoritetet rregullatore, uljen e primit të sigurimit të depozitave. Bankat argumentojnë se në vitet e fundit po përballen me një rritje të fortë të kostove nga masat e reja ligjore dhe rregullatore.

Veç sigurimit të depozitave, ato paguajnë edhe për ngritjen e Fondit të Ndërhyrjes së Jashtëzakonshme. Megjithatë, institucionet zyrtare ende nuk kanë reaguar zyrtarisht ndaj një kërkese të tillë.

Paralelisht, prej vitit 2018, bankat po kontribuojnë çdo vit edhe në ngritjen e Fondit për Ndërhyrjen e Jashtëzakonshme në banka. Në fund të prillit 2022, vlera e këtij fondi arriti në 3.45 miliardë lekë.

Në total, vlera e fondit të sigurimit të depozitave në banka dhe e fondit për ndërhyrjen e jashtëzakonshme ka arritur në gati 470 milionë euro, në pjesën më të madhe kontribute direkte të sektorit bankar në vend./ Marrë nga Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura