Bankat mbyllin 2014 me 100 milionë USD fitim. 48% e huas në monedhën vendëse

Mar 3, 2015 | 8:54
SHPËRNDAJE

Viti 2014 ka rezultuar fitimprurës për sektorin bankar. Të dhënat e Shoqatës Shqiptare të Bankave tregojnë se fitimi ishte 100 milionë dollarë dhe kjo në një kohë kur normat e interesit për bonot e thesarit kanë qenë minimale dhe rritja e kreditimit në nivele modeste. Shoqata vlerëson se rritja më e madhe e kreditimit ka qenë në tremujorin e fundit të vitit.

Foto Ilustruese

“Tremujori i fundit 2014 shënoi rritjen më të lartë të tepricës së kredisë dhënë nga bankat për sektorin privat përgjatë vitit, me rreth 17.9 miliardë lekë ose 3.1%. Kredia e re e disbursuar gjatë këtij tremujori ishte rreth 71 miliardë lekë ose 10% më shumë se një tremujor më parë, ndërkohë që totali i kredisë së re të disbursuar përgjatë gjithë vitit 2014 ishte rreth 16.4% më i lartë sesa ai i disbursuar në 2013″, thuhet në njoftimin e Shoqatës Shqiptare të Bankave.

Pjesën më të madhe të financimit e ka përfituar biznesi, rreth 85 për qind. Ajo që vihet re, është rritja e huadhënies në lekë që në 2014 zuri 48 për qind të totalit të dhënë. Frenues për kreditimin, ashtu sikurse është vlerësuar edhe më herët nga Banka e Shqipërisë, ka qenë mungesa e kërkesës, por edhe pasiguria ekonomike që nuk ka nxitur ndërmarrjen e investimeve si nga individët, ashtu edhe nga bizneset.

Nga ana tjetër, lidhur me depozitat vihet re një zhvendosje e tyre drejt afatgjatës, kjo pasi ulja e normës së interesit të lekut ka bërë që ato afatshkurta dhe letrat me vlerë të kenë përfitime minimale. Depozitat u rritën në fund të dhjetorit me 2.1 për qind në fund të 2014, që në vlerë korrespondon me 22 miliardë lekë krahasuar me tremujorin paraardhës korrik-shtator, ndërsa krahasuar me fundin e 2013 rritja ishte me 4.5 për qind.

Veçoria në ecurinë e depozitave, sidomos gjatë gjysmës së dytë të vitit 2014 dhe në kushtet e rënies së normave të interesit, ishte zhvendosja e kursimeve nga tregu i letrave me vlerë dhe depozitat afatshkurtra drejt produkteve të depozitave me afate maturimi mbi dy vjet, që ofrojnë dhe norma fitimi më të larta”, sqaron Shoqata e Bankave të Shqipërisë. Totali i aktiveve të sistemit bankar arriti në 1,2 miliardë lekë, me rritje prej 4.8% nga një vit më parë, ose 1.7% më shumë se tremujori i kaluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura