Banka Botërore: Rreziku nga plakja, po rriten pensionistët

Oct 9, 2015 | 12:10
SHPËRNDAJE

Brenda një dekade Shqipëria do të ketë të dyfishuar numrin e pensionistëve. Në konferencën “Sistemi i pensioneve vullnetare në Shqipëri – zgjerimi i mbulimit”, i organizuar nga Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare, shifrat e dhëna nga Banka Botërore ishin vërtet shqetësuese.

Dje gjatë aktivitetit
Dje gjatë aktivitetit

Zgjidhja për të gjithë ata që duhet të mendojnë për një pension më të mirë, është sigurimi privat, ose siç njihet kolona e tretë e skemës së sigurimeve. Për këtë arsye shërbeu edhe takimi i djeshëm mes AMF-së, Bankës Botërore dhe aktorëve të tjerë të tregut, si bizneset private dhe shoqëritë e sigurimit.

BANKA BOTËRORE
“Shqipëria, si shumë vende të tjera, përballet me sfida të thella demografike, rënie e shkallës së lindjeve, rritje e jetëgjatësisë së pritshme dhe forca të mëdha shtytëse për emigrimin dhe migrimin. Sot thuajse 1 në çdo 8 shqiptarë është mbi 65 vjeç. Deri në vitin 2050, kjo shifër do të dyfishohet, që do të bëjë që Shqipëria të ketë një përqindje të moshuarish më të madhe se vende të tilla si Franca, Suedia, Serbia dhe Mali i Zi”, theksoi Menaxherja e Zyrës së Bankës Botërore në Shqipëri.

Sipas Tahseen Sayed, zgjidhja është diversifikimi i skemës së pensioneve. Pra, sigurimi privat, i të punësuarve që krahas pensionit të detyrueshëm në shtet, të marrin një të ardhur më të madhe nga skema private. “Një mënyrë për t’iu qasur kësaj sfide është duke pasur një sistem pensionesh të diversifikuar, me pensione të forta publike dhe private në mënyrë që njerëzit të mos gjenden përpara një rënieje të papërballueshme në të ardhurat e tyre kur të dalin në pension. Pensionet publike dhe private, krahas tregjeve të mira të punës dhe mbështetjes familjare, luajnë një rol kyç në ofrimin e sigurisë në moshë të shkuar”, theksoi përfaqësuesja e Bankës Botërore.

“Shqipëria ka nevojë të hedhë tani themelet e një sistemi të diversifikuar pensionesh ku rëndësi kritike kanë si pensionet publike, ashtu edhe ato private. Megjithëse sot më pak se 15% e popullsisë është mbi 65 vjeç, çështja e pensioneve të denja është diçka që i interesin 100% brezit të sotëm.

ENKELEDA SHEHI
Për Drejtoreshën Ekzekutive të AMF-së, sistemi i pensioneve private është edhe një nxitje për ekonominë.

“Është e rëndësishme të kuptohet që zgjerimi i tregjeve financiare në tërësi ndikon pozitivisht në ekonominë e një vendi. Zgjerimi i tregut të pensioneve krijon në një ekonomi ofertën e nevojshme për punëdhënësit dhe punëmarrësit, me produkte të kursimeve afatgjata. Edhe më e rëndësishme konsiderohet oferta e këtij tregu në kushtet kur në Shqipëri, ashtu si edhe në vende të tjera, po vërehen ndryshime demografike, të cilat bëjnë të domosdoshëm rritjen e shkallës së kursimit të popullatës për moshën e shtyrë”, theksoi Shehi. Sipas saj, fondet e pensioneve mund të jenë një faktor i rëndësishëm për të imponuar disiplinë në qeverisjen e shoqërive aksionare në një vend.

“Një element i tillë duhet konsideruar i rëndësishëm edhe për zhvillimin e një tregu tjetër, atë të kapitalit, sepse krijimi i një mjedisi të përshtatshëm investimi është jetësor për të ulur varësinë prej letrave me vlerë të qeverisë, për të rritur burimet e financimit për kompanitë në Shqipëri dhe për të rritur diversifikimin në investim për kursimtarët në Shqipëri. Si i tillë, AMF-ja e konsideron reformën për zgjerimin në skemat e detyrueshme me administrim privat si të një rëndësie shumë të madhe dhe shpreh gatishmërinë për të drejtuar këtë reformë në vitet që vijnë, me mbështetjen e të gjithë aktorëve institucionalë dhe partnerëve ndërkombëtarë”, theksoi Shehi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura