‘Arrest me burg’ bandës së gjobëvënësve, mes tyre Serjani e Ferhati: Njihemi me biznesmenin, por s’i kemi vënë gjobë

Apr 24, 2015 | 14:05
SHPËRNDAJE

Pesë të dyshuarit e Prokurorisë për Krimet e Rënda si autorët e një gjobëvënieje ndaj një biznesmeni kafeje në kryeqytet mohuan akuzën e ngritur ndaj tyre.

Pajtim Serjani

Njëri pas tjetrit ata u paraqitën dje në Shkallën e Parë në Gjykatën për Krimet e Rënda për verifikimin e masës së sigurisë “arrest në burg” caktuar ndaj tyre në mungesë.

Ata pohuan se kishin njohje me biznesmenin e kafesë, J.B., prej vitesh për shkak të marrëdhënieve të tyre të biznesit, por se në asnjë rast nuk i kishin vënë gjobë. Në përfundim të seancave, gjyqtari vendosi lënien të pandryshuar të masave “arrest në burg”.

Të dyshuarit Genci Ferhati, Arianit Luli, Klevis Kardashi, Pajtim Serjani, Ditmar Reci akuzohen për “shtrëngim me anë të kanosjes për dhënie pasurie kryer në bashkëpunim”.

Sipas Prokurorisë, gjatë muajit shkurt, pesë të dyshuarit dhe dy persona të tjerë ende të paarrestuar i kanë kërkuar në mënyrë të vazhdueshme dhe nën ushtrimin e dhunës për t’i marrë pasurinë biznesmenit J.B.

“Panorama” shkruante dje se pikënisja e ngjarjeve duket se ka qenë në fillim të muajit shkurt 1014, kohë kur biznesmeni me iniciale J.B., pronar i një kompanie të njohur të kafes në Tiranë ka rënë në kurth dhe ka përfunduar me armë në kokë. Kërcënimi me armë i biznesmenit ka ndodhur në një apartamenti në katin e katërt të një pallati pranë xhamisë, në zonën e “Kodrës së Diellit” në Tiranë.

Policia e Tiranës, në një deklaratë ditën e djeshme, e cilësoi të dënuarin për vrasje Genc Ferati si personazhin kryesor të gjobëvënies ndaj biznesmenit të kafes. Në listën e të akuzuarve, Genc Shpëtim Ferati, 37 vjeç, i cili po vuan një dënim në IEVP Peqin, i dënuar më parë për “vrasje”, është renditur i akuzuari i parë.

Ferati është dënuar nga Gjykata për vrasjen e Denis Ginës dhe Median Shehut, në vitin 1999 në Tiranë. Më pas, Policia ka publikuar emrat e të arrestuarve Pajtim Xhevair Serjani, 33 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë “Për moskallëzim krimi”, Arianit Luli, 31 vjeç, banues në Tiranë, Ditmar Reçi, 31 vjeç, banues në Tiranë, Klevis Kardashi, i njohur me nofkën “Kinezi”, 32 vjeç, banues në Tiranë. Policia tha se janë shpallur në kërkim shtetasi me iniciale E.K. 27 vjeç, banues në Tiranë, i dënuar më parë për “armëmbajtje pa leje,”, si edhe shtetasi me iniciale A.H., 45 vjeç, banues në Durrës, i dënuar më parë, për “vrasje”.

GJOBA ME SKYPE NGA BURGU 

Në kërkesën e Prokurorisë së Krimeve të Rënda për masat e sigurisë në Gjykatë ndaj 7 të akuzuarve sqarohet në detaje komunikimi përmes Skype, i të dënuarit Genc Ferati me biznesmenin e kafes. Kjo gjë ka ndodhur në apartamentin te “Kodra e Diellit”, pasi biznesmeni ishte kërcënuar me armë në kokë dhe aty kishte shkuar Pajtim Serjani.

“Pajtimi është larguar, ndërsa personi i maskuar ka tentuar disa herë të lidhet në Skype me një person dhe pasi ka arritur të lidhet i ka thëne kallëzuesit të fliste me personin në anën tjetër të telefonatës, i cili ishte Genci. Kallëzuesi ka menduar se bëhej fjalë për shtetasin Genc Ferhati, i cili është duke vuajtur dënimin në burg dhe njëkohësisht është vëllai i shtetasit Elvis Karoli”, thuhet në kërkesën e Prokurorisë.

 BISEDA 

Sipas akuzës, në momentin që biznesmeni i kafes ka folur me Gencin, ky i fundit i ka thënë hera e parë dhe e fundit që të flas.

“Për firmën e kafes që ke, 40 për qind do t’i mbash ti, 30 për qind “Kinezi” dhe 30 për qind do t’i mbaj unë me vëllain tim. Nesër do të marrim në telefon rreth orës 09.00-09.30 dhe do shkojmë te noteri dhe do punosh për ne deri sa të vdesësh. Unë nuk do të flas më. A më kuptove?”. 

Biznesmeni i është përgjigjur “Po” dhe më pas personat e tjerë kanë filluar të largohen, duke e lënë vetëm kallëzuesin, i cili më pas është larguar në banesë ku ka ndërruar rrobat. Sipas Prokurorisë, nga hetimi rezulton se shtetasi J.B. telefononohet herë pas here nga Pajtim Serjani, i cili bisedon për llogari të Genci Ferhatit dhe i kërkon që të takohen. Është i dëmtuari ai që i shtyn takimet, duke u thënë se ka punë.

“Panorama” shkruante dje se bëhet fjalë për një shumë prej 13 mijë eurosh, që Pajtim Serjani, Ditmar Reçi dhe 4 personat e tjerë i kishin kërkuar biznesmenit të kafes, duke e kërcënuar me jetë. Burimet thanë se nuk mund të bëhet i ditur emri i të dëmtuarit, pasi në momentin e denoncimit ai ka kërkuar që të mbetet anonim. Denoncimi i tij është provuar gjatë hetimeve që ka kryer Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe Policia e Kryeqytetit.

Ashtu siç është provuar edhe një lloj “kontrate” që të arrestuarit e detyronin biznesmenin të nënshkruante me ta, edhe pse pa laps e letër, që e detyronte atë të paguante tek autorët 10 për qind të xhiros vjetore, në këmbim të jetës së tij e të familjarëve.

Pajtim Serjani njihet në kryeqytet si një nga njerëzit më të afërt të Emiljano Shullazit, ndërsa rreth 4 muaj më parë ai u plagos gjatë një atentati ndaj tij, ku u vra personi që e qëlloi, Artur Baze. Serjani u plagos në praninë e Ditmar Reçit, që po ashtu u arrestua mbrëmë dhe dy miqve të tjerë të tij, efektivit të Policisë Roland Meta, i cili qëlloi për vdekje atentatorin e Serjanit dhe shtetasit Denis Ramani.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura