Banesat me qira, lista me 176 familje që përfitojnë

Feb 27, 2015 | 13:09
SHPËRNDAJE

Foto ilustruese
Zbardhet vendimi i Bashkisë së Tiranës. Pritet miratimi nga Këshilli

Lloji i apartamentit dhe subvencioni për çdo familje

Bashkia e Tiranës ka vendosur 176 familjet që do të përfitojnë banesë sociale me qira. Gazeta boton të plotë listën me emrat e përfituesve. Në tabela është qartësuar lloji i apartamentit që përfiton familja, të ardhurat neto që ka deklaruar, çmimi i qirasë që duhet paguar, si dhe sasinë e subvencionit që do të japë Bashkia. Bëhet fjalë për banesat e ndërtuara në Shkozë, në periferi të Tiranës. Këto apartamente jepen me qira nga Bashkia e Tiranës për familjet në nevojë dhe të pastreha. Që familjet të bëhen përfituese të subvencionit, duhet që vendimi, të cilin zbardh sot gazeta, të miratohet nga Këshilli Bashkiak i Tiranës. Familjet përfituese kanë plotësuar të paktën dy kushte, nuk kanë banesë në pronësi dhe janë brenda kufirit të të ardhurave mesatare. Sipas vendimit, këto familje do të përbëjnë kontingjentin e parë, i cili do të strehohet me qira sociale në këto banesa. Bashkia qartëson se “nga viti 2005 e deri në momentin aktual kanë aplikuar për fazën e parë sipas programeve të strehimit 11200 familje, prej të cilave vetëm për programin e banesave sociale me qira kanë aplikuar prej vitit 2005 2350 familje në nevojë për strehim”. Duke qenë se aplikimi kishte nisur më shumë se një dekadë më parë, Bashkia në shtator të vitit të kaluar u kërkoi të gjithë aplikantëve “rifreskimin e dokumentacionit sipas programit te banesave sociale me qira komform paketës rregullative në fuqi”. Në fund të këtij procesi, rezultoi se për këtë program kanë aplikuar, duke plotësuar dokumentacion, rreth 520 familje. Sipas relacionit, “176 prej aplikuesve rezultojnë të kenë dorëzuar dokumentacion të rregullt dhe përmbushin kushtet e kriteret për t’u shqyrtuar si përfitues nga ky program. Rreth 340 prej aplikuesve nuk përmbushin kriterin e të ardhurave të përcaktuara, kalojnë kufirin maksimal ose nuk arrijnë nivelin minimal të të ardhurave të përcaktuara, kanë banesë në pronësi dhe/ ose mungesa të tjera në dokumentacionin e kërkuar”. Familjet aplikuese me dokumentacion të rregullt paraqesin struktura familjare me një numër mesatar 3-4 persona në familje. “Nga përllogaritjet rreth 90% e familjeve të kontingjentit të parë, të cilët përfitojnë nga kjo skemë, do te mbështeten me subvencion, i cili do të përballohet nga fondi i parashikuar për këtë qëllim, i miratuar në buxhetin vjetor të Bashkisë së Tiranës”, theksohet në relacion.

Listen e plote e lexoni duke klikuar ketu

ADA HAZIZOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura