Ban Ki Moon: Qeveritë të mbajnë fjalën për eliminimin e dhunës

Nov 26, 2012 | 14:17
SHPËRNDAJE

Miliona gra dhe vajza në mbarë botën janë sulmuar, rrahur, përdhunuar, gjymtuar apo edhe vrarë në atë që përbën shkelje tmerruese të të drejtave të tyre njerëzore. Nga fusha e betejës në shtëpi, në rrugë, në shkollë, në vendin e punës ose në komunitetin e tyre, deri në 70 % e grave përjetojnë dhunë fizike apo seksuale në një moment të jetës së tyre. Deri në një e katërta e të gjitha grave shtatzëna janë prekur nga kjo situatë. Në shumicën e rasteve, autorët mbeten pa u ndëshkuar. Gratë dhe vajzat kanë frikë të flasin si rrjedhojë e kulturës së pandëshkueshmërisë. Ne duhet të luftojmë ndjenjën e frikës dhe të turpit që dënon viktimat, të cilët kanë duruar tashmë krimin dhe tani përballen dhe me stigmën. Autorët e këtyre krimeve duhet të ndihen të turpëruar, jo viktimat e tyre. Fushata ime BASHKOHUNI për Dhënien Fund Dhunës ndaj Grave ka angazhuar qeveritë, organizatat ndërkombëtare, grupet e shoqërisë civile, mediat dhe qytetarët e zakonshëm. Vitin e shkuar, kur BASHKOHUNI pyeti të rinjtë në m b a r ë botën se si synonin ata të jepnin ndihmesën e tyre në çuarjen përpara të kësaj çështjeje kritike, unë u inkurajova shumë nga përgjigjet. Shumë të rinj bënë thirrje për dhënien fund të injorancës. Ata thanë se ne nuk duhet të nxisim qëndrimet negative. Ata kërkuan që ne të ngremë zërin tonë për të promovuar të drejtat e njeriut, dhe të bashkojmë forcat për të ndihmuar viktimat. Një djalë i ri tha thjeshtë se djemtë mund të luftojnë dhunën ndaj grave “duke u rritur për t’u bërë burra dhe baballarë të përgjegjshëm dhe të respektueshëm”. Kombet e Bashkuara po punojnë në të gjitha këto fronte. Ne po ngremë nivelin e vetëdijes përmes programeve publike në terren. Fondi ynë i Besimit i OKB-së për Dhënien Fund Dhunës ndaj Grave vetëm këtë muaj njoftoi plane për dhënien e $ 8.000.000 për nisma lokale në 18 vende. Anëtarët e Rrjetit tim në rritje Meshkujt Udhëheqës po e trajtojnë dhunën duke ngritur nivelin e vetëdijes së publikut, duke avokuar për ligje më të mira dhe duke i mbajtur qeveritë të përgjegjshme. Teksa i çojmë më tej këto përpjekje, ne duhet të sfidojmë rrënjësisht kulturën e diskriminimit që lejon vazhdimin e dhunës. Në këtë Ditë Ndërkombëtare, unë u bëj thirrje të gjitha qeverive që të mbajnë premtimet e tyre për t’i dhënë fund të gjitha formave të dhunës ndaj grave dhe vajzave në të gjitha anët e botës, dhe u bëj thirrje të gjithë njerëzve që të mbështesin këtë objektiv të rëndësishëm. (Mesazhi i Sekretarit të përgjithshëm të OKB-së në Ditën Ndërkombëtare kundër Dhunës ndaj grave)

NDIQE LIVE "PANORAMA TV" © Panorama.al

Te lidhura