Banesat e rindërtuara pas tërmetit/ Ja të gjitha detajet e shortit për qytetarët e pastrehë pas 2019-ës. Ahmetaj: Shpërndajmë 1050 shtëpi

Nov 22, 2021 | 10:03
SHPËRNDAJE

BESARTA BASHA/ Dy vjet pas tërmetit që la pa çati mijëra familje, Bashkia e Tiranës do të hedhë hapin duke kaluar nga plani në letra në atë faktik për pajisjen me banesa të reja.

ahmetaj rinderttimi

Në fundin e javës që shkoi, Këshilli Bashkiak i Tiranës miratoi rregulloren për zhvillimin e procedurës së shortit publik në kuadër të procesit të rindërtimit, proces ky i lajmëruar javë më herët nga ministri përgjegjës, Arben Ahmetaj. Dokumenti i siguruar nga gazeta përmban gjithë detajet teknike, për të cilat do të kujdesen personat dhe organet e ngarkuara, por ajo që do të luajë rolin kryesor në përzgjedhje, është rastësia.

PROCEDURA

Tri drejtori të Bashkisë, ajo e Punëve Publike, Planifikimit të Territorit dhe Shërbimeve Sociale kanë në duar listat e kryefamiljarëve të banesave të shpallura DS4 ose DS5, të cilat do të shemben për t’u rindërtuar. Një komision i posaçëm pranë Bashkisë së Tiranës do të bëjë kategorizimin e tyre duke i dhënë rend përparësie në përzgjedhje një listë familjesh të margjinalizuara, siç janë ata që trajtohen me ndihmë ekonomike, me nëna kryefamiljare, familje në përbërje të së cilës ka persona me aftësi të kufizuar, pensionistë kryefamiljarë, ata të policëve të rënë në krye të detyrës.

Është komisioni ai që pasi ka mbledhur të dhënat cakton datën, orën dhe vendin e hedhjes së shortit, duke u siguruar më parë që të jenë njoftuar një më një personat e interesuar. “Komisioni, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Bashkisë Tiranë kryen njoftimin e përgjithshëm dhe atë individual për zhvillimin e shorteut publik”, thuhet në rregullore. Përveç kategorive të sipërcituara që shikohen me prioritet, në rend të dytë janë subjektet, banesat e të cilëve janë rindërtuar në truallin ku ata kanë pasur shtëpinë përpara se të bëhej e pabanueshme.

Parimi është i tillë: Bashkia do të tentojë të sistemojë më parë banorët e zonës. Të tjerët, në zonën e rindërtuar, me afërt me atë ku ata kanë banuar më herët. “Për përfituesit e objekteve të reja, për të cilët nuk mund të rindërtohen në të njëjtin truall, sistemohen në zonat e reja për zhvillim, më të afërta me objektin e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore. Komisioni në çdo rast, përpara hedhjes së shortit i kërkon strukturave përgjegjëse të bashkisë Tiranë, informacionin e nevojshëm për zonën më të afërt të zhvilluar me objektin e dëmtuar nga fatkeqësia natyrore”, citohet në pikën 5 të Nenit 6 të rregullores”.

Në datën dhe vendin ku caktohet shorti, do të ketë tri kuti, në përbërje të së cilës janë apartamentet për përfituesit (1+1, 2+1, 3+1) ku secili, sipas rendit, do të përcaktojë në mënyrë rastësore banesën ku do të akomodohet familja e tij. “Faktori fat ka ndikim të drejtpërdrejtë dhe është përcaktues në përzgjedhjen nga ana e subjektit të njësisë së banimit u akomodohet”, parashikon dokumenti për ndarjen e banesave të rindërtuara. Ata që nuk kanë mundësi të paraqiten në shortin publik mund të ngarkojnë dikë tjetër përmes prokurës, ndërsa për ata që nuk paraqiten fare pavarësisht se janë njoftuar vazhdimisht, zgjedh kryetari i komisionit, që është përfaqësues i Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimeve Sociale.

Në dyvjetorin e tërmetit do shpërndajmë 1050 shtëpi Ahmetaj: Deri shtatorin e vitit 2022, ndajmë të gjitha njësitë

Në prag të 2-vjetorit nga tërmeti shkatërrimtar që la shumë familje pa një çati mbi krye, qeveria i ka dhënë një hov të ri procedurës së rindërtimit. Ishte numri 2 i qeverisë, zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ai që bëri publik përpara gati një muaji planin e qeverisë për mënyrën se si do të ndahet fondi i banesave të përfunduara, si dhe kur do të kopsitet i gjithë procesi i rindërtimit. Janë gati për t’u dhënë 1050 çelësa apartamentesh. Jo kuturu, por sipas një grafiku dhe një liste përparësie. “Lista prioritare ka të bëjë me disa kategori në nevojë, që nga familjet me ndihmë ekonomike, familje me nëna kryefamiljare, me pensionistë të vetmuar, familjet e policëve të rënë në krye të detyrës etj.

Ndërsa për pjesën tjetër të qytetarëve mënyra sesi do të shpërndahen apartamentet do të jetë me short publik, transparent që do të zhvillohen nga njësitë vendore, pra një short publik. Që do të thotë që qytetarët që do të përfitojnë apartamente apo njësi individuale do të jenë përballë shortit publik ku do të përputhet vlerësimi i shpërblimit për ta me apartamentet e ndërtuara kohë pas kohe. Të gjitha familjet do të jenë përballë një procesi shumë transparent dhe publik, në mënyrë që asnjë nga qytetarët të mos vendosë pikëpyetje për procesin, por përkundrazi duke parë transparencë dhe mënyrën e shorteut të jetë i bindur që ka marrë atë që i takon”, artikuloi zëvendëskryeministri, duke shtuar se deri në fund të shtatorit të vitit që vjen, do të jenë ndarë të gjitha njësitë e rindërtuara nga e para.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura