Banka Botërore, 70 milionë dollarë kredi qeverisë për biznesin

Feb 2, 2017 | 13:52
SHPËRNDAJE

Bordi i Drejtorëve Ekzekutivë të Bankës Botërore aprovoi dje huan me vlerë 70 milionë dollarë për rritjen e konkurrueshmërisë së biznesit. Banka Botërore shpjegoi se kredia do të përdoret për të mbështetur reformat e qeverisë në përmirësimin e klimës së biznesit. Përdorimi i kredisë do të fokusohet për të formuar një kuadër të ri ligjor në investime, për të përmirësuar procesin në dhënien e lejeve të ndërtimit, si dhe për lehtësimin e procedurave të zhdoganimit të mallrave ushqimorë në Portin e Durrësit.

Përfaqesuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed
Përfaqesuesja e Bankës Botërore në Shqipëri, Tahseen Sayed

“Pas stabilizimit të ekonomisë, është shumë e rëndësishme që tani Shqipëria të ketë edhe kuadrin e duhur ligjor për investitorët dhe një mjedis sa më miqësor për biznesin, në mënyrë që të tërheqë dhe mbajë investime që sjellin rritje më të shpejtë dhe vende pune të krijuara nga sektori privat, veçanërisht për të rinjtë dhe gratë”, tha Tahseen Sayed, menaxhere e Bankës Botërore për Shqipërinë.

Banka Botërore vlerëson se këto masa plotësojnë reformat makrofiskale dhe strukturore në vazhdim dhe mbështeten në frymën reformuese që kërkon të orientojë ekonominë drejt investimeve në sektorin privat dhe eksporteve. Ndërsa, sipas Bankës Botërore, Shqipëria ka bërë një progres të dukshëm në renditjen globale të raportit “Të bërit biznes 2017”, ndërkohë nevojitet progres i mëtejshëm dhe më i shpejtë për t’i mundësuar vendit arritjen e qëllimit të një klime sa më të mirë biznesi.

Banka Botërore vlerësoi se projekti do të ndihmojë në përshpejtimin e procesit të integrimit në BE dhe rritjen e mundësive që rrjedhin nga marrëveshjet e Shqipërisë me Organizatën Botërore të Tregtisë. “Ky projekt do të mbështesë përshpejtimin e integrimit të Shqipërisë në ekonominë globale dhe do të ndihmojë ekonominë e vendit të ketë një klimë biznesi më miqësore, për të pasur një rritje gjithëpërfshirëse me ritme më të larta”, tha Wolfgang Fengler, bashkëdrejtuesi i ekipit të projektit të Bankës Botërore. Projekti i Politikave Zhvillimore për Konkurrueshmërinë është një hua e BNRZH me një periudhë pa shlyerje principali prej 5 vjetësh dhe afat shlyerjeje të huas prej 25 vjetësh.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura