Banka Botërore: Në 2017 ekonomia dhe punësimi u rritën, probleme me PPP

Apr 12, 2018 | 15:19
SHPËRNDAJE

DORINA AZO/ Banka Botërore konfirmoi dje rritjen ekonomike në vend, me 3,8 për qind për 2017. Gjatë prezantimit të raportit të rregullt ekonomik të Bankës Botërore për Ballkanin Perëndimor “Dobësitë ngadalësojnë rritjen”, u vlerësua se rritja ekonomike në 2017 mbështeti krijimin e vendeve të punës dhe uli varfërinë. Banka Botërore paralajmëron se rritja ekonomike në 2018 do të ngadalësohet në 3,6 për qind, për shkak të përfundimit të projekteve TAP dhe Devoll.

“Rritja ekonomike vlerësohet të ketë arritur në 3,8 për qind në 2017, duke mbështetur krijimin e vendeve të punës dhe duke ndihmuar në reduktimin e varfërisë. Ritmet e rritjes priten të ngadalësohen në 3,6 për qind në vitin 2018, me përfundimin e dy projekteve të mëdha financiare në sektorin e energjisë dhe më pas rritja parashikohet të bjerë mesatarisht 3,5% në dy vitet e ardhshme”, thuhet në raport. Kryekonomistja e Bankës Botërore, Hilda Shijaku, vlerësoi se faktor kyç në qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike mbetet menaxhimi i shpenzimeve, borxhit publik dhe projekteve me koncesion.2306774

“Kyç për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike të Shqipërisë, do të mbetet qëndrueshmëria fiskale dhe sigurimi i rënies së borxhit publik, në periudhën afatmesme. Prioritare mbetet përmirësimi i cilësisë së shpenzimeve publike dhe forcimi i kuadrit rregullator për koncesionet, si dhe përmirësimi i menaxhimit të investimeve publike. Vendi duhet të vijojë reformën në sektorin e energjisë, përmirë- simin e shëndetit financiar.

Të rëndësishme mbeten edhe reformat afatgjata që rrisin kapitalin njerëzor, reduktojnë barrierat për punësimin dhe promovojnë konkurrencën e tregut”, u shpreh Shijaku. Për projektet me partneritet publik privat, Banka Botërore theksoi se duhet transparencë. “Në Shqipëri duhet të forcojmë transparencën për projektet me partneritet publik privat. Të bëhet e qartë cila është strategjia e Qeverisë për investimet dhe cilat janë prioritetet. Gjithashtu, duhet të forcohet mënyra sesi përzgjidhen projektet që jepen me PPP dhe mënyra sesi menaxhohen këto kontrata.

Duhet siguruar që Ministria e Financave të luajë një rol të rëndësishëm, sepse kështu shikohen risqet fiskale dhe si mund të minimizohen ato në përputhje me investimet”, u shpreh përfaqësuesja e përhershme e Bankës Botërore për Shqipërinë, Maryam Salim. Ekspertët e Bankës Botërore komentuan edhe uljen e pragut të TVSH-së për biznesin e vogël.

“Ne mendojmë që efekti në buxhet i kësaj të ardhure do të jetë i vogël, ndërkohë që barra administrative për tatimet mund të jetë shumë e lartë. Rritja e barrës administrative për tatimet, për ne nënkupton më pak kohë dhe mundësi për t’u marrë me taksapaguesit më të mëdhenj, me ata që realisht zënë përqindjen më të lartë të taksave të mbledhura. Ky është shqetësimi ynë. Që kapaciteti i organeve të taksave është i kufizuar dhe kjo është një barrë shtesë mbi ta”, deklaroi Hilda Shijaku.

Raporti i BERZH, Sejko: Po nxisim kreditimin në ekonomi

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim prezantoi dje në ambientet e Bankës së Shqipërisë, raportin e tranzicionit për 2017. Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, tha se raporti ka një zhvillim pozitiv në rajon. Guvernatori Sejko, duke iu referuar gjetjeve të raportit, tha se vëren se rritja e produktivitetit është ngadalësuar dhe për këtë, dinamika e bizneseve private identifikohet si një nga problemet kryesore që duhet të shqetësojë rajonin tonë.

Lidhur me këtë, Guvernatori Sejko u shpreh se Banka e Shqipërisë vlerëson se zhvillimi i sistemit financiar është i domosdoshëm për zhvillimin ekonomik të vendit. “Në këtë drejtim, nëpërmjet politikave tona, ne po përpiqemi të nxisim një shpërndarje më efeciente të kreditimit bankar, në mënyrë që të jetë sa më pak i fragmentarizuar apo i përqendruar në sektorë të caktuar të ekonomisë.

Po kështu, ne po ndjekim nga afër gjendjen financiare dhe huamarrëse të ndërmarrjeve mikroekonomike, përfshirë këtu edhe ato në sektorin bujqësor. Këto subjekte kanë një peshë të konsiderueshme në vlerën e shtuar bruto dhe në numrin e të punësuarve në Shqipëri. Sipas anketimeve tona së fundmi, shqetësimet parësore për firmat e vogla janë: konkurrenca e pandershme, vështirësitë për gjetjen e tregjeve për shitjen e produkteve, dhe më pak, aksesi i kufizuar në financim apo kostoja e ofrimit të produkteve bankare. Ne jemi të vetëdijshëm se rritja e produktivitetit, sidomos për firmat më të vogla, është mjaft e rëndësishme për konvergjencën ekonomike të vendit.

Përmbushja e nevojave për kapital investues është një sfidë kryesore për prodhuesit e vegjël, duke qenë se ato kanë pak ose aspak histori kredimarrëse në sistemin financiar. Për këtë arsye, analizat me të dhëna mikro janë bërë tashmë objekt i diskutimit në aktivitetet dhe konferencat e organizuara nga Banka e Shqipërisë, për të kuptuar nevojat e bizneseve të vogla dhe si mund të ndihmojmë në përmirësimin e infrastrukturës, me qëllim rritjen e përfshirjes së tyre financiare në të ardhmen”, u shpreh Sejko. Më tej, Guvernatori shtoi se produktiviteti është i rëndë- sishëm, pasi përcakton edhe shpejtësinë e konvergjencës drejt ekonomive të zhvilluara.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura