“Banda e Durrësit”/ Pse e rrëzoi gjykata kërkesën për lirim të Lul Berishës

Jul 29, 2016 | 8:10
SHPËRNDAJE

Shmanget lirimi nga burgu i të akuzuarit si kapoja i “Bandës së Durrësit”, Lulëzim Berisha. Lajmi është bërë me dije ditën e djeshme nga Prokuroria.

lulzim berisha 1

Mësohet se Gjykata e Durrësit ka rrezuar dje kërkesën e të dënuarit Lulëzim Berisha, për lirim të parakohshëm nga qelia. I dënuari me akuzën se ka qenë pjesëtar dhe një nga drejtuesit e “Bandës së Durrësit”, kishte bërë kërkesë në Gjykatën e rrethit për lirim para kohe nga qelia. Kjo kërkesë u kundërshtua nga Prokuroria e Durrësit gjatë procesit që u mbajt në këtë qytet.

Në vendimin e saj, Gjykata gjeti të bazuar qëndrimin e Prokurorisë së Durrësit dhe rrëzoi kërkesën e të dënuarit për lirim nga qelia. Sipas burimeve zyrtare nga procesi, Lulëzim Berishës aktualisht i kanë mbetur edhe 6 vjet burg për të vuajtur. Sipas vendimit përfundimtar të Gjykatës së Lartë, Lulëzim Berisha, së bashku me anëtarë të tjerë të bandës, u dërgua në gjyq me dhjetë akuza.

Veprat penale për të cilat e akuzoi Prokuroria Lulëzim Berishën fillonin nga “krijim i organizatës kriminale” dhe kryerje të krimeve prej saj deri te vrasjet. Të akuzuar bashkë me Lul Berishën në çështjen e “Bandës së Durrësit” kanë qenë edhe 15 persona të tjerë që janë gjykuar në të njëjtin proces në Gjykatën e Lartë.

Më 16 korrik 2014, Gjykata e Lartë ka shpallur vendimin përfundimtar të saj për Lulëzim Berishën, duke e dënuar atë me 25 vjet heqje lirie. “Përfundimisht, pas ndryshimit të pjesshëm të vendimit të Gjykatës së Apelit për Krime të Rënda, në aplikim të nenit 55 të Kodit Penal, në bashkim të dënimeve, Gjykata vendosi dënimin e të gjykuarit Lulëzim Berisha me 25 vjet burgim”, thuhet në vendimin e dhënë prej Gjykatës së Lartë.

Kjo e fundit shpëtoi asokohe nga burgimi i përjetshëm Lulëzim Berishën, i cili kishte marrë dënimin kapital nga gjykatat më të ulëta. Pavarësisht dënimit të dhënë ndaj tij me 25 vjet heqje lirie dy vjet më parë, Lulëzim Berishës i kanë mbetur edhe gjashtë vjet burg, pasi në dënim llogaritet edhe koha e qëndrimit në paraburgim nga viti 2007 e në vazhdim. Lul Berisha u arrestua në Maqedoni dhe më pas u soll në Shqipëri, ku u përball me akuzat në Gjykatën e Krimeve të Rënda, pasi u hetua nga Prokuroria për më se dy vjet e gjysmë.

DËNIMI I LUL BERISHËS

Gjykata e Lartë arsyetoi në vendimin e saj se Shkallaq e Parë dhe Apeli për Krimet e Rënda kanë gabuar duke mos bërë cilësimin dhe kualifikimin e veprave penale për të cilat akuzohej Berisha, sipas ligjit të kohës kur kanë ndodhur këto vepra.

“Kolegji Penal i Gjykatës së Lartë, në ndryshim nga gjykatat e faktit, vlerëson se, në periudhën e kryerjes së veprave penale nga i gjykuari Lulëzim Berisha, tetor 1998 – gusht 1999, ka ekzistuar vetëm një rrethanë rënduese, që është ajo e parashikuar nga germa ‘gj’ e nenit 50 të Kodit Penal të kohës së kryerjes së veprave penale dhe që është: ‘kryerja e veprës penale në bashkëpunim'”, është shprehur Gjykata e Lartë.

Sipas saj, referuar provave të shqyrtuara, si dhe ligjit të kohës kur janë kryer veprat penale, duhet të aplikohet neni 78 i Kodit Penal, para ndryshimeve që ai ka pësuar në vitin 2001, ku “vrasja e kryer me paramendim” parashikonte dënim me burgim nga 15 deri në 25 vjet. Kolegji Penal ka vlerësuar këtë ligj si më të favorshmin për të gjykuarin Lulëzim Berisha, duke shtuar se nga shqyrtimi ka rezultuar se ndaj tij ekziston vetëm një rrethanë rënduese, ajo e “kryerjes së veprës penale në bashkëpunim”. Sipas Gjykatës së Lartë, gjykatat e faktit kanë interpretuar disa rrethana rënduese për Berishën, rrethana për të cilat nuk i ishin komunikuar atij më parë.

“Në kushtet kur këto rrethana rënduese nuk i janë komunikuar atij, as gjatë hetimit dhe as gjatë gjykimit, dhe as nuk i është dhënë e drejta që të përgatisë mbrojtjen e të paraqesë prova, në lidhje me këto rrethana rënduese, bie në kundërshtim, jo vetëm me normat ligjore të parashikuara në Kodin e Procedurës Penale, por edhe me vendimet e Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Shqipërisë, si dhe të Gjykatës së Strasburgut”, theksonte Gjykata e Lartë.

Ajo e shpalli fajtor Lulëzim Berishën për të gjitha akuzat e ngritura ndaj tij në lidhje me krijimin e organizatës kriminale dhe kryerjen e krimeve në kuadër të saj, por zbatoi dënimet përkatëse siç kanë qenë në kohën kur kanë ndodhur vrasjet dhe tentativat e vrasjeve për të cilat akuzohet “kapo i bandës së Durrësit”.

TRAZHGIM SOKOLAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura