Bankat dhe noterët, denoncuesit më të shpeshtë të pastrimit të parave. Sa është vlera e pasurive të bllokuara gjatë 2020-ës

Nov 28, 2021 | 9:51
SHPËRNDAJE

MARIGLEN KUME/ Noterët dhe bankat e nivelit të dytë janë denoncuesit kryesorë te Drejtoria e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Sipas drejtorit të kësaj drejtorie, Elvis Hoxha, nga 1409 referime në këtë drejtori, 321 janë bërë nga noterët dhe 703 janë bërë nga bankat.

euro

Shifrat u zbuluan pas pyetjes së deputetit të PD-së Dashnor Sula në Komisionin e Ligjeve, ku u miratuan amendamentet e projektligjit për pastrimin e parave. “Ligji për noterinë e parashikon që noterët të informojnë Drejtorinë e Pastrimit të Parave. A ka pasur raste që janë sjellë nga noterët? Ka pasur raste që është marrë gjobë për noterët?

Bankat janë momenti kyç i të gjithë situatës së pastrimit të parave. Sa nga bankat e nivelit të dytë kanë qenë korrekte në raportimin korrekt të rasteve të pastrimit të parave? Duke marrë shkas edhe nga rasti i fundit i z. Taçi. Ka qenë reagimi juaj apo i bankës”, u shpreh Sula. Por Hoxha tha se edhe në rastin e Taçit filtrat rezultuan të mirë. “Raportimi nga noterët është i rregullt. Nga 1409 raportime të aktivitetit të dyshimtë kanë ardhur 321 dhe pjesa tjetër ka ardhur nga banka që janë 703 raste të referimit. Mbas bankës vijnë noterët për numrin e madh të referimit të aktivitetit të dyshimtë. Subjektet e inspektuar noter kanë qenë 9 në vend dhe 38 në distancë.

Në 2020 janë gjobitur 6 noterë. Ndërkohë nuk kemi pasur asnjë kërkesë për të hequr licencën e asnjë noteri. Por ka pasur raste që kemi verifikuar veprimtarinë e punës së noterit. Bankat janë tek institucionet më korrekte. Duke marrë shkas nga rasti i fundit i Taçit konfirmon se sistemin parandalues e kanë shumë të mirë”, u shpreh drejtori i Pastrimit të Parave.

BLLOKIMET

Në vijim të përgjigjes së pyetjeve, Hoxha u shpreh se për vitin e kaluar Drejtoria e Pastrimit të Parave ka urdhëruar bllokimin e pasurive të dyshimta për 7 raste. Prokuroria pas hetimit ka vendosur sekuestrimin e pasurive me vlerë 1.2 milionë euro. “Për vitin 2020 janë lëshuar 7 urdhra bllokimi me vlerë 1.2 milionë euro.

E gjithë kjo vlerë është sekuestruar nga prokuroria. Pra prokuroria nuk ka thënë në asnjë moment që ia keni futur kot. Por janë sekuestruar 100%. Është viti i vetëm që është e barabartë vlera e sekuestruar me numrin e bllokuar”, vijoi ai. Ndërkohë, sektori i ndërtimit mbetet sektori më i preferuar për pastrimin e parave.

“Ne në 2019-ën kemi bërë një vlerësim kombëtar të riskut. Në 2020-ën kemi bërë edhe disa analiza sektoriale. Të gjitha rezultatet janë ndarë me subjektet raportuese dhe autoriteteve shtetërore. Mund t’ju konfirmoj që sektori i ndërtimit është sektor me risk për pastrimin e parave. Por ky fenomen është edhe në vendet e tjera, jo vetëm në vendin tonë”, u shpreh Hoxha.

Ndërkohë, deputeti Alibeaj ngriti edhe shqetësimin e kazinove, por sipas drejtorit, deri në këto momente nuk rezulton se ka probleme në raportimin e tyre./PANORAMA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura