Banka Botërore i dha Shqipërisë 75 milionë euro hua për sektorin e ujit, Qeveria u merr Ujesjellësat Bashkive

May 13, 2022 | 10:11
SHPËRNDAJE

 

Banka boterore qeveriaBanka Botërore i ka akorduar Shqipërisë një hua prej 75 milionë eurosh për të realizuar reformën në sektorin e ujit.

Vendimi i Bankës Botërore u shoqërua me një tjetër nismë nga ana e qeverisë shqiptare, e cila ka vendosur që t’ua heqë bashkive administrimin e Ujësjellësve, por t’ua kalojë kompetencat e tyre pushtetit qendror.

Dy ditë më parë qeveria mori vendim për të marrë drejtimin e ujësjellësve, duke ndryshuar “pronësinë e tyre”.

“Politikat kombëtare për riorganizimin e sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit, trajtimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura. Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës dhe të nenit 12, të ligjit nr.8102, datë 28.3.1996, “Për kuadrin rregullator të sektorit të furnizimit me ujë dhe të largimit dhe përpunimit të ujërave të ndotura”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave”, thuhet në vendimin e miratuar nga qeveria më 11 maj.

“Shlyerja e vlerës nominale të aksioneve, që do të zotërohen nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, të kryhet duke njohur investimet në proces, të cilat janë financuar nga buxheti i shtetit dhe me anë të investimeve kapitale të ardhshme që qeveria do të ndërmarrë në vitet në vijim në gjithsecilën prej këtyre shoqërive ose nëpërmjet shuarjes me kompensim të detyrimeve që shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve kanë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes ndaj institucioneve të tjera qendrore buxhetore dhe jobuxhetore.

Shlyerja e kontributeve nga ministria përgjegjëse për infrastrukturën mund të realizohet edhe nëpërmjet të drejtave të vlerësueshme në para, të tilla si kompensimi i vlerës së detyrimeve që shoqëritë aksionare ekzistuese të ujësjellës-kanalizimeve kanë në momentin e nënshkrimit të marrëveshjes për krijimin e SKP-së. Aksionarët do të nënshkruajnë kontratë rritjeje kapitali, që investimet e ardhshme dhe fitimi të kapitalizohen e të alokohen derisa të arrijnë përqindjen sipas marrëveshjes së krijimit të SKP-së”, thekson vendimi i Qeverisë.

BANKA BOTERORE

Shqipëria do të përfitojë një mbështetje të konsiderueshme për reformimin e Sektorit të Ujit përmes një financimi nga Banka Botërore, që përfshin një hua prej 75 milionë $ dhe një grant prej 6,3 milionë $, miratuar sot nga Bordi i Drejtorëve i Bankës Botërore. 

Në raportin e Bankës Boterore theksohet se: “Shumica e shoqërive të ujësjellësit në Shqipëri vijojnë të kenë performancë të ulët si teknike, ashtu edhe financiare. Kjo ndikon cilësinë e shërbimit për popullsinë dhe bizneset, si dhe pamundëson ofrimin e shërbimeve aty ku mungojnë, veçanërisht për popullsinë më të cenueshme në zonat periferike dhe rurale të vendit.

Rreth 20 përqind e popullsisë rurale nuk mbulohet nga rrjeti i tubacioneve të ujësjellsave. Shumica e shoqërive të ujësjellësave, 37 nga 58 prej tyre varen thuajse tërësisht nga fondet e qeverisë qendrore. Sektori i ujësjellës-kanalizimeve (UK) ka nevojë për reformim lidhur me modelet e menaxhimit dhe organizimit që do të mundësojnë arritjen e synimeve kombëtare”.

“Nevojiten ndryshime radikale për përmirësimin e cilësisë dhe qëndrueshmërisë së shërbimeve të furnimizimit me ujë. Ne përgëzojmë Qeverinë për angazhimin në reformimin e këtyre shërbimeve në Shqipëri”, tha Emanuel Salinas, Menaxher i Zyrës së Bankës Botërore për Shqipërinë.

“Banka Botërore do të mbështesë sektorin përmes një instrumenti novator financimi të quajtur Program për Rezultate. Kjo do të thotë që në vend që të sigurohen financime për infrastrukturën, të përqendrohemi në mbështetjen e reformës institucionale, ose siç e themi në mënyrë jozyrtare ‘në vend që të rregullojmë tubat, të rregullojmë institucionet që duhet të rregullojnë tubat’.”

Programi për Shërbimet e UK-së do të ndihmojë në transformimin e thellë të sektorit për përballimin e sfidave strukturore. Kjo do të forcojë planifikimin dhe programimin e investimeve, si në nivel vendor ashtu edhe qendror në sektorin e UK-së, duke mundësuar shtrirjen e investimeve publike në zonat gjysmëurbane dhe rurale. Në kuadër të këtyre reformave, shoqëritë e ujësjellësit priten të përmirësojnë performancën e tyre, duke u mbështetur më pak nga fondet publike. Përdorimi efikas i fondeve publike do t’u sjellë përfitime jo vetëm familjeve, por do të përmirësojë edhe ekonominë. Shërbimet më të besueshme dhe me cilësi më të lartë për familjet dhe bizneset do të kenë ndikim pozitiv në industrinë e turizmit, hapjen e vendeve të punës dhe uljen e varfërisë, si dhe në zvogëlimin e hendekut midis zonave urbane dhe rurale.

© Panorama.al

Te lidhura