Banka e Shqipërisë pritet të ulë sot normën bazë të interesit në nivele minimale historike, ja çfarë synohet

Mar 25, 2020 | 8:26
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë do të zhvillojë sot (e mërkurë) mbledhjen e radhës së Këshillit Mbikëqyrës, ku një ndër masat që pritet të diskutojë është ulja e normës bazë të interesit. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, deklaroi në një dalje të para disa ditëve në media, se ai do të votojë pro uljes.Banka-e-Shqiperise-Foto-Agim-Dobi-1

Norma bazë është një mekanizëm që shërben për të ulur koston e parasë në ekonomi, edhe përmes transmetimit të politikës monetare tek interesat e huave, që duke u bërë më të lira nxisin investimet në ekonomi.

Aktualisht norma bazë është në nivele minimale historike prej 1%, dhe po mbahet e tillë që prej qershorit të vitit 2018, kur është bërë dhe ulja e fundit. Që prej mesit të vitit 2011, institucioni monetar qendror ka ndjekur një politikë aggresive lehtësuese monetare, duke reduktuar gradualisht normën bazë nga 5.25% në 1%. Ulja e normës bazë është shoqëruar dhe me reduktimin e normave të depozitave dhe kredive. Në janar 2020, interesi mesatar i kredive në lekë ishte 6.3% sipas statistikave të Bankës së Shqipërisë, nga rreth 12% që ishte në mesin e 2011-s, përpara se të fillonte politika lehtësuese monetare.

Në rënie kanë qenë dhe normat e depozitave, ku aktualisht kthimi për një kursim me afat 12 muaj është më pak se 1%, nga 5% në mes të 2011-s.

Banka e Shqipërisë kishte paralajmëruar se do të vijonte me politikën lehtësuese monetare që në fillim të këtij viti, si rrjedhojë e rreziqeve të shtuara në ekonomi nga tërmeti i 26 nëntorit. Sipas vlerësimeve të Bankës në mes të shkurtit, “Rritja ekonomike dhe inflacioni i vitit 2020 priten të ndikohen negativisht nga tërmeti”, e cila për rrjedhojë rishikoi parashikimet në kahun e poshtëm”.

Tashmë me bllokimin pothuajse total të ekonomisë nga koronavirusi, efeket në ekonomi pritet të jenë shumë më të mëdha, çka po e detyron Bankën e Shqipërisë të veprojë me shpejtësi për të ndihmuar përmes mekanizimit të lehtësimit të politikës monetare. Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura