“Banda e tritolit”, Gjokona: Si më kërcënonte Jul Sinanaj. Mbushi armën në tavolinë, nuk qëlloi vetëm se ishin kamerat

May 22, 2015 | 16:37
SHPËRNDAJE

Ndriçim Gjokona, i penduar i drejtësisë, nisi dje rrëfimin e tij në procesin gjyqësor ndaj të akuzuarit si vrasës me pagesë, Julian Sinanaj dhe të bashkëpandehurve të tij te Krimet e Rënda. Në një seancë që ka zgjatur rreth gjashtë orë, i penduari Gjokona, ka treguar para Gjykatës se si ishte njohur me Julian Sinanajn dhe të pandehurit e tjerë në proces.

Ndriçim Gjokona

Gjokona është përballur me pyetjet e prokurorëve në sallë dhe me ndërhyrjet e herëpashershme të Sinanajt, gjithashtu i penduar i drejtësisë. Burime brenda seancës së zhvilluar me dyer të mbyllura për publikun, bënë me dije se i pandehuri Gjokona i është përmbajtur me përpikëri deklarimeve të dhëna prej tij në Prokurori gjatë hetimeve paraprake.

Kështu, Gjokona ka rrëfyer se fillimisht është njohur me të pandehurin Andon Mëhilli, e në vijim kishte qenë ai që e kishte prezantuar me Sinanajn, gjatë kohës që po planifikohej vrasja e shtetasit Sokol Veizi. Sipas burimeve, Gjokona ka treguar në mënyrë të detajuar në lidhje me ndihmën që ai i kishte dhënë në vijim Julian Sinanajt, duke i siguruar armët, tritolin si dhe mjetet që ai përdorte në vrasjet, për të cilat akuzohet nga Prokuroria.

KERCENIMI
Një nga momentet më pikante në deklarimet e Gjokonës ka qenë acarimi i Sinanajt me vëllezërit Denis e Andon Mëhilli, pasi nuk e kishin paguar për një punë të kryer për llogari të tyre. “Kur biseda u tensionua, Juliani futi dorën në një çantë të vogël që kishte në brez dhe mbushi pistoletën. Ngrimë në vend, por ndërhyra unë duke i thënë: mos këtu se ka kamera”, ka rrëfyer Gjokona.

Ai ka treguar se pas atij momenti ndihej “mes dy zjarresh”. “Unë qëndroja shpesh me Julianin, por kur e takoja Julianin, ai mendonte se më kishin dërguar Mëhillajt për ta vrarë. Ndërsa kur takoja vëllezërit Mëhilli, ata kujtonin se kisha porosi të njëjtë nga Sinanaj”, mësohet të jetë shprehur Gjokona.

Sipas tij, Sinanaj mbante në xhep një fotokopje të kartës së tij të identitetit, për cilën i thoshte se “nëse më vret, familjarët e mi ta dinë kush e ka bërë”. Sipas të pandehurit, duke iu druajtur një eliminimi fizik, ai ka bërë kallëzim në Polici, i cili fillimisht nuk i është besuar, derisa trokiti në televizionin “News24”.

ARMAND BAJRAMI

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura