Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një sistem vlerësimi për aftësinë huamarrëse të bizneseve

Jan 21, 2022 | 16:59
SHPËRNDAJE

Banka e Shqipërisë do të ndërtojë një sistemi vlerësimi për aftësinë huamarrëse të bizneseve.

bshSipas strategjisë afatmesme të zhvillimit të bankës së Shqipërisë, 2022-2024, ky sistem synon të vlerësojë cilësinë financiare të bizneseve krahasuar me tregues referencë ndaj të gjithë huamarrësve, në varësi të ecurisë së marrëdhënieve së tyre të kredisë me bankat në vend.

Banka e Shqipërisë bën të ditur se ky sistem do të ndërtohet me asistencën e institucioneve homologe evropiane dhe do t’i shërbejë vlerësimit të cilësisë së portofolave të kredive dhe ndërtimit të parametrave të vlerësimit e provigjionimit kontabël, në zbatim të Standardeve Ndërkombëtarë të Kontabilitetit.

Gjithashtu, Banka e Shqipërisë synon hartimin e një udhëzuesi për adresimin e hershëm dhe shterues të problematikave të portofolit me probleme, në funksion të adresimit të stokut aktual dhe parandalimit të akumulimit të tyre në bilancet e bankave. Kjo synon kryesisht reduktimin e kredive me probleme në bilancet e bankave, duke i orientuar ato për administrimin efektiv të këtyre kredive. Sipas Bankës së Shqipërisë, udhëzuesi do të bazohet në përqasjen e trajtimit të kredive me probleme në Europë, përvojën e deritanishme shqiptare dhe specifikat e tregut vendas.

Raporti i kredive me probleme ka vijuar të bjerë edhe në periudhën pas pandemisë, mbështetur nga masat rregullatore të Bankës së Shqipërisë dhe nga përmirësimi i shpejtë i ekonomisë reale gjatë vitit 2021. Në fund të nëntorit 2021, ky tregues ra në 6.2%, dy pikë përqindje më pak krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Sipas Bankës së Shqipërisë, sektori bankar kishte rreth 41 miliardë lekë ose rreth 340 milionë euro kredi të këqija.

Megjithëse raporti i kreidve me probleme është pranë niveleve që shënonte para krizës së vitit 2008, megjithatë, sërish është në nivele më të larta krahasuar me shumicën e vendeve të rajonit.

Një tjetër risi që Banka e Shqipërisë synon të aplikojë është raportimi i unifikuar dhe në përputhje të plotë me Standardet Ndërkombëtare të Raportimit Financiar (IFRS). Aktualisht, bankat raportojnë përveçse me IFRS, që përbëjnë edhe standarin ligjor, edhe me standardet lokale, të vendosura nga Banka e Shqipërisë.

Raportimi i dyfishtë krijon kosto shtesë dhe diferenca të konsiderueshme në treguesit e kredive me probleme, shprenzimeve për provigjioneve dhe fitimeve. Shqipëria ngelet një nga endet e pakta në Europë ku standardet e mbikëqyrjes nuk janë harmonizuar dhe integruar plotësisht me me ato të IFRS. Banka e Shqipërisë ka synuar të kalojë në raportimin unik sipas IFRS qysh në periudhën 2020-2021, megjithatë edhe për shkak të prioriteteve të reja që shtroi pandemia, ky proces nuk është finalizuar ende./Monitor

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura