Banalizimi i Byrosë Kombëtare të Hetimit

Feb 12, 2016 | 12:10
SHPËRNDAJE

Nga Mark Marku

Lajmi se qeveria shqiptare ka paraqitur më së fundi  një projektligj për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit, do të duhej të konsiderohej si një lajm i mirë për këdo që kërkon një angazhim serioz të shtetit shqiptar kundër një sërë veprimtarish kriminale që kanë goditur rëndë vetë ekzistencën e shtetit ligjor në Shqipëri.

marku

Për ata që i ushtrojnë këto veprimtari një lajm i tillë do të duhej të ishte vërtet një lajm i keq. Fatkeqësisht lajmi nuk është as i mirë, as i keq, ai është thjesht banal. Është thjesht banal, pasi ashtu siç e katandis ky projektligj Byronë Kombëtare të Hetimit, kjo byro më shumë sesa një kërcënim për keqbërësit e shumtë dhe organizatat kriminale që ushtrojnë veprimtarinë e tyre intensivisht dhe të patrazuar prej askujt përveçse prej njëri-tjetrit, brenda, jashtë dhe nën hundën e strukturave shtetërore, do të jetë një barrë më shumë për xhepat e taksapaguesve shqiptarë.

Pa hyrë në detajet e projektligjit, kjo strukturë e re është shumë larg nevojave të vendit: krijimit të një strukture të ngjashme me FBI-në e famshme amerikane, strukturë kjo autonome që vetëm formalisht është nën varësinë e Departamentit Amerikan të Drejtësisë dhe që ushtron veprimtarinë e saj në koordinim me CIA-n dhe Prokurorinë Federale.

Në ndryshim nga origjinali amerikan, Byroja Kombëtare e Hetimit, ashtu siç projektohet në këtë ligj, do të jetë një hibrid alla shqiptar që do të varet nga Drejtoria e Policisë së Shtetit, ndërkohë që një pjesë e veprimtarisë së saj do të kontrollohet nga të dërguarit e Prokurorisë së Përgjithshme brenda kësaj strukture.

Është paradoksale se si një strukturë e tillë, nevoja për të cilën ka lindur nga dështimi i këtyre dy strukturave në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, e ka varësinë pikërisht nga këto struktura, gjë që do të thotë se do të ketë të njëjtat rezultate.

Në thelb, Byroja jonë Kombëtare e Hetimit i ngjan FBI-së amerikane po aq sa ç’ngjan Rama me Obamën, Saimir Tahiri me Sally Jewell-in, Haki Çako me James Comey-n, ose Adriatik Llalla me Loreta Lynch-in, ose aq sa ç’ngjan shteti shqiptar me shtetin amerikan.

Një degradimi i tillë i vetë idesë së krijimit të një strukture koordinuese në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit nxjerr në dritë edhe qëllimin që ka udhëhequr projektin qeveritar për krijimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit.

Qëllimi i krijimit të saj, me sa duket, nuk është udhëhequr nga vullneti i kryeministrit Rama për të shkatërruar korrupsionin dhe krimin e organizuar, por nga vullneti i tij për t’i përqendruar të gjitha pushtetet në duart e tij, edhe pse përvoja trevjeçare e tij si kryeministër ka treguar se ai ka qenë i paaftë për të ushtruar edhe ato pushtete që i jep ligji.

Meqenëse legjislacioni shqiptar dhe Kushtetuta e pengon atë që të ketë nën kontroll gjykatat, prokurorinë dhe policinë njëherësh, në mendjen e tij Byroja Kombëtare e Hetimit është përvijuar si një institucion ku të tria këto institucione të përfshihen në një, dhe i tëri të ishte nën kontrollin e tij.

Një projekt i tillë u paraqit një vit më parë në Parlament, por ai u ankimua në Gjykatën Kushtetuese dhe u hodh poshtë prej saj, ashtu sikurse u hodh poshtë edhe nga Komisioni i Venecias pak muaj më parë.

Variant i ri nuk është as më pak e as më shumë përveçse një riciklim i modelit të vjetër. Si i tillë nuk sjell asgjë të re përveçse përforcon bindjen se kryeministri Rama e shikon pavarësinë e institucioneve dhe ekuilibrin e pushteteve si një pengesë për misionin “e lartë, hyjnor”, të “Rilindjes” së Shqipërisë, Kushtetutën dhe ligjet si një letër pa vlerë, demokracinë si një zallamahi që i shkatërron nervat, kundërshtarët dhe kritikët si ziliqarë dhe bjerraditës.

Si e tillë, Byroja Kombëtare e Hetimit më shumë se një nevojë të luftës kundër krimit të organizuar përmbush delirin e Ramës për pushtet të pakontrolluar.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura