Banka insiston për konsumin, ul në 1.25% interesin

May 5, 2016 | 20:27
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë uli sërish dje normën e interesit, duke e çuar në një tjetër minimum historik në 1.25 për qind. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, pas mbledhjes së Këshillit Mbikëqyrës, tha se ulja me 0.25 për qind krijon politikë stimuluese monetare e do të nxisë kreditimin e ekonomisë.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko
Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko

Sejko u kërkoi bankave të tregohen më të guximshme për kreditimin. “Transmetimi i plotë i efekteve të politikës monetare në tregjet financiare do të shoqërohet me rritjen e interesimit të bankave ndaj kreditimit.

Megjithatë, këto kushte financiare stimuluese nuk janë përkthyer ende në rritje të qëndrueshme të kredisë, si pasojë e hezitimit të pranishëm në sjelljen e agjentëve ekonomikë dhe financiarë.

Banka e Shqipërisë gjykon se sistemi bankar duhet të tregohet më realist dhe i guximshëm në vendimet e tij të kreditimit”, u shpreh ai. Guvernatori foli edhe për rritjen ekonomike, e cila do të jetë nën parashikim. Sipas Sejkos, rritja ekonomike për 2016-n, nga 3.4 për qind e parashikuar nga Qeveria dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar për Bankën e Shqipërisë parashikohet 3 për qind.

“Po kështu dhe për këtë vit, rritja ekonomike ishte parashikuar në nivelin 3.5% dhe është korrektuar më vonë. Parashikimi i Fondit Monetar Ndërkombëtar së bashku me Qeverinë shqiptare ishte për një rritje ekonomike rreth nivelit 3.4%.

Ndërkohë, ne si Bankë Qendrore, duke qenë gjithmonë konservatorë në analizat tona në drejtim të rritjes ekonomike, kemi rishikuar parashikimin tonë për rritjen ekonomike në nivelin 3% për vitin 2016”, u shpreh Sejko.

Pavarësisht këtyre zhvillimeve, Banka e Shqipërisë gjykon se ekonomia shqiptare vazhdon të mbetet në një trajektore pozitive zhvillimi. “Në një horizont afatmesëm, ne presim një rritje ekonomike në përmirësim dhe një kthim gradual të inflacionit në objektiv.

Megjithatë, informacioni i ri ilustron rrezikun dhe pasiguritë që ka materializimi i këtij skenari. Në veçanti, ambienti i jashtëm shfaqet i përkeqësuar, si në drejtim të rritjes së eksporteve tona, ashtu edhe në drejtim të presioneve dezinflacioniste që burojnë prej tij, ndërsa besimi dhe klima e biznesit në ekonominë shqiptare vazhdojnë të mbeten të luhatshme”, përfundoi ai.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura