Banka Shqipërisë: Ne na kuptojnë vetëm ata me mbi 18 vite shkollë

Mar 23, 2018 | 10:22
SHPËRNDAJE
Niveli i edukimit të publikut shihet si një element kyç për efektivitetin e politikes monetare dhe objektivave që synon të arrijë Banka e Shqipërisë për inflacionin.

Një material studimor i BSH-së i publikuar së fundmi referon se vitet e shkollimit për të kuptuar qartë në lexim në shqip të komunikimit të vendimmarrjes së politikës monetare, luhatet nga 24 vite – 18 vite shkollim.

BSH

Duke interpretuar rezultatet e mësipërme, ekspertët e BSH-së gjykojnë se komunikimi përthithet më shpejt nëse edukimi ekonomik dhe financiar i publikut është në nivele të larta. Në të kundërt, kërkohen më shumë vite shkollimi që vendimmarrja përmes dokumenteve të shkruara të kuptohet qartë.

Por realiteti i edukimit në Shqipëri është shumë i ulët se nivelet e shkollimit që pretendon Banka. Në një kontekst më të përgjithshëm të edukimit, sipas OECD-së (2016), dhe të vlerësimit në kuadrin e programit “PISA”, nxënësit shqiptarë të moshës 15-vjeçare gjatë vitit 2015, kanë vijuar të mbeten në vendet e poshtme të renditjes për dije të përgjithshme. Shqipëria është mjaft e distancuar nga mesatarja e vendeve të OECD-së, si për njohuritë në shkenca, në lexim dhe në matematik.

Në një shkallë vlerësimi nga 1-7, Shqipëria bën pjesë në grupin e vendeve me vlerësim nën nivelin mesatar, madje afër kufirit të ulët, në intervalin 2-3.

Për rastin e njoftimeve për shtyp të vendimmarrjes së politikës monetare, janë bërë vlerësime për të dyja gjuhët, shqip dhe anglisht. Rezultatet tregojnë për rritje të qartësisë së dokumenteve bazë të komunikimit të vendimmarrjes së politikës monetare.

Sipas studimeve të referuara nga Banka, publiku shqiptar karakterizohet nga nivele të ulëta të njohurive financiare me vlerësime mjaft poshtë mesatares së vendeve të OECD-së për edukimin e përgjithshëm të nxënësve të moshës 15 vjeç (me rreth 9 vite shkollimi).

Në këtë kontekst, rekomandohet që qartësia në komunikim të rritet, krahas vijimit të programeve edukuese për publikun e gjerë. Kjo sepse një komunikim i asimiluar në kahun e duhur, ndihmon në ankorimin e pritjeve dhe në transmetimin e vendimmarrjes së politikës monetare.

MONITOR

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura